SPRINT NEWS ALBANIA

AktualitetTe tjera

Nga Sokol Gjoni/ Përtej 22 Korrikut.

Në përmbyllje të një dite, ku kryefjalë ishin zgjedhjet për kryetar të partisë demokratike, pikëpyetjet janë të shumta dhe duket sikur kanë marrë një rol emotiv më parësor sesa kërshëria e fituesit të kësaj gare. Mbi 100 mijë demokratë u thirrën sot për të zgjedhur drejtuesin e tyre të ardhshëm, përmes një gare paksa të pazakontë në përmbajtjen e saj, me dy kandidatë dhe tre platforma. Retorikës çtensionuese të rivalëve në garë, iu kundërpërgjigjej me zhargonin e ashpër të një fraksioni grupi që u etiketua si “anti-Basha”, duke proklamuar përmes kërkesave me karakter ultimativ piketat e një skizme të mundshme brenda radhëve të selisë blu. Nuk ka dyshim, që gara e ofruar do të karakterizohej nga qasjet e ndryshme që do të ofonin kandidatët në raport me menyrën e organizimit të partisë, në adresimin e shumë çështjeve që kanë të bëjnë me perspektivën, si dhe në vizionet e daljes nga vështirësia në të cilën ndodhet PD-ja.

Pas një procesi zgjedhor të qetë, ku rezultati mendoj se nuk do të prodhojë ndonjë befasi, sfidat e ringritjes së PD-së, duhet të shtrohen përmes një strategjie të re që synon “rithemelimin” total të kësaj force, duke ndryshuar mendësinë dhe filozofinë organizative të saj, me premisa të qarta statutore, ku çdo anëtar të përfshihet drejpërdrejtë në çdo vendimmarrje, pasi kështu rritet dhe forcohet roli i anëtarësisë, i cili qe zbehur së tepërmi nga uzurpimi i strukturave në çdo nivel nga drejtues të padenjë.

Gara e zhvilluar, ia arriti qëllimit, pasi nga nesër, demokratët do të kenë kryetarin e tyre legjitim, të cilin  e presin kokëçarje të shumta që lidhen me zhvillimet e vrullshme politike që pritet të galvinizohen me çeljen e legjislaturës së re parlamentare, e njëkohësisht, hartimin dhe implementimin e një strategjie të re organizative për PD-në, duke synuar me çdo premisë kohezionin e brendshëm, çka në të kundërt, do ia vështirësonte dhe do të ia mjegullonte projeksionin e ringritjes. Një analizë e shëndetshme, e adresimit real të përgjegjësive, e identifikimit objektiv të shkaqeve të humbjes, do të ishte hapi serioz i hedhur në rrugëtimin e ringritjes së PD-së.

Anëtarësia e tha fjalën e saj. Pritet nga lidershipi i ri politik të konsiderohen rrugët dhe mekanizmat efikas të daljes nga kjo situatë e vështirë, duke adaptuar modele organizative që nxitin demokracinë e brendshme dhe hapjen e kësaj partie në funksion të rritjes së kredibilitetit të saj politik dhe publik. Me maturi dhe besimplotë në të ardhmen e saj, demokratët përçuan sot sinjale të forta shprese dhe të gjithë bashkë në heshtje pranuan një “mea culpa” për gjithçka iu zuri goja dhe veshët ndaj njëri-tjetrit gjatë këtyre katër javëve. Ringritja filloi! Ne u rikthyem!

S.GJ

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?