SPRINT NEWS ALBANIA

AktualitetEkonomiSociale

“Kompania konfirmoi tërheqjen nga puset e Shpiragut”, Ministria e Energjetikës reagon : Kërkimet vazhdojnë!

Ministria e Energjetikës ka reaguar pas deklaratës së deputetit të Rithemelimit.

Anëtari i Kryesisë së PD-së së Rithemelimit, Eno Bozdo, në një deklaratë tha se kompania Shell ka konfirmuar tërheqjen përfundimtare nga puset e Shpiragut, për rezervat e naftës, ndërsa ka kërkuar që kryeministri Edi Rama dhe ministrja Belinda Balluku të kërkojnë falje publike, pasi sipas tij gënjyen.

Në përgjigje, ministrja Balluku tha se procesi i kërkimeve për naftën në këtë zonë vazhdon, edhe pse ka pasur vështirësi, si pasojë e formacionit gjeologjik kompleks të nëntokës dhe se bashkëpunimi me kompaninë “SHELL” vazhdon.

Balluku shtoi se është zbuluar i një depozite e konsiderueshme prej 225 milionë barrelash rezervë nafte, si edhe një rezervë domethënëse gazi në nëntokën e Shpiragut.

Deklarata e plotë e Eno Bozdo

A e mbani mend Edi Ramën që, sa herë kishte një krizë në qeverisje thoshte se kompania Shell ka zbuluar naftë në Shpirag? A e mbani mend kur bridhte si Enver Hoxha duke hedhur kapelen andej këtej nëpër Shqipëri dhe duke thënë ‘këtu ka naftë’?

Edi Rama gënjen njëlloj, si për përfshirjen e vartësve të vet në korrupsion, si për zbulimin e naftës, si për anëtarësimin në BE duke përdorur inteligjencën artificiale.

Kompania Shell konfirmoi tërheqjen përfundimtare nga puset e Shpiragut. Fatkeqësisht nuk do të ketë shpime të mëtejshme dhe as një ‘mrekulli nafte’, siç gënjen Rama. Lajmi ishte konfirmuar thuajse zyrtarisht nga shmangia e këtyre muajve e Ramës dhe Ballukut, sa here qe gazetaret pyesnin për këtë çështje.

E vërteta është se shumë eksplorime në botë, të Shellit apo kompanive të tjera të mëdha, mund të dështojnë sepse e tille është industria e naftës dhe niveli i teknologjisë se përdorur. Por po kaq e vërtete është qe ne asnjë rast, asnjë kryeministër apo zv/kryeministër, ne asnjë vend te botes nuk dezinformon qëllimisht opinionin publik mbi rezerva nafte dhe pasurie te cilat ende nuk janë konfirmuar përfundimisht dhe zyrtarisht.

Ekzaktësisht ne 23 gusht te vitit te kaluar, Rama dhe zëvendësja e tij, deklaruan për shqiptaret se nafta e zbuluar ishte e cilësisë se me te mire e krahasueshme me atë të Arabisë Saudite, dhe se rezervat ishin ne nivelin e Norvegjisë. Sipas Ramës, pas një investimi qe do te shkonte te deri ne 7 miliardë $, shqiptaret do te përfitonin pasuri te paimagjinuara. Dukej sikur Rama dhe Balluku e kishin mbyllur me Zotin dhe Shell-in për puset e naftës dhe problem kishin si ti përdornim qindra e qindra milionë euro ne vit qe Shqipëria do te perfitonte.

Rama hodhi edhe nje ide ‘origjinale’: paratë e pafundme do t’i përdorte tek pensionet, rrogat, arsimin dhe shëndetësia. Ironike po ta mendosh se janë pikërisht këto sektorë ku qeveria ka dështuar sepse ka vjedhur në forma spektakolare.

Kryeministri dhe zëvendësja e tij duhet të kërkojnë minimalisht falje para publikut për gënjeshtrën stratosferike që servirën.

Deklarata e plotë e Ministrisë së Energjitikës dhe Infrastrukturës

Balluku: Procesi i kërkimeve për naftëgazmbajtjen në zonën e Shpiragut, si një ambicie strategjike dhe program afatgjatë i Qeverisë Shqiptare, nisur me miratimin e Kontratës me Ndarje Prodhimi në Korrik 2009, vazhdon me vështirësitë përkatëse si pasojë e formacionit gjeologjik tejet kompleks të nëntokës së kësaj zone.

Tanimë jemi në fazën kur është shkencërisht i provuar dhe i dokumentuar, zbulimi i një depozite të konsiderueshme prej 225 milionë barrelash rezervë nafte, si edhe një rezervë domethënëse gazi në nëntokën e Shpiragut.

Gjithashtu testet e cilësisë së naftës në këtë rezervë kanë dhënë një rezultat të shkëlqyer, me një gravitet që varion midis 35-37o API (American Petroleum Institute) ose e thënë ndryshe, një cilësi në thuajse të njëjtët parametra me naftën e vendeve avangardë në tregun e arit të zi.

Koha e finalizimi i procesit të nxjerrjes së kësaj sasie nafte për treg, kushtëzohet nga gjeologjia shumë specifike e nëntokës së Shpiragut dhe adoptimi i një teknologjie të veçantë për shfrytëzimin e rezervës, prandaj edhe kompania SHELL, specialistët e fushës, si edhe autoritetet shtetërore kanë qenë vazhdimisht të kujdesshëm për afatet kohore të nevojshme.

Por në kushtet e diziformimit të ditëve të fundit, nga mungesa e informacionit të nevojshëm apo dashakeqësia me frymëzim politik, del nevoja e nënvizimit publikisht të së vërtetës se kjo është një marrëveshje hidrokarbure në fuqi dhe se nuk ka asnjë mbyllje të kërkimeve në Shpirag, por ka vetëm kërkim për zgjidhjen e duhur teknologjike për vënien në shfrytëzim të një pasurie nëntokësore tanimë të zbuluar.

Është për të ardhur keq që me një ngut cinik disa burime dizinformimi kanë rendur të njoftojnë dështimin e kërkimeve në një prej vendburimeve më të rëndësishme të vendit tonë, duke u përpjekur të bëjnë politikë partiake edhe me këtë proces tërësisht teknik dhe qartësisht me interes kombëtar.

E sigurojmë opinionin publik, se Qeveria Shqiptare dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë vijojnë pa asnjë mëdyshje punën, në ndërveprim me kompanitë partnere për të bërë të finalizuar procesin e shfrytëzimit të naftës së zbuluar në zonën e Shpiragut, në pritje të lajmeve të tjera të mira në zona të tjera naftëmbajtëse në vend, ku ka të dhëna shumë inkurajuese.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?