SPRINT NEWS ALBANIA

Poezi

“Gratë psherëtijnë për ditët e vajzërisë”-Poezi nga Alban Bala

Po bëhemi gati të kthehemi në parajsë.
Parajsën e kemi brenda shpirtit
Si një pasqyrë ku u bë kohë që s’shihemi.
Të gjithë po kthehemi, së bashku, ngadalë,
Si dita që thyhet…
Na ka marrë malli për kohën kur asgjë nuk ishte
Aty ku e vumë: lapidar
Industrish të cuditshme që prodhojnë celik dhe njerëz të rinj,
Hekura, makina, fëmijë…
Tash vijën e qiellit e shkruan morsi i tymit,
Pallatet bëjnë hije përmbi gjelbërim,
Shtëpitë janë pemë ku zogj gojëkycur
Këndojnë dhimbjen e ndryshimit..
Por asgjë nuk e ndal kthimin tonë në parajsë
Pasqyrën e madhe e të thyer poshtë brinjëve
Ku hukat zemra sa herë që do të shihet.
Vec mendja jonë jeton në të ardhmen.
Cdo gjë tjetër flen përmbi harrim:
Gratë psherëtijnë për ditët e vajzërisë…
Në të shkuarën shkëlqen përfund edhe besimi
Se do të vijë një ditë prej ditëve të parajsës
Dhe do të na përfshijë si britma e fëmijëve
Do ta shpjerë në grykën e lumit, atje ku lind dielli
Ku njeriu i parë u pastrua dhe u vesh me dritë
Pastaj vendosi të ecë dhe u takua me hijen
Me hijen e tij të pandryshueshme, të mirë
Si kujtimi…
Po bëhemi gati të nisemi, të gjithë
Për në parajsën e premtuar të njeriut.
Zot shpëtoji ata që s’duan të vijnë…
E PARA MBETET FJALA…
Unë mendoj se të mendosh është një mendim shumë i fismë
Të gjesh se të vërtetat janë të vërteta për gjysmë.
Të flasësh duke heshtur është një urti’ perëndish
E të dridhesh nga dyshimi se të dish është shumë frikë…
Unë mendoj se të mendosh është një guxim pak i tepërt
Kur as vetja s’të pyet çfare do të bësh me veten…
Kur krejt bota të sheh si një pemë pa kurorë
Që lidh fryte në dimër e çel syth’ në tetor.
Por të mendosh në këtë mot është një lodhje e kotë
Humbje kohe pa grat’, ves i mbetur, një modë
Dalëboje, kjo jetë nuk të pret as të rrosh, as të shkosh,
Ti veç mund të jesh
Si kalliri pabukë me kokën perpjetë.
Të durosh një mendim që të lodh ditë e natë
Si ta shmangësh gjykimin e botës përqark
Se atëherë je i zi, je cinik, firaun
Nuk bën dot vend për njerëz e do mbesësh kërcu’…
Dhe krejt bota mbi shpinë ta fshik si kamzhik
Gisht e fjalë, helm e vrer. Atëherë ku të ikësh?!
Kur dhe emri të le e fati t’braktis
Ç’ka t’u desh të mendoje? Fjalën ta bësh pis?
Se deshe një vend ku ta lesh zemrën peng
E të rrosh pa u dridhur, rritur shtat e mend
Të flijosh djersë e shpirt, të këndosh lavd për Zot
E njeriun ta shohësh drejt ne sy pa pas’ ndoht…
Ku ta çosh një mendim që dhe ashtin ta bluan?
Një dëshirë që e fsheh dhe një frikë që e druan
Se të mendosh është një krim përballë gjithë njerëzisë
Që ka gjetur rehat, që nuk do të lafisë
E ta vuajë dyfish: trup e shpirt, gjak e lot…
Dora që s’kafshohet ndoshta s’puthet dot
Por shtrëngohet. Shtrëngohet sa damarët t’i plasin
E fati si gjaku per fyti behet lak…
E sado që të them se të mendosh është virtyt
Përsëri une mbetem një njeri i arsyeshëm
Që heshtjen ka cak si qefinin e bardhë
Por fjala… fjala ishte e para… E para mbetet
Fjala…
Të gjitha reagimet:

Luljeta Hazizaj Proko, Alban Bala dhe 50 të tjerë

Total 1 Votes
1

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?