Sipas analistit Andi Bushati, që publikon një koment në Lapsi.al, askush nuk ka pse habitet se përse socialistët kapën edhe një institucion më shumë.
“Deri këtu janë gjëra që dihen e stërdihen. Ndaj shpesh, diplomatët e huaj e vendosin veten në rolin e lolos, kur bëjë sikur nuk kuptojnë se ky është tashmë një realitet i pakthyeshëm.
Mjafton vetëm një shembull për ta ilustruar këtë. Po të shikoje lajmet e ditëve të fundit të binte në sy një fakt i çuditshëm. Ndërkohë që selitë diplomatike po përpiqeshin, të paktën me zë, ta pengonin kapjen e AMA-s, në mediat vendase nuk pikasej asnjë lloj note proteste, as një kritikë, madje as një thirrje për përmbajtje nga televizionet e mëdha dhe më pak të tilla. Pra përfaqësuesit e shteteve të tjera ishin më të shqetësuar se sa Klani, Top Channel, News 24 apo Vizion Plus, se arbitrin e tregut mediatik vendas po e caktonte Edi Rama,” shkruan Bushati.
Sipas tij, ambasadorët e huaj po duken përditë e më shumë qesharakë duke u sjellë sikur nuk e shohin që mbreti është lakuriq.
“Duke u hequr sikur ushtrojnë presion aty-këtu, sikur po ndreqin ndonjë gabim të bërë nga mungesa e përvojës demokratike, sikur po ruajnë vlerat e liberalizmit dhe liritë e pacenueshme, ata vihen në pozicionin e idiotit të dobishëm. Nga ky këndvështrim, Ambasada e SHBA-së, që as nuk u prononcua për këtë sprapsje të lirisë së medias, u tregua më serioze. Cinikë në pragmatizmin e tyre, siç dinë të jenë amerikanët, ata po demonstrojnë se lojës sikur jetojmë në një regjim demokratik, i duhet dhënë fund. Tani, me Edi Ramën, Shqipëria ka një dorë të fortë dhe çështja shtrohet vetëm nëse je pro, apo kundër tij.
Këtë e kuptuan së toku disa ambasadorë për këshillat e të cilëve lideri jo vetëm nuk pyeti, por i vuri edhe Taulant Ballën që t’i tallte”.