SPRINT NEWS ALBANIA

AnalizeShkrime

Haxhiu/ Edhe njëherë: Erion Veliaj duhet të dorëhiqet menjëherë!

Para pak orësh Erion Veliaj bëri një paraqitje të ethshme televizive duke i sulmuar egërsisht analistët televiziv me theks të veçantë.

I pushtuar nga frika e një procesi gjyqësor dhe ndenja e pakëndshme e nxënies me presh në dorë në një mal aferash korrupsioni, Veliaj nuk hezitoj të kursej cilësime fyese si ‘llum’, ‘maskarenj’, ‘interesaxhinjë’ e ‘njerëz të poshtër’ ndaj analistëve televiziv të cilët i kërkuan llogaridhënie politike për shpërthimin e skandaleve të korrupsionit në Bashkinë e Tiranës.

Kur presidenti amerikan Franklin Delano Roosevelt mbajti fjalimin e tij të famshëm mbi Katër Liritë më 6 janar 1941, ai vuri lirinë e shprehjes së pari.

Kryebashkiaku i Tiranës citon dukshëm presidentin amerikan pa e lexuar kurrë atë.

Pasi doli nga marrja në pyetje prej prokurorësh të SPAK-ut, për një ditë të tërë, kryebashkiaku i kryeqytetit ishte dukshëm në një gjendje konfuzioni.

Fillimisht i cilësoi disa herë prokurorët si “kolegët e tij”, më pas shpjegoi se ka bashkëpunuar me hetimin e inceneratorëve, duke iu referuar natyrshëm vetëm dokumenteve të qeverisë, sepse (deklaroi sërish) për punën e bashkisë, gjithçka është në rregull.

Por ajo që erdhi më pas ishte e pabesueshme.

Velijaj citoi Roosevelt duke thënë “Dua të gjykohem nga armiqtë e mi” dhe më pas sulmoi me dhunë të paparë një sërë gazetarësh dhe pronarësh mediash.

Jo vetëm që i ka fyer në grup, por i ka cituar një nga një, duke thënë se secili prej tyre ka bërë kërkesa në Bashki, duke paralajmëruar se të gjitha këto kërkesa do të refuzohen.

Në fakt, vizita e tij në SPAK dhe përfolja e shtuar publike e rasteve të korrupsionit brenda bashkisë është vetëm maja e ‘iceberg’-ut e një sistemi të frikshëm të vjedhjes sistematike, shkëmbimit të shërbimeve për interesave të ngushta dhe dhënies së favoreve ekonomike në këmbim të mbështetjes ekonomike të udhëhequr nga Erioj Veliaj.

Nëse ‘Lali’ në majë të skemave kriminale mendon se unë duhet ta kursej nga kërkesa dorëheqje edhe në kushte kur tërë të emëruarit e tij janë përfshirë në hetim mëse të merituar kriminal, atëherë ai nuk është thjeshtë gabim, sepse shembulli i punës sime për tridhjetë vite në gazetari dhe angazhime publike tregon krejtësisht të kundërtën.

Po ashtu, gënjeshtra e tij se unë i paskam kërkuar ‘sondazhe’ me çmime të ‘panevojshme’ nuk shpërfaq thjeshtë brendësinë e një njeriu paskrupuj dhe mashtruesi.

Fundja, unë me Erion Veliajn kam bërë vetëm biseda shumë sipërfaqësore në gjithsej dy apo tre takime për tërë jetën time, sepse mungesa e personalitetit moral dhe cektësia e tij politike kanë shkaktuar brenda meje vazhdimisht një dëshirë të papërmbajtshme për të qëndruar sa më larg tij.

Sidoqoftë, shpikja e tij se kritika e ime buron nga mospërmbushja e disa kërkesave për ‘sondazhe’ me ‘çmime të panevojshme’ shpërfaq nënvetëdijen e korruptuar të të parit të kryeqytetit të Shqipërisë.

Një fabulë e tillë buron nga një mendje, e cila edhe në nivelet më të skajme të gënjeshtrës, nuk mund të përfytyroj se kërkesa për dorëheqje vjen nga motivi i thjeshtë për llogaridhënie demokratike, mundësim të një hetimi pa presione institucionale dhe përgjegjësia politike nën kushte të një skandali të jashtëzakonshëm publik.

Këto nocione janë krejtësisht të huaja për një padinjitet si Veliaj sepse i tërë botëkuptimi i tij politik është transaksional: blerje dhe shitje e mbështetjes politike me shërbime e favore të ndryshme nga bashkia e interesave të tij.

Po ashtu, përfundimi i tij se unë jam një njeri i përzënë nga Kosova tregon më shumë sesa një pasaktësi faktike.

Unë vijoj të punoj pa reshtur në Kosovë e Shqipëri jo vetëm për t’i dhënë shtysë së mëtejme zhvillimit të gazetarisë mes dy vendeve por edhe duke shërbyer si një qytetar i angazhuar.

Në Kosovë, unë jam sulmuar për motive politike nga një parti në diskreditim e sipër si VV-ja e Albin Kurtit, gjuha helmuese e së cilës ka dhënë rezultatin e dhimbshëm për stërkeqjes mes marrëdhënieve ndër-shtetërore mes Kosovës e Shqipërisë, përçarjes së shqiptarëve në Preshevë, Maqedoni të Veriut dhe zvogëlimit të mbështetjes për një numër kërkesash kombëtare për shqiptarët në Mal të Zi.

Sido që të jetë, sot duket krejtësisht e qartë se sulmet e tyre të vrazhda në masë të madhe kanë qenë të motivuara për fshehje të përfshirjes së vetë atyre në skema mafioze.

Derisa dikur ata drejtonin gishtin kah unë si një prej udhëheqëseve të mafisë energjetike të GEN-it, sot janë pikërisht eksponentët e VV-së të cilët hetohen për shpërdorim të milionave me po të njëjtën kompani.

Me këtë logjikë, Veliaj është përzënë nga Kosova jo vetëm në dhjetëra fletërrufe politike që ka shkruar dora e shthurur e propagandistëve të partisë, por edhe në rastin kur Kryeministri i Kosovës i mbylli derën e zyrës së tij në mes të Prishtinës.

Vetë Veliaj dënonte gjuhën e përbaltjes të të njëjtit subjekt duke vepruar sipas praktikës politike të ‘djalit të Fahriut’ apo ‘suflerit të Orjolës’ në Tiranë.

Pse Veliaj përdorë saktësisht të njëjtën logjikë ndaj meje?

Më kryesorja është se Veliaj është politikisht i zbrazët, njeri pa mendim personal dhe identitet politik.

Sjellja e tij nuk ndikohet prej asnjë pikëpamje ideologjike por krejtësisht prej nevojave për mbijetesë në rrethana të ndryshme politike.

Ai mund ta dënoj sot gjuhën e përbaltjes dhe nesër ta kultivojë atë, ai sot mund ta mbështet politikën e përafrimit Kosovë-Shqipëri dhe t’i fryej erës së përçarjes mes dy vendeve, ai mund të jetë sot në favor të politikave rajonale të Shqipërisë dhe nesër kundër tyre, varësisht nga efekti i mundshëm elektoral dhe interesi i tij financiar.

Në mungesë të një identiteti vetanak politik, Veliaj vë në përdorim një ligjëratë krejtësisht jokoherente politike të mbushur me plot kundërthënie dhe standarde të dyfishta. E rëndësishme mbetet gjithsesi se kjo valë akuzash e ofendimesh të shfrenuara është edhe një instrument politik në duart e një njeriu në situatë të dëshpëruar.

Ai përpiqet që ta pakësoj vlerën e kërkesës së drejtë për dorëheqje duke zvogëluar besueshmërinë personale të personave prapa kësaj dorëheqje.

Kjo megjithatë mbetet asgjë më shumë sesa një teknikë e dobët propagandimi e një njeriu të dyzuar mes show-it të shndritshëm të Instagramit dhe botës së errët të krimit të organizuar.

Mirë, Erion, e zëmë për një çast se të gjithë ne jemi edhe të poshtër, edhe maskarenj dhe asgjë hiç më shumë se një llum.

A e ndryshon kjo faktin se një kryetari të cilit i bien të gjithë drejtorët me rëndësi në një proces gjyqësor për skema kriminale, një figure politike e cili po ashtu është nën hetim nga SPAK dhe njeriu kryesor në krye të aferës së djegësëve duhet dhënë dorëheqje në një shoqëri të mirëfilltë demokratike? Aspak.

Në fakt, dorëheqja është më e pakta sepse në një rrethanë normale do ishe prej kohësh i mbyllur në një hapësirë të ngushtë pas grilash.

Prandaj, në vend të luftërave shterpe për tërheqje të vëmendjeve të audiencave të militantëve patronazhistë, është më e udhës që diskutimi për këtë çështje të ndodhë brenda një kornize demokratike, sado e vështirë të jetë një ndërmarrje e tillë për ty.

E vështirë është, natyrisht, edhe të përplasjes pas shembullit të Saimir Tahirit, nga një artist i politikës së rrjeteve sociale me ëndrra të pambështetura për tu bërë një yll i politikës kombëtare, në një emblemë të stërkeqjes morale me shume pak kontribute përmbajtjesore në sferën publike.

Asnjëherë se ke fituar asnjë garë politike.

Edhe diçka për fund.

Për mua që shkruaj ndër të tjera u qortova se kisha ardhur në Shqipëri, sepse isha dëbuar nga Kosova.

Në të njëjtën kohë, stafi i tij nga Bashkia ka shpërndarë një postim me fytyrat e gazetarëve të cituar: një listë e vërtetë eliminimi.

Mua që shkruaj nuk më pëlqen të flasë për veten time, por kryetari duhet ta dijë se ne shqiptarët e Kosovës i kemi rezistuar shumë persekutimeve dhe diskriminimeve të tjera, kemi jetuar një luftë.

Dhe ju gjithashtu mbani mend që ne e fituam atë.

Tani pyesim veten nëse një njeri që tregon një respekt kaq të ulët për mediat e vendit të tij dhe që shkon aq larg sa i kërcënon publikisht ato, duhet të lejohet të qeverisë kryeqytetin e një vendi që dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

Përsa i përket bashkëpunëtorëve të drejtësisë.

Kur Tommaso Buscetta u pendua dhe filloi t’i tregonte gjykatësit Falcone për organizimin e Cosa Nostra-s, ai pushoi së qeni mafioz.

/AlbanianPost.com

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?