Analize

Nga Leon Mirakaj/ Një burrë i keq e një Historian i mbrapshtë.

Dje, me datë 28 mars 2018, në emisionin “Arena” të drejtuar Dritan Hila, i ftuar mes të tjerëve ishte edhe historiani Pëllumb Xhufi. Ky i fundit, në argumentimet mbi historinë e kampit të shfarosjes së Tepelenës, ngritur nga regjimi komunist mes viteve ‘40-‘50 deklaroi se: «Ky kamp nuk ka qenë aspak shfarosës dhe ka pasur ambiente goxha të mira (jetese)», dhe duke vazhduar më tej, justifikoi ekzistencën e këtij kampi me faktin se “shumica e personave që ishin aty, qenë familjarë të personave që sponsorizoheshin nga jugosllavët për veprime sabotuese në territorin shqiptar”. Me pak fjalë, “fajet“ e baballarëve, duhet të hidheshin mbi fëmijët e gratë e tyre… sepse, historiani në fjalë nuk tha se “kriminelët“ e mbajtur aty ishin: gra, plaka e fëmijë.
Personalisht kam pasur aty stërgjyshen 70 vjeçare, gjyshen 25 vjeçe, nuset e xhaxhallarëve të tim eti, nga 26 vjeç secila e fëmijët e tyre, babai 6, xhaxhai 4, hallat 10 e 12 , xhaxhai tjetër 7 vjeç.
Po njësoj ishin në përbërjet e tyre edhe mjaft familje të tjera të internuara. Pra, siç kuptohet, vetëm nga një person që dëshmon personalisht, “kriminelët“ paskëshin qenë fëmijë 04-12 vjeç!
Ky fakt, – më se i verifikueshëm nga një historian, që do të japë mendje mbi argumentin, – do të mjaftonte ta bënte të heshtë Xhufin. Jo, jo vetëm nuk heshti, por u tall me ta e me numrin e viktimave të atij kampi famëkeq. Pyetjes së drejtuesit të emisionit se: “në kamp mos gabohem kanë vdekur 300 fëmijë”- Xhufi, si i pickuar nga zekthi deklaroi: ”aspak e vërtetë”. Siç duket, për Xhufin, vdekja e fëmijëve, që të përmbushë statistikën, u dashka të jetë më shumë se 301!
Indiferenca e panelit ishte më se e justifikuar. Nuk kish kush ta kundërshtonte. Krasniqi!? E pse!? Milo? E ç‘punë ka ai nëse shqiptarët vriten ndër veti!? Xhufi, ky historiani padenje për këtë emër, harron të thojë që, nëse do të vlente arsyetimi i tij kriminal që fëmijët duhet të paguajnë atë që baballarët kryejnë, nuk duhet të kishte në krah të shoqen e cila, me gjithë të atin, duhet të ishin me kohë në atë botë, duke qenë se i gjyshi (një burrë i nderuar) kish qenë “kolaboracionist”. Po ashtu, i ati i Xhufit duhet të çonte Pëllumbin me duart e veta te xhelati, duke qenë se si komunist i një partie të formuar nga jugosllavët, duhet të ishte po aq i rrezikshëm, sa edhe krijuesit e atij kampi, sepse ishin bashkëpunëtorë me jugosllavët.
Pra Xhufi nuk duhet të ishte tani në këtë dynja. Qoftë nga një bombë e ngelur e ushtrisë italiane, si ato u mori jetën dhjetëra fëmijëve në atë kamp, nga dizanteria, apo pisllëku ku jetuan, të ftohtët dhe e pangrëna që mori qindra të tjerë, do kishin qenë “xhelati“ që priste me kosë mbas dere, edhe Xhufin e vogël. Por nuk ndodhi ashtu. Partia e krijuar nga jugosllavët, e stërvitur për të masakruar nacionalistët shqiptarë (mes tyre edhe gjyshin e gruas së Xhufit) gra e fëmijë, e bëri Xhufin historian, e nxori në perëndim dhe na e solli të bëjë historinë e vendit. Kështu kemi vite që jemi të detyruar të lexojmë historinë e shkruar nga ai e historianë të tjerë si ai, e të shohim Xhufin me krehje alla-Hitler që na del në Tv çdo natë.
Nuk dua t’u shpjegoj “xhufkave pa zero” me shokë se ç’qe kampi shfarosës i Tepelenës, apo kampet e tjera famëkeqe në Shqipëri, e as ç’qe komunizmi që patëm mbi kurriz për 45 vjet. Një baba, ka një vajzë në mos gabohem, që deklaron se nuk qe shfarosës sepse u vranë 100 e jo 300 fëmijë e që këta fëmijë e meritonin vuajtjen sepse paskan qenë të “pazotë” të ndalonin baballarët, të mos merreshin me sulme kundër pushtetit. (Një sqarim të vogël për këtë burrë të shkurtër e mashkull të keq: kur u internuan prindërit e mi dhe shumica e bashkëvuajtëseve të tyre, vitet ‘45-‘48, jugosllavët ishin dajot e Xhufit, në mos baballarët e tij) nuk meriton asnjë konsideratë t’i drejtohesh.
Shkrova këto rreshta për dy arsye: e para, këtë vit u vendos nga qeveria, Autoriteti për informimim mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe nga bashkia e Tepelenës, krijimi i një memoriali në kujtim të qindrave jetëve të humbura nga sadistët komunistë në ketë kamp. Pra, është absurde që një veprim kaq i drejtë edhe i vonuar i qeverive tona, të poshtërohet pikërisht nga një historian të cilit i është dhënë e drejta, po nga qeveria, të jetë pjesë e grupit që do të hartojë tekstet e shkollave tona për historinë.
Dhe e dyta, padrejtësitë e atij regjimi ishin krejt paradoksale. Le të hamendsojmë se Xhufi, si bir komunisti do të qe dënuar në atë kamp, – duke mos qenë i aftë të ndalonte babanë të mbështeste jugosllavët, – do kishte ngordhur (për të është me hak kjo shprehje) nga dizanteria në atë kamp. Në këtë rast, ne do të kishim një mashkull te keq më pak dhe një vend të lirë më shumë mes intelektualëve e historianëve për të bërë një histori tonën normale e të vërtetë.
(lm)

Ps:. Ne fajt, duhet te jemi ne qe te merremi me Xhufin e shoket e tije .Te bejm ate qe ende s’eshte ber: denimin e krimeve te komunizmit me ligje e shpalljen fajtore.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?