SPRINT NEWS ALBANIA

ShkrimeTe tjera

Nga Zhaneta Barxhaj/ A ndërrojmë një duhan zotëri

Stop pirjes së duhanit! Duhani dëmton rëndë shëndetin! Duket sikur bota e gjithë është sulur kundër duhanit. Nuk di në është sulur kundër duhanit apo kundër vetvetes arkaike në emër të modernitetit kokainë. 
Dikur, kur në këto anë rriteshin burra të pashëm, të gjatë, me vetulla të trasha e trupin gjithë lesh, pirja e duhanit ishte një akt jo vetëm burrërie, por edhe fjale. Nuk kish syresh një burrë që nuk mbante në xhepat e potureve një tarabosh duhani edhe kur nuk e pinin. Edhe Gjinos së vogël, teksa e burrëronin me pahir i rrasën cigaren në gojë dhe kutinë e duhanit në xhep, që ta kish për t’u dhënë burrave kur të shkëmbeheshin sokaqeve. Por, edhe gratë mblonin në futat e tyre duhan, e uleshin praqeve dhe e dridhnin.

Madje kur shkonin nuse, nëse e pinin duhanin, në pajën e saj vendosej një kuti duhani i grirë dhe gjithë aletet e tjera, për t’i treguar krushqëve që ja kanë dhënë më vete pirjen e duhanit, si një akt force, pa kurrëfarë marrie apo paragjykimi. 
Më kujtohen të gjitha këto tek shoh të stampuar mbi paketën time, duhani dëmton ju dhe të tjerët përreth, thua se këtu sillet gjithë e keqja që na fundos pak nga pak si një grop thithëse mbushur me baltë e zaje!

Në këtë përsiatje më vinë ndërmend burrat që e përcillnin këtë traditë nga shekujt më parë, me gunat mbi supe, mustaqet e dredhura si fijet e duhanit ngjyrë ndryshku, tirqet e opingat me xhufka, duke ecur nëpër rrugicat e ngushta me duart kryqëzuar pas. Atëherë nuk kishte telefona për t’u molloisur gjithë ditën me llafe boshe. Nuk kishte kafene të orëve të vona si turqit, që të dystoheshe e të bjerrje kohën si diçka pavlerë, ishte vetëm adeti i daljes në sokak me një kuti duhani në xhep. Të gjitha gëzimet, hidhërimet, kuvendimet për marrje vendimesh dhe zgjidhje konfliktesh, përmblidheshin në togfjalëshin magjik “ A ndërrojmë një duhan zotëri”. Kjo frazë ishte si tymi i bardhë i konklavës, që kërkonte respekt dhe maturi. Kjo fjalë nënkuptonte se duhej biseduar, duheshin ndërruar disa mendime ballë për ballë.

E kështu në atë ritualin e shkurtër të nxjerrës së kutisë, mbushjes së fletës së hollë me duhan të grirë imët, që shpesh ishte fletë duhani , rrotullimi dhe mbështjellja me gishta gjithë seriozitet, bëheshin ngadalë e duke folur e peshuar fjalët që dilnin nga gojët shpesh të fshehura edhe nën mustaqe. I gjithë mozaiku i veprimeve, sytë herë poshtë e herë duke vështrur bashkëbiseduesin, ndihmonin në renditjen dhe qartësinë e mendimeve, në maturinë e fjalëve që thuheshin, sepse fjala e nxjerrë kish tjetër peshë për ata burra. 
Kështu i zgjasnin tjetrit duhanin e sapo dredhur dhe e ndërronin me duhanin e tij. Ky gjest fare i vogël, tregonte respektin e ndërsjelltë, dashamirësinë, vlerësimin dhe vëmendjen ndaj njëri – tjetrit. Ishte besimi i shprehur në marrjen dhe dhënien e cigares, si në një skenë me efekte të ngadalësuara.

Më mahnit ky rit i sjellë nga kohërat, ku burrat hijerëndë dukeshin si një ansambël epik nxjerr prej mitologjisë. Dhe pikërisht kjo shprehje fjalë pakët merrte një peshë të madhe kur dilte nga gojët e tyre, duke u veshur një parzmore hyjnore, ani pse ishin të veshur me guna të dhirta.
“ A ndërrojmë një duhan zotëri” ishte kodi i tyre dhe gjatë kësaj kohe, deri sa fikej në thithjen e fundit duhani i ndërruar, ishin thënë të gjitha. Drejt në sy, pa intriga, pa kurthe, pa thikë mbas shpine, por ashtu trimërisht e mira dhe e liga thuhej në sy e për sy, bashkë me tymin që dilte hundëve dhe gojëve, për të ngrohur atmosferën që ngrinte pezull ato 5 minuta. Sa dua t’i them tim biri kur të rritet e burrërohet “A ndërrojmë një duhan zotëri” dhe në ato 5 minuta t’i flas për rëndësinë dhe bukurinë e këtij rituali, në të qënit burrë, në të qënit njeri, në bukurinë e respektit ndaj tjetrit, që në këto fjalë të vogla, shprehet me kaq madhështi.

Hajde pra, të ndërrojmë një duhan zotëri dhe bota do jetë më e thjeshtë, më e bukur, rrethuar me magji si tymi që nxjerr goja ime, si tymi që përcjellë goja jote. E shkuara jonë identitare, ashtu siç është e mbushur me plot gabime, dështime etj, është e mbushur edhe me mjaft vlera të vyera që po zhduken , po treten në mjegullën e asaj që iku. Pas kësaj skene të magjishme më vjen ndërmend edhe shprehja e B. Franklin “ Dinakëria dhe tradhëtia janë praktika të budallenjëve, të cilët nuk kanë mjaft tru për të qenë të ndershëm”. Dhe kuptoj që kohët janë ndarë vërtet si me thikë pikërisht në momentin kur humbi dhe nuk u përdor më shprehja “A ndërrojmë një duhan zotëri?! Dhe sipari i budallenjëve u hap e vërshoi ngado…
Në sy vazhdon të më vërtitet tabela “ stop duhanit”.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?