Aktualitet

Ruçi kundër Ramës. A thua kërkon të hakmerret për shkarkimin e Tahirit nga Tepelena?

Pas shkarkimit të  Saimir Tahirit nga ministër i brendshëm  në selinë rozë nuk janë kaq qetë punët siç mundohen ti pasqyrojnë në publik. Praktikisht Edi Rama ndodhet nën një sulm total nga grupi i Saimir Tahirit dhe Gramoz Ruçit, të cilët praktikisht kanë punuar dhe vazhdojnë të jenë kundër koalicionit me LSI e Metës. Saimir Tahiri ka njëfarë të drejte, pasi iku pa lajmëruar e kujtuar, si dhe tashmë i zbehen shumë kuotat për të marrë PS-në kundrejt rivalit që buzëqesh duke punuar, Erion Veliaj. Nga njëra janë Edi Rama, Erion Veliaj, Arben Ahmetaj dhe një numër i madh ministrash e deputetësh, të cilët shikojnë qetësisht dhe qartë se pa LSI nuk mbahet pushteti dhe as nuk fitohet, kurse nga ana tjetër kryesimin e grupit antiMeta e mori sot në Fier pikërisht Gramoz Ruçi. Me sa duket nuk duruan dhe filluan sulmin ndaj LSI, por në thelb janë kundër Edi Ramës, pasi Ruçi dhe Tahiri nuk kanë se ç’të humbasin më. Konkretisht kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi në një takim në Libofsh të Fierit ka folur për koalicionin me LSI-në dhe për zgjedhjet e 18 qershorit.

Ruçi ka thënë prerë se LSI-ja nuk është faktor për futjen e socialistëve në zgjedhje, duke thënë se me ose pa LSI-në Partia Socialiste do hyjë në zgjedhje.

“Me ose pa LSI-në, PS do futet në zgjedhje si forcë fitimtare. PS është e vendosur për tu futur në zgjedhje. E kemi shprehur që duam të jemi në koalicion me LSI-në në të ardhmen. LSI-ja nuk ka folur për këtë gjë. Opozita e ka marrë përgjigjen nga SHBA-ja, Merkel” mësohet të ketë thënë Ruçi.

Por nga burime shumë të besuara mësohet se Edi Rama ka porositur jo vetëm Endri Fugën, por edhe krejt deputetët dhe ministrat që kuptojnë nga matematika zgjedhore se nuk duhet të thuhet asnjë fjalë kundër Ilir Metës dhe LSI, derisa të firmoset koalicioni. Duke e ditur se LSI akoma nuk po vendos për koalicionin dhe praktikisht mbetet në dilemë, por me shumë anon nga vazhdimi i koalicionit, ndonëse çadra ka prishur paksa humorin; grupi kundër shkarkimit të Saimir Tahirit godet Ilir Metën dhe LSI. Pra dalin parimor në gjirin e socialistëve, por praktikisht iu heqin karriken e pushtetit.

Duke e lidhur deklaratën e sotme të Gramoz Ruçit me atë të Saimir Tahirit para një jave ku ai tha se “koalicionin e duam me shqiptarët, por jo me një parti…..” dhe bëri insinuata ndaj Ilir Metës, kuptohet se grupi “Ruçi-Tahiri and co” duan të ndajnë Ramën me Metën. Duke sulmuar Metën ata hanë me kollaj Edi Ramën. Saimir Tahiri është krejtësisht kundër koalicionit me LSI. Dhe si për të parë grupimet shikohet hapur se Erion Veliaj flet, thotë dhe punon për një koalicion të padiskutueshëm me Ilir Metën.

Grupi anti LSI në fjalë pasi spostoi Ben Blushin dhe palosi Koço Kokëdhimën, i është turrur vetë kryeministrit Rama. Kryeministri u ka prekur grupin me shkarkimin e ministrit!

Edhe këtu dallohet se cili ka shanset për të marrë kreun e PS-së, kurdo që Edi Rama e dorëzon karriken e kryetarit të selisë rozë. Erion Veliaj mbetet një hap para Tahirit.

Spiten Prulli

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?