SPRINT NEWS ALBANIA

AnalizeShkrime

Më keq se diplomatikisht skandaloze për zonjën Kim dhe ambasadorët e SHBA-ve

Nga Preç Zogaj

Para pak ditësh, pothuajse në gjithë harkun mediatik të vendit u njoftua lajmi i nderimit të ambasadores së SHBA, Juri Kim, nga kryeministri Edi Rama me Yllin e Madh të Mirënjohjes Publike me rastin e përfundimit të mandatit dhe largimit të saj nga Shqipëria.

Njoftimet në tërësi ishin të paqartë në lidhje me atë se a kishte një ceremoni reale apo jo, a ishte e pranishme zonja ambasadore, çfarë tha nëse ishte e pranishme, a e ka pranuar nderimin në fjalë.

Nuk besoj se zonja Kim nuk do të thoshte dy fjalë nëse do të kishte pasur vërtetë një ceremoni. Mediat do t’i kishin përcjellë me siguri fjalët e saj. Fakti se nuk është parë e dëgjuar të thotë ndonjë gjë përforcon hamendjen se nuk ka pasur një ceremoni zyrtare të denjë për rangun e ambasadores së SHBA dhe për vetë Yllin e Mirënjohjes. Fakti tjetër se gjithë hapësirën e lajmit e zuri një tekst i zotit Rama, postuar në rrjetet sociale, e përforcon edhe më tej hamendjen se nderimi i ambasadores është improvizuar prej kryeministrit në ecje e sipër apo në fluturim e sipër, a thua e mori vesh me vonesë se zonja Kim po largohej, ose i kishte dalë nga mendja ndërkohë që ishte në një vizitë të shkurtër jashtë vendit.

Rama dhe zonja Xhaçka, ministria e Jashtme e qeverisë së tij, kishin që në dhjetor të vitit të shkuar që po ia numëronin ditët zonjës Kim. Nderimi i saj nga kryeministri ndërkohë që ajo mund të ishte larguar nga Tirana, ngjan të jetë menduar qëllimshëm si një nderim në distancë, në mungesë të saj, edhe për të bërë public relations (propagandë në gjuhën e vjetër), edhe për t’ia lënë gjithë skenën oratorisë së tij.


 

Në të vërtetë thelbi, për të mos thënë gjithçka në këtë ngjarje midis reales dhe të qenët “fake” është pikërisht teksti i zotit Rama. Në stilin vetëpërkedhelës të politikanit atipik që vjen nga artet, ai e quan atë tekst “diplomatikisht skandaloz”, në kuptimin që thotë të vërteta që nuk ia lejon gjuha diplomatike. Kjo është një klishe që zakonisht përdoret për të mbuluar kufizime dhe sjellje ekzibicioniste. Gjuha diplomatike i lejon të gjitha. Pyetja që i shkon në mendje gjithkujt është: “Pse u dashka, pse të mos e evitonte nëse e mendon diplomatikisht skandaloze”?

Në fakt aspekti skandaloz i tekstit të Ramës nuk janë as të vërtetat që “rebelojnë” nga gjuha diplomatike, as englendisjet mendore tipike në sferat ku retorika si lojë fjalësh pretendon më shumë se kultura që e ushqen. Janë pohimet për protagonizmin si fatalitet, pra si sëmundje të ambasadorëve të SHBA në Tiranë. Jo vetëm të zonjës Juri Kim, por edhe të paraardhësve të saj, madje dhe të pasardhësit të saj që pritet të vijë, i cili do të bjerë edhe ai “në kurthin e ëmbël të Shqipërisë”, siç parasheh kryeministri.

Cili është “kurthi i ëmbël i Shqipërisë”? Sipas Ramës është ajo që “çdo ambasador amerikan trajtohet kudo ku shkon si mik i rënë nga qielli, e për rrjedhojë fatale bie brenda dhe ndjehet si një Zot në tokë, i cili duhet të jetojë e të veprojë në emër të popullit shqiptar, të bëhet jo vetëm zëdhënësi i halleve të tij, po edhe luftëtari që për llogari të tij përleshet me padrejtësitë, fshikullon të pushtetshmit, godet të paudhët…”.

Është vërtetë se duke qenë SHBA vendi që ka bërë më shumë për Shqipërinë dhe kombin shqiptar dhe superfuqia që garanton lirinë , demokracinë dhe sigurinë tonë si vend anëtar i NATO-s, ambasadorët dhe diplomatët amerikanë respektohen e nderohen apriori, me shumë se të tjerët në Shqipëri. Mirënjohja për ta është pikësëpari mirënjohje për SHBA. Por është absurde dhe madje fyerje për këta ambasadorë të mendohet se ata bien brenda, lajthisin nga lajkat dhe adhurimi, ndjehen të gjithëpushtetshëm, vetëkurorëzohen në provincën tonë të vogël dhe fillojnë fshikullimet e të paudhëve si të ishin Don Kishotë.

Opinioni se Shqipëria e vogël u zgjon delire prej personash të plotpushtetshëm dhe se si të tillë ata harrojnë kush i ka sjellë e pse janë këtu dhe fillojnë të ndjekin axhenda personale, qarkullon rëndom në dy nivele në shoqërinë shqiptare: së pari në nivelin e politikanëve të mbrapshtë e të korruptuar që pengohen nga SHBA të bëjnë çfarë të duan dhe gjykohen negativisht prej tyre për të këqijat, shkeljet, korrupsionin, aktet e tyre antidemokratike.

Këta s’kanë çfarë t’i bëjnë kalit dhe i bien samarit, siç thotë një shprehje popullore. Së dyti, por që deri vonë nga niveli i parë, nga një kategori trushplarësh që zakonisht janë viktima të narrativave politike spekulative. Në paragrafin e tekstit të tij të cituar më lart zoti Rama rezonon edhe me vulgun, edhe me kolegët e tij “sovranistë” në majat e politikës, ku shquhet Berisha. Është bërë si ata. Ndaj predikon si ata se ambasadorët bien si gallofë në kurthin” e ëmbël” të Shqipërisë dhe fillojnë e sillen si guvernatorë fuqiplotë! (Nuk ka qenë nevoja të përmendë termin” guvernatorë”, fjala kumbon vetë mes rreshtave).

As Rama nuk do të kuptojë ose nuk i konvenon të kuptojë tani që ka problemet e tij të mëdha me SHBA, sidomos pas skandalit “McGonigal”, se përveç marrëdhënieve shumë të ngushta të karakterit strategjik midis SHBA dhe Shqipërisë, të vendosura me vullnet të plotë nga të dy vendet, protagonizmin e ambasadorëve amerikanë në Shqipëri e prodhojnë pikësëpari problematikat e mprehta të demokracisë në Shqipëri. Përkundrejt të cilave SHBA është angazhuar në vijën e pare si asnjë vend tjetër, drejtpërsëdrejti nga Uashingtoni dhe përmes ambasadorëve të tyre në Tiranë.

Lista e krizave, konflikteve dhe problemeve të renda që ka përjetuar Shqipëria dhe ku është dashur ndërhyrja dhe ndihma vendimtare amerikane është e gjatë: që nga kriza e vitit 1997, te përballja me kriminalizimin e jetës politike dhe publike, te reforma në drejtësi që vuri në shënjestër pandëshkuesmërinë në sferat e larta, e tjerë, e tjerë. Nuk ka dyshim se nëse Shqipëria do të kishte një demokraci normale të lirive dhe sundimit të ligjit, ambasadorët amerikanë në Tiranë do të mbanin lumturisht për veten e tyre profilin e respektuar, pa shumë telashe, të homologëve të tyre në vendet e tjera të Europës.

Ata zbatojnë politikën dhe qëndrimet e shtetit amerikan në Shqipëri. Kjo është e vërteta, të cilën e kemi parë të provohet në operandin e shumicës së ambasadorëve, sipas problematikave dhe përparësive të periudhës konkrete, që u korrespondojnë direktivat përkatëse nga Departamenti i Shtetit. Kështu edhe ambasadorja Juri Kim, operandin e së cilës zoti Rama zhbalancohet ta lexojë kryesisht si manifestim të natyrës së saj apo të protagonizmit të saj personal, pa u thelluar apo duke u kaluar përciptazi jo vetëm faktit se asnjë ambasador nuk del dot nga kuadri i saj që i kërkohet nga qendra, por edhe veçorive që përcaktuan mandatin e zonjës Kim. Ku mund të përmendim disa syresh që dalin e teprojnë për ravijëzimin e një mandati pa precedent: Siç është për shembull fakti që asaj i ra shorti të ishte ambasadore në Shqipëri në periudhën kur sekretari i Shtetit, Blinker shpalli non grata Sali Berishën me gjithë pasojat që ky akt ka krijuar në gjirin e opozitës shqiptare.

Kam shkruar shpesh për ketë temë e nuk dua të zgjatem, por e shoh të arsyeshme të përsëris se zonjës Kim dhe kujtdo në vend të saj do t’i kërkohej siç iu kërkua nga Departamenti i Shtetit të sqaronte për publikun dhe për demokratët në Shqipëri qëndrimin e SHBA ndaj personave të dizajnuar dhe ndaj subjekteve politike që drejtohen nga persona të dizajnuar. Duke dhënë ajo e para shembullin e mbajtjes së këtij qëndrimi. Se sa pak ose aspak personale janë edhe në këtë pikë qëndrimet e ambasadorit që iku do të kuptohet nga qëndrimet e ambasadorit që vjen. Don s’don, duke portretizuar një Juri Kim si protagoniste që nuk i zë vendi vend, zoti Rama rimon me pretendimet e Berishës kundër saj. Nuk është për tu habitur. Ja përse:
Zonjës Kim i ra shorti gjithashtu të vinte në Shqipëri në periudhën kur edhe pas ngritjes së institucioneve të reja, drejtësia e re si një prioritet absolut dhe si premtim i SHBA për popullin shqiptar, po ndeshte në vështirësi dhe pengesa të shumta për tu nisur. Asaj iu desh të ekspozohej për t’u dhënë kurajë prokurorëve e gjyqtarëve të hetonin dhe dënonin banda dhe zyrtarë të lartë. Përkulja e historisë nga drejtësia ishte dhe mbetet sfida e politikës amerikane kundër korrupsionit në vendin mik, për fat të keq nga më të korruptuarit në rajon. “ Askush mbi ligjin”, ishte dhe mbetet deviza amerikanë në këtë rrafsh.

Ambasadori amerikan e mishëron këtë sfidë në arenë. Në dinamikën e përpjekjeve të zonjës Kim pengesat nxorën në pah se e keqja që duhej te mposhtë reforma në drejtësi ishte dhe është më e madhe se sa ka qenë menduar në fillim. E reja gjatë mandatit të saj ishte identifikimi i sabotimit të drejtësisë edhe nga ata që ishin vetëreklamuar si kalorës të saj. Kjo doli në dritë për publikun e gjere me shkuarjen e bujshme dhe domethënëse të zonjës Kim në seancën për zgjedhjen e kryetarit të ri të SPAK, zotit Dumani.

Ky është momenti kur ambasadorja, domethënë SHBA dhe kryeministri shqiptar vendosen në dy skajet e litarit në lidhje me atë se si duhet të jetë SPAK dhe drejtësia e re. Vjen pastaj skandali “McGonigal”, por këtu ambasadorja nuk ka rol, as punë, duke qenë ai një skandal në hetim në SHBA. Por vraga në marrëdhëniet e Ramës me ambasadoren dhe SHBA ishte formuar tashmë. Ai nuk mund ta mbante pa dëshmuar një paturpësi të skajshme tekstin e tij diplomatikisht skandaloz në prani të ambasadores. Përtej fjalëve të bukura dhe eulogjisë për balancë, teksti nuk e shmang dot shijen e kthimit të një restoje në mungesë dhe, vetvetiu, të një fyerje të dytë ndaj SHBA. Pas së parës kur i pat shkuar nëpër mend t’i kërkonte zyrtarit të FBI-së, zotit McGonigal një shërbim kundrejt pagesës nën dorë.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?