SPRINT NEWS ALBANIA

Aktualitet

SPAK: Nuredin Dumani nuk ka deklaruar asnjë të dhënë në lidhje me Presidentin Ilir Meta

SPAK nëpërmjet një njoftimi për mediat ka reaguar për deklaratat e bëra mbrëmjen e së enjtes, në studion e Opinion nga gazetari Artan Hoxha, se Nuredin Dumani kishte përmendur emrin e Presidentit Ilir Meta si porositës të vrasjes së vëllait të një deputeti në qytetin e Lezhës në vitin 2017.

“Në lidhje me deklarimin e gazetarit Artan Hoxha për sa i përket të dhënave të pretenduara si të deklaruara nga shtetasi nën hetim Nuredin Dumani për Presidentin e Republikës së Shqipërisë, të transmetuar në televizionin Kombëtar “Klan”, në emisionin “Opinion” të datës 02.06.2022, sqarojmë opinionin publik se::

Në deklarimet e dhëna në kuadër të procedimit penal nr.75/2022 që po heton Prokuroria e Posaçme, shtetasi nën hetim Nuredin Dumani, nuk ka deklaruar asnjë të dhënë në lidhje me Presidentin e Republikës së Shqipërisë.

Duke marrë shkas nga ky rast, si dhe duke mbajtur në konsideratë edhe trajtimet që i janë bërë deklarimeve të shtetasit Nuredin Dumani në emisione të ndryshme televizive, ftojmë mediat që të jenë të kujdesshme, të mbajnë në konsideratë ndjeshmërinë e kësaj çështje, të respektojnë viktimat dhe familjarët e tyre, si dhe faktin se çështja është në fazën e hetimit paraprak dhe Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar referuar nenit 103 të Kodit të Procedurës Penale ka vendosur ndalimin e publikimit të vendimit nr.42 datë 17.05.2022 (me objekt caktimin e masave të sigurimit)”, thuhet në reagimin e Prokurorisë së Posaçme.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?