Basha ka komentuar sot akuzat e PS-së se protesta e opozitës ka si qëllim bllokimin e Vettingut dhe reformën në drejtësi. Në fjalën e mbajtur sot në protestë, Basha paraqiti dhe një ofertë të re për Kryeministrin.
Ai tha se PD është gati të votojë ligjet e mbetura të reformës, me kushtin që më parë të krijohet qeveria teknike që do të garantojë standardet e zgjedhjeve.
“A mund të pranoni një drejtësi të kapur nga Edi Rama? Kurrsesi nuk mund ta pranojmë, por nëse vërtet janë ata që nuk kanë frikë nga vettingu ju them që menjëherë pas paktit për një qeveri të vullnetit të mirë për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe pas korrigjimit të 7 ligjeve sipas vërejtjeve konsensuale të opozitës urdhëroni ta bëjmë vettingun dhe të shohim kush ka frikë nga drejtësia e pavarur,kush ka frikë nga gjyqtarët dhe prokurorët e pakapur. Ata që e kanë lidhur fatin e tyre me bandat, ata që kanë vjedhur dhe shpërdoruar qindra miliona euro, apo opozita që ka lidhur fatin e saj me fatin qytetar. PD do ta votojë dhe çojë përpara reformën në drejtësi por vetëm sipas përcaktimeve europiane të Kushtetutës së Shqipërisë, sipas votës historike të 22 korrikut. Nëse nuk tremben nga drejtësia e pa kapur le ti hapin rrugë qeverisë teknike, të ndryshojmë së bashku 7 ligjet që i bënë përshesh për të kapur drejtësinë dhe ne do të na keni aty”,- tha kreu i PD-së.
Në të kundërt, Basha tha se “bashkë me qytetarët shqiptarë do ta zgjidhim çështjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe çështjen e drejtësisë së vërtetë”.
Kreu i PD tha se askush nuk e beson se Kryeministri Edi Rama ka qëllim zbatimin korrekt të reformës në drejtësi. Basha tha se anëtarët e institucioneve të reja nuk po zgjidhen por po emërohem.
“Denglat e tyre se ata duan reformën në drejtësi dhe ne nuk e duam nuk i beson më askush, nuk ka zog gomari ti besojë. Nga drejtësia e vërtetë dhe vettingu i vërtetë ka frikë Edi Rama, Vangjush Dako dhe bandat e lidhura me to. Sot nga ky shesh dua t’ua bëj të qartë atyre dhe çdokujt që mund të ketë gënjyer: PD e bëri punën e vet në parlament. Ne mbaruam detyrën tonë dhe jemi krenarë për ndryshimet kushtetuese që i hapën rrugë një drejtësi të pavarur. Sot për institucionet e reja të drejtësisë kjo mazhorancë që ka frikë reformën e drejtësisë propozon 29 kandidatë për 27 pozicione. Pra nuk ka zgjedhje, ka emërime, Edi Rama dhe Ilir Meta duan ti emërojnë vetë në vend që të lejojnë zgjedhjen e më të mirëve, më të aftëve dhe më të pakorruptuarve për të ndërtuar drejtësinë që duan shqiptarët”,- tha Basha.