Fatmir Xhafaj fillon vettingun në radhët e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe SHÇBA

0

Siç ishte lajmëruar më herët, Ministri Xhafaj ka firmosur nisjen e punës për ngritjen e strukturave që do të përgatisin procesin e verifikimit të pastërtisë së figurës, integritetit dhe aftësive profesionale të punonjësve të Policisë, Gardës dhe SHÇBA-së.

Në urdhër parashikohet ngritja e grupit të punës, i cili kryesohet nga zv.ministri i Brendshëm dhe do të asistohet nga misionet e asistencës së BE-së (Pameca V) dhe ShBA-së (ICITAP), si dhe ekspertë të mirënjohur ndërkombëtarë. Kontributi aktiv i asistencës ndërkombëtare do të ndihmojë për zhvillimin e një procesi teknik sa më profesional, transparent dhe të besueshëm.

Ndër detyrat kryesore të punës së këtij grupi parashihen: analiza e gjendjes aktuale si dhe hartimi e propozimi i një pakete të plotë ligjore, për realizimin e këtij procesi Vettingu, që duhet të  dorëzohet brenda këtij fundviti.

Ky proces është pjesë e prioriteteve të Ministrisë së Brendshme dhe synon verifikimin e pastërtisë së figurës, pasurisë dhe aftësive profesionale (Vetting) të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës e Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme.

Procesit të Vettingut do t’i nënshtrohen të gjithë punonjësit e strukturave të mësipërme pa përjashtim, në të gjitha nivelet, nga drejtuesi më i lartë deri te specialisti më i thjeshtë.

Rritja e besimit të qytetarëve në organet e rendit dhe sigurisë është një objektiv parësor i punës së Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

About The Author