(Pushkatimi i poetëve Genc Leka dhe Vilson Blloshmi)
Pushkatimi i poetëve Genc Leka dhe Vilson Blloshmi bëhet atëherë kur diktatura ka krijuar gjuhën dhe slang-un e saj, kur ajo është shndërruar në një “ne” të imponuar, kur ajo ka hyrë në pjekurinë e plotë dhe sigurinë e një qenieje 34 vjeçare. Atëherë ajo ka krijuar mitologjinë e saj, ka përsosur mekanizmat e ritualit të flijimit, është shteti i cili, një ditë të bukur, midis shtetasve të vet, zgjedh dy viktima të radhës, krejtësisht të pafajshme, për t’i bërë fli, ashtu si tributë primitive dikur. Vilsoni dhe Genci pushkatohen për poezitë e tyre sipas një skenari kolektiv shtetëror, ku nuk mungojnë aktorët e përditshmërisë shqiptare nga barinjtë e kooperativistët, mësuesit dhe organet e pushtetit partiak lokal, deri tek organet e Sigurimit të Shtetit, policë, hetues, prokurorë, për t’i vënë vulën e vdekjes me shkrimtarët, këtë vëllazëri kainiane. Të gjithë së bashku përbëjnë një tablo, një afresk të skëterrshëm, një art të zi kolektiv.
Jemi në fazën e fundit të “revolucionit kulturor kinez”, në vigjilje të prishjes edhe me Kinën, kur arti dhe letërsia zyrtarisht e gjejnë veten të sanksionuar në Kushtetutën e vitit 1976, ku thuhet shprehimisht: “Shteti përkrah zhvillimin e letërsisë dhe artit të realizmit socialist…”
Ideja e demonstrimit të hapur të dhunës shtetërore, brutalisht, duke bastisur shtëpitë dhe duke rrëmuar në letrat dhe sirtaret e poetëve e ka zanafillën, si praktikë e gjerë, qysh me ardhjen e Stalinit në pushtetin bolshevik. Mjaft e ngjashme është situata pas pesëdhjetë vjetësh në Shqipërinë staliniste: pushteti sovjet i dënonte poetët jo për veprat që kishin botuar, por për ato krijime që ende nuk ishin dërguar për botim, në sirtar. Duart e policisë dhe syri i Shtetit duhet të futej në të gjitha skutat e studios së shkrimtarëve, në mendimet e tij, në ëndrrat, këngët, shprehjet e përditshme dhe në erotizmin individual. Shpeshherë, Sigurimi i Shtetit ia arriti kësaj, duke thyer dhjetëra krijues, duke vetëdijësuar autocensurën – këtë instrument të tmerrshëm kastrimi.
Për Gencin dhe Vilsonin këto metoda arritën në kulmin e ligësisë në bashkëpunim me një pjesëmarrje të gjerë fajësie, të udhëhequr nga Partia. Është po e njëjta situatë, të cilën e përshkruan bukur Osip Mandelshtami: “Ne udhëheqim kinezërinë tonë, formulën e madhe të kësaj kafshe të coftë, të fuqishme, tabunë e nocionit “klasa”…” Dhe dihet, vetë Mandelshtami ishte një ndër flitë e Stalinit në emër të kësaj “lufte klasash”, vetë Mandelshtamit i bastisën shtëpinë, i rrëmuan në sirtar gjersa i gjetën poezinë invektiv kundër Stalinit, i cila nis me vargun: “Ne shtypemi nën vete pa e ndjerë atdheun”, për të cilën poeti kishte besim se “ndonjë ditë këto vargje do t’i këndojnë komsomolasit”. Vilson Blloshmi shkruante në vetmi kronikën poetike e simbolike “Saharaja”, një tokë të shkretë, të vdekur.
Duke lexuar dëshmitë dhe dokumentat mbi Genc Lekën dhe Vilson Blloshmin përftohen portretet e dy të rinjve, të vetëdijshëm për statusin e tyre shoqëror, “persona nongrata” për regjimin, e gjithsesi, portretin e dy artistëve të rinj krejt të ekuilibruar, me një drejtpeshim mendor në përshtatje me rrethanat. Nëse Genc Leka edhe kishte patur ndonjë iluzion, duke treguar devotshmëri e përkushtim ndaj punës së mësuesisë, të cilën u mundua ta bëjë shpirtërore, edhe nëse kishte patur ndonjë iluzion se mund të brendashkruhej në realitetin letrar të viteve gjashtëdhjetë, duke dërguar poezi në shtypin e asaj kohe, atëherë për të, iluzionet rrudhen, fill pasi ka mbaruar shërbimin ushtarak dhe i refuzojnë ta pranojnë në arsim. Edhe pse e ndjen se mekanizmat e diktaturës, luftës së klasave po egërsohen, përsëri Genci shpreson dhe përpiqet me të gjitha forcat, së paku, të mbetet në lojë, duke bashkëpunuar me Institutin e Gjuhësisë, derisa edhe ky iluzion tretet. Ndërkaq, Vilson Blloshmi nuk i ka iluzionet e Gencit. Ai e di mirë se çfarë fati kanë prerë “erinitë e komunizmit” për të, andaj nuk pretendon, nuk bën asnjë përpjekje për të çarë në botën letrare. Ai është i etur për libra, për kulturën në tërësi, por për atë lloj kulture jo bashkëkohëse socialiste, jo për kulturën zyrtare të regjimit. Në të gjitha letrat e tij, ai i kërkon të kushërirës vetëm se libra, ose ndonjë poezi në frëngjisht. Vilsoni nuk ka iluzione botimi, andaj e projekton vetveten në letërsi vetëm për vetëm me ndjenjën e brendshme personale të së bukurës. Ai e ushqen veten me një dimension frymor krejt tjetër, të ndaluar, dhe ky është një proces i vetëdijshëm vetëkulturimi. Vilsonit në këtë akt do t’i shkonin përshtat vargjet e Mandelshtamit:
“Vetë jam dhe lule, vetë dhe kopshtar,
Në burgun e botës – krejt vetmitar”.
Por pikërisht këtë vetmi, këtë selitje të vetmisë së tij të bukur, ia kishte xhelozi partia-shtet. Më së shumti, partia kishte xhelozi vetëkulturimin e kundërshtarit jashtë dogmës së saj, i trembej projektimit të privatësisë së artistit që komunikon tet-a-tet me artin. “Nëse arti diç na mëson (artistit në radhë të parë), atëherë kjo ka të bëjë pikërisht me privatësinë e ekzistencës njerëzore. Duke qenë më e stërlashta – dhe forma më e fjalëpërfjalshme e iniciativës vetjake – ajo dashje padashje stimulon tek njeriu pikërisht ndjesinë e individualitetit, unikalitetit, veçanësisë, duke e shndërruar atë nga një kafshë shoqërore në personalitet. Shumë gjëra mund t’i bashkëpjesëtosh: bukën, shtratin, bindjet, të dashurën, por jo poezinë, të themi, të Rajner Maria Rilkes. Vepra e artit, letërsia në veçanti dhe poezia më përveçmas, i drejtohen njeriut tet-a-tet, duke u lidhur me të në marrëdhënie direkte, pa ndërmjetës.
Pra, për këtë arsye, nuk e kanë dashur artin në përgjithësi dhe poezinë në veçanti “prijësit e të mirave të përbashkëta”, sundimtarët e masave, tellallët e domosdoshmërisë historike. Sepse aty ku ka kaluar arti, ku është lexuar poezia, ata zbulojnë në vend të pëlqimit dhe solidaritetit – shpërfilljen dhe kundërshtimin, në vend të vendosmërisë për veprim – mosvëmendje dhe neveri”.
Në jetën e përditshme të Gencit dhe Vilsonit, kjo shpërfillje dhe neveri shprehej me vargjet e atij lloji të lirikës, e cila nuk kishte të bënte me një kundërvënie të hapur politike ndaj regjimit (megjithëse, herëdokur, ajo mund të ishte dhe mundësia hipotetike e kësaj lirike). Jo, poezia e tyre luftonte në një front më së pari human, atë të mbijetesës nga tharja, Saharaja, shkretimi dhe sterilizimi që përshkonte çdo ind të përditshmërisë.
Nëse më lart thamë se në vitet kur krijonin Genci dhe Vilsoni diktatura përjetonte pjekurinë e saj, atëherë, ashtu si në çdo rast tjetër të egërsisë dhe kreshpërimit të saj në histori, ajo përsëri doli e humbur përballë poetëve. Është një betejë, që edhe pse mbaron me pushkatimin e poetëve, me marrjen e asaj që është një dhe e pakthyeshme – jetën njerëzore – prapë se prapë, ky skenar i lashtë na rrëfen se njerëzimi nga natyra e tij përballë së keqes është indiferent dhe harrestar sapo kalojnë diktaturat dhe se, po kjo indiferencë dhe harrim bëhet shkas për të ricikluar diktatura të reja, domethënë, për ta rifreskuar kujtesën njerëzore me përvoja hidhërimi të ri. Ndoshta nuk është rasti më i mirë ky punim diplome për të hapur një fashë diskursi meditativ mbi këto çështje dhe mbase kjo është një detyrë e tepërt, jashtë objektit tonë, por për fatin tragjik të dy poetëve, për “lulen e djemve”, siç shprehet në parathënie Ismail Kadareja, janë përgjegjës emra dhe mbiemra krejt konkretë dhe se jo të gjithë e pësuan “nga dora e Zotit”. Nëse poezia e tyre lirike e shkruar vetëdijshëm, u dënua sipas një skenari krejt të vetëdijshëm, atëherë autorët e skenarit janë gjallë, akt ekspertizat e Diana Çulit e të tjerëve janë fakt, ndërkaq që kur flitet për tragjedinë Blloshmi-Leka, lihet të kuptohet sikur dërguesit e fatkeqësisë janë banorë të Hënës apo të Marsit, duke e bërë të alienuar dhe abstrakte dhimbjen tonë. Atëherë duket se rituali i nderimit të poetëve të pushkatuar, në mungesë të gjykimit të xhelatëve, bart diçka fallso, një pikëllim artificial, jashtë rravgimit moral, si për vendin jetim që lanë ata në këtë botë, si për vendin jetim që lanë ata në sistemin dhe Historinë e Letërsisë Shqipe. Me sa duket, këtë defekt moral dhe etik të shoqërisë së sotme shqiptare përballë së Keqes, këtë mefshtësi dhe vanitet aspak premtues për reflektim, e ndeshim në mënyrë përqeshëse me realitetin tonë sot, 27 vjet pas rënies së komunizmit, sapo hetojmë fatin e personazheve-aktorë në dënimin e poetëve:
“…Emrat e Vilsonit dhe Gencit kanë zënë vend në faqet e gazetave dhe të revistave. Robert Elsie i përmend në manualin e tij Historia e Letërsisë Shqiptare.
TVSH-ja ka shfaqur një film dokumentar. Shumë poetë filluan të shkruajnë vjersha për ta.
Më 1999 u botua një libër “Qefini i hënës” mbi jetën e Gencit dhe Vilsonit, i cili përmbante dhe pjesë të zgjedhur nga krijimtaria e tyre…
Në vitin 2005 shkrimtari Ismail Kadare iu përgjigj një letre të Bedri Blloshmit. Me ndërhyrjen e Kadaresë në shtyp dhe te Presidenti i Republikës u nxorën fonde që dy poetëve, Gencit dhe Vilsonit, t’u bëhej një përmendore në qytetin e Librazhdit, memorial që u përurua në korrik 2006.
Arianit Çela, ish-kryetari i hekurt dhe më jetëgjatë i Gjykatës së Lartë gjatë diktaturës, pas nëntëdhjetës u dënua me disa vjet burg. Në qelinë pranë tij, stalinistja Nexhmie Hoxha vazhdonte të shkruante libra për Enverin e saj të dashur.
Një ish-kryetar i Gjykatës së Lartë në vitin 2000 u plagos për vdekje nga një i panjohur. Vdiq në barrelë në aeroportin e Tiranës, në pritje për të marrë vizën në pasaportë që të nisej për mjekim në Itali. Pas ’90-ës pati një ngritje në karrierë si avokat: Kryetar i Dhomës së Avokatëve të Shqipërisë, Këshilltar i Jashtëm Juridik i presidentit Meidani, avokat i Ramiz Alizë në “gjyqin e kafesë”, etj. Gjyqe të kafesë u quajtën gjyqe që dënuan ish-byroistët dhe disa funksionarë të lartë të diktaturës. U dënuan për shpërdorime të parave dhe të dietave kur ishin në detyrë.
Pjetër Arbnori, ish-Kryetar i Kuvendit të Republikës në vitet ’92 – ’97, një ish-i dënuar me 25 vjet burg nga diktatura, ka thënë se këto “gjyqe të kafeve” u bënë “mbi bazën e një marrëveshjeje xhentëlmenësh”, domethënë gjyqe që byroistët të vinin pak njërën këmbë në burg dhe pastaj të dilnin prej andej të shpëlarë prej të gjitha fajeve. Gjykatat më pas u dhanë pafajësi. Ata morën dhe lekët për këto ditë, që sipas një marrëveshjeje xhentëlmenësh i kaluan në burg.
Ish-gjykatës dhe ish-hetues të diktaturës sot punojnë si avokatë dhe noterë në Tiranë dhe në rrethe.
S.S., kryetari i gjyqit të poetëve në gjykatën e Librazhdit, vazhdon të jetë avokat.
Prokurori Q.L. vrau veten në ditët që në Tiranë ra dhe u zvarris rrugëve shtatorja e dikatatorit Hoxha.
S.K., ish-sekretarin e Partisë së rrethit të Librazhdit, e sheh që të dalë pleqërisht rrugëve, të ulet në kafe me të shoqen dhe me shokët e tij të vjetër.
S.C., kryehetuesi, mbase e pësoi më keq nga të gjithë. Pas gjyqit të 1977-ës e çuan punonjës të komitetit të partisë Librazhd. Që atëherë dha shenjat e një njeriu të tronditur mendërisht. Pas ’90-ës u bë avokat. Më pas i dha fund jetës me vetëvrasje.
Hetuesi P.A. është jurist në zyrën e Avokatit të Popullit.
Eleni, Petrika dhe vajza e Genc Lekës janë në Korçë.
Shtëpia e dytë e Gencit, pas asaj që ia dogjën kur iu arratis i ati, tashmë është rrëzuar.
Diana Blloshmi, pas një viti e gjysmë, u lirua nga internimi. U vendos në Tiranë ku është edhe sot.
Vajza e Vilsonit, Enerjeta, jeton në Gjermani, e martuar.
Blloshmët e tjerë nuk u kthyen më në vendbanimin e hershëm. Babai i Vilsonit dhe të tjerët banojnë po në atë fshat, por larg kullës së tyre të vjetër. Disa nga Blloshmët kanë emigruar.
Vetëm Bedriu që tani banon në Tiranë, së bashku me djalin e tij, Vilsonin 10-vjeçar, shkojnë herë pas here në Bërzeshtë, te kulla e vjetër e Blloshmëve, te rrapi dhe te shtatë çezmat e Bërzeshtës…”.
Duke e vijuar enumeracionin me mend, po në frymën e mësipërme të tekstit të shkrimtarit Sadik Bejko, do të formulonim kështu: kjo është perspektiva e tragjedisë pas vdekjes së Heroit. Triumfi i xhelatit mbi viktimat, triumfi i vdekjes mbi jetën, triumfi i hipokrizisë mbi moralin. Poetët nuk jetojnë më, por ama, të gjithë organizatorët e “ballos satanike”, përfshi dhe shkrimtarët që bënë akt-ekspertizat e poezive të tyre, ngjërojnë ditët idilike pas komunizmit, shkruajnë dhe botojnë, nderohen dhe ftohen nëpër studio televizive dhe mbërrijnë të hyjnë deri në Parlamentin shqiptar, të veshur me imunitet shtetëror, e madje të kandidohen nga ajo Lidhje Shkrimtarësh për çmimin “Nobel”! Thotë Josif Brodskij: “Në tragjeditë moderne nuk është heroi që vdes: është kori!” Në kësi rastesh, e vetmja gjuhë që të mbetet në përdorim është ironia, e cila, siç e ka përkufizuar Brodskij, është “nëna e pafuqisë”.