Rruga e Arbrit i jepet me koncesion. Tarifa që do paguajë çdo makinë
Vendimi është marrë, në mbledhjen e djeshme te Këshillit të Ministrave, ku u miratua propozimi i kompanisë Gjoka Konstruksion, për ndërtimin e rrugës duke e shpërblyer atë edhe me një bonus prej 10 për qind të pikëve.
Kjo e fundit ka kërkuar që rrugën ta ndërtojë për 46 muaj me, si dhe ka vendosur një tarifë kalimi për makinat, prej 4 eurosh.
Relacioni i Vendimit
Projekti në fjalë arrin shumën totale të 246 milionë eurove, ndërsa ko0mpania mësohet se do të përdorë gjithashtu edhe fondet nga buxheti i shtetit, të cilat duhet të jenë rreth 60 milionë euro për 4 vitet e para.
Nga ana tjetër, kalimi i makinave në rrugë do të jetë me pagesë. Kompania ka kërkuar të aplikohet një tarifë mesatare 4 euro për makinë dhe propozon që të ardhurat të ndahen me qeverinë në nivelin 50 për qind. Fluksi mesatar i mjeteve në rrugë pritet të jetë 3.690 makina/ditë.
“Duke aplikuar një tarifë mesatare prej 4 eurosh/ makinë të ardhurat nga pagesa e kalimit të rrugës do të jenë rreth 53 milionë euro për një periudhë 10vjeçare. Gjysmën e kësaj shume prej 26.5 milionë eurosh e përfiton kompania dhe kjo vlerë zbritet nga shuma totale e të ardhurave nga shteti. Çdo e ardhur mbi këtë vlerë i takon direkt buxhetit të shtetit. Vlera prej 246 milionë eurosh është vlera totale për pagesat e shtetit, plus pagesat nga tarifat e kalimit të makinave. Çdo e ardhur që i takon shoqërisë nga pagesat e kalimit të makinave, 50 për qind e shumës, zbritet nga pagesa që do të bëjë shteti, pra shteti paguan diferencën për të arritur te vlera 246 milionë euro”, shpjegohet në relacionin e vendimit, të siguruar nga Panorama.
Qeveria vlerëson se nëse të ardhurat nga e rrugës nuk realizohen, risku do të merret nga kompania. “Nëse do t’i referoheshim mënyrës se si janë shpërndarë risqet sipas këtij propozimi rezulton se kjo mënyrë përmbush parimin e shpërndarjes efektive të riskut, duke e bërë këtë projekt të partneritetit publikprivat të realizueshëm. Nga studimi i fizibilitetit rezulton se shoqëria ‘Gjoka Konstruksion’ ka marrë përsipër pjesën më të madhe të risqeve dhe së bashku me to koston e tyre. Gjithashtu, kompania merr përsipër riskun e mosrealizimit të 50 për qind të të ardhurave të pritshme nga pagesat e përdoruesve të rrugës”, shpjegohet në relacion.
Sipas propozimit, kompania ka marrë përsipër ta ndërtojë rrugën kryesisht me fondet e veta dhe më pas do të shlyhet nga buxheti për një periudhë disavjeçare.
Në ofertë, kompania propozon ta ndërtojë rrugën me një kosto prej 33.6 miliardë lekë ose 265 milionë dollarë.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 6, të nenit 25, të ligjit nr.125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar, dhe në vijim të pikave 1 e 2, të nenit 15, “Dhënia e bonusit”, të rregullave për vlerësimin dhe dhënien me koncesion/partneritet publik privat të punëve publike dhe shërbimeve për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e rrugëve nacionale, të miratuara me vendimin nr.634, datë 1.10.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullave për vlerësimin dhe dhënien me koncesion/partneritet publik privat të punëve publike dhe shërbimeve për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e rrugëve nacionale”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave:
1. Miratimin e bonusit prej 10 (dhjetë) % të pikëve, që i jepet shoqërisë “Gjoka konstruksion”, sh.a., për rezultatin teknik dhe financiar të propozimit të pakërkuar, të paraqitur për procedurën e koncesionit/partneritetit publik privat për kompletimin dhe ndërtimin e Rrugës së Arbrit.
2. Ngarkohet Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”. OFERTA
Në ofertë, kompania propozon ta ndërtojë rrugën me një kosto prej 33.6 miliardë lekë ose 265 milionë dollarë. Pjesa dërrmuese e këtyre fondeve 200 milionë dollarë do të sigurohen nga vetë kompania. “Shoqëria do të përdorë gjithashtu fonde nga buxheti i shtetit, të cilat duhet të jenë 8.1 miliardë lekë ose rreth 65 milionë dollarë për katër vitet e para të ndërtimit,” thuhet në vendimin e qeverisë.
Sipas ofertës, ndërtimi i rrugës do të zgjasë rreth 4 vjet. Por edhe pse kostoja e ndërtimit do të financohet nga kompania Gjoka, në fund do të jenë qytetarët ata, të cilët do e paguajnë rrugën.