Blushi: Po vjen destabilitet i rrezikshëm
Tashmë është zyrtare: Koalicioni i partive opozitare nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e 18 qershorit, nëse nuk arrihet një marrëveshje politike për qeveri teknike. Në një letë dërguar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, 26 parti opozitare deklarojnë se kanë vendosur të bojkotojnë zgjedhjet deri në plotësimin e kushteve. Një qëndrim i tillë i opozitës është shprehur që në nisjen e protestave më 18 shkurt. Por deri dje ka qenë vetëm retorikë politike, ndërsa së fundi është kthyer në vendim zyrtar. Por çfarë do të thotë një vendim i tillë i partive opozitare? Praktikisht ky është hapi i parë i zyrtarizimit të krizës politike dhe kalimit të saj nga sheshi përballë Kryeministrisë, brenda në institucionet e vendit. Me bojkotin e komisioneve të zgjedhore dhe KQZ-së, puna e këtij institucioni nuk ka më vlerë për përgatitjen e procesit elektoral. Mazhoranca mund të shpikë dhe argumente ligjorë për zëvendësimin e komisionevrëve, por zgjedhje pa dhe opozitën nuk kanë asnjë moral dhe as vlerë si proces.
E gjithë kjo krizë politike që nisi më 18 shkurt nuk dihet sesi do të përfundojë dhe asnjë prej palëve nuk ka dhënë shenja për zgjidhjen e saj. Kreu i partisë LIBRA, Ben Blushi bën një parashikim të zymtë për muajt në vijim. Ai e sheh të pashmangshme përplasjen për një arsye të thjeshtë. Sipas Blushit qeveria nuk e ka kuptuar ende se çfarë pasojash ka bojkoti i opozitës. Ndërsa komuniteti ndërkombëtar që zakonisht zgjidh sherret politike në Shqipëri, këtë herë nuk ka dëshirë të negociojë. “Tërheqja e deritanishme e shumicës së partive opozitare nga regjistrimi në KQZ është kërcënimi më serioz për zgjedhjet e 18 qershorit. Unë nuk besoj se ka hapësirë për marrëveshje pasi qeveria nuk është e ndërgjegjshme për pasojat e këtij vendimi dhe komuniteti ndërkombëtar nuk do të negociojë”,- shprehet kreu i LIRBA.
Këto ditë në Tiranë qëndrimi i PD-së është krahasuar me zhvillime në vendet e tjera të rajonit. Blushi shkon edhe përtej këtyre krahasimeve. Blushi shprehet se kriza që po i afrohet vendit do të jetë më e ashpër se ajo në Maqedoni dhe kriza në Rumani. “Nuk mund të them nëse po shkojnë në një skenar rumun apo maqedonas por di të them se skenari shqiptar i krizave është zakonisht më i ashpër dhe më i rrezikshëm se kudo. Kemi përpara të paktën katër vjet krizë të rëndë dhe të paparashikueshme. Fundi i saj nuk dihet, por një gjë dihet: më shumë shqiptarë do ikin dhe më pak shqiptarë do mbeten për ta zgjidhur në kohë. LIBRA do bëjë pjesën e vet duke ngjitur copat që po thyejnë partitë e vjetra”,- shprehet Ben Blushi.
Në Maqedoni prej më shumë se një viti vendi nuk po arrinë të krijojë dot qeveri legjitime, edhe pas zgjedhjeve. Në Rumani qytetarët kanë dalë në rrugë kundër qeverisë për të ndëshkuar korrupsionin. Të dyja vendet janë në krizë politike dhe kanë humbur normalitetin. Çfarë mund të ndodh më shumë se kaq në Shqipëri? E kaluara e afërt e 20 viteve më parë ka treguar se kur krizat politike dhe përplasjet zgjedhore nuk menaxhohen siç duhet, vendi shkon drejt përplasjeve të egra. Të gjitha shenjat flasin për zhvillime negative dhe në dëm të interesave të vendit. Sepse protesta dhe bojkoti PD-së nuk është problemi i vetëm. Brenda pak javësh Parlamenti do të nis procedurat për zgjedhjen e presidentit, një proces që gjithmonë ka sjellë sherre mes partive. Reforma zgjedhore thuajse është bllokuar dhe institucionet e reja të drejtësisë janë pezull. Sistemi aktual i drejtësisë ka mbetur vetëm si karakatinë, pas pret të nis zbatimi i reformës. Bizneset kanë nisur të japin shenjat e para të dobësimit nga frika që shkakon pasiguria politike në vend. Të gjitha këto zhvillime, të mbledhura së bashku, mund të prodhojnë një përplasje të paimagjinueshme politike dhe sociale në vend.
Në këtë situatë ku të gjithë shohin si afrohet përplasja të çudit ironia e Kryeministrit Edi Rama dhe qetësia e kryeparlamentarit Meta. Edi Rama duket sikur drejton qeverinë e një vendi nordik që ka zero probleme dhe jo një shtet ku çdo gjë është gati të shpërthejë, si Shqipëria.
Po cili mund të jetë skenari me i keq se sa Maqedonia dhe Rumania, sipas Ben Blushit? Nuk e tha, por e la të kuptohet se nuk do jenë ditë të mira. Ben Blushi ka qenë fiks para 20 viteve kryeredaktor i “Koha Jone”, kur shteti u shthur.
Mos e kishte fjalën për destabilitet dhe konflikt civil?