Aktualitet

Flet shoferi i Falcone-s që i mbijetoi atentatit mafioz

Giuseppe Costanza, sot 70 vjeç, rrëfen të panjohurat e pasdites së 23 majit 1992, kur në Palermo ekzekutohet dhe masakrohet gjykatësi që i kishte shpallur luftë Mafies në Itali.

Në orën 17:56 minuta e 32 sekonda të së shtunës së 23 majit 1992, një gropë e madhe është hapur mbi autostradën që lidhte aeroportin e Punta Raisi me Palermon.

Në kulmin e kryqëzimit të “Capaci”-t, 572 kg eksploziv u aktivizuan në distancë, duke shkatërruar tre makina, mes të cilave udhëtonin gjykatësi Giovanni Falcone dhe eskorta e tij.

Humbën jetën gjykatësi, e shoqja, Francesca Morvillo dhe tre agjentë të eskortës: Vito Schifani, Rocco Dicillo, Antonio Montinaro.

I mbijetuan atentatit, agjentët Paolo Capuzza, Angelo Corbo, Gaspare Cervello dhe shoferi i gjykatës  Giuseppe Costanza.  ‘Tgcom’ ka intervistuar këtë të fundit, i cili ka qëndruar gjatë jashtë projektorëve, me rastin e 25-vjetorit të masakrës dhe të daljes së vëllimit, “Shteti i neglizhencës”.

Atë pasdite, Giuseppe Costanza ndodhej në bordin e makinës me të cilin udhëtonte gjykatësi i famshëm asokohe, por jo në vendin e shoferit. Falcone atë ditë kishte dëshirë të drejtonte makinën, me bashkëshorten të ulur në krah të tij. Një ndryshim protokolli, që ndodhte shpesh, por që i kushtoi jetën armikut numër një të Mafies dhe që nga ana tjetër shpëtoi atë të shoferit të gjykatës.

Fiks 25 vjet më pas, Costanza sjell kujtimet e asaj periudhe dhe vlerësimet e tij personale. “Që kur Falcone jetonte në Romë, ndihej i qetë, edhe pse dilte pa eskortë. Unë i kisha bërë gati një makinë për të udhëtuar në kryeqytet, për të mundur të lëvizte lirshëm. Edhe gjykatësit e tjerë bënin si ai, besoj pa autorizim, por pas atentatit që i ndodhi, asnjë prej tyre nuk e drejtonte më makinën personalisht. Kur Falcone nuk dilte në xhiro i vetëm, e drejtoja unë makinën dhe ai ulej prapa. Kjo sepse atmosfera ishte e qetë, nuk ekzistonte tensioni si në Palermo”, – rrëfen shoferi.

Pse atëherë u godit Falcone gjatë një transferte të shkurtër në Palermo dhe pse në mënyrë kaq të dukshme, kur ndodhej me njerëzit e eskortës së tij?

Atë mëngjes më telefonoi në 07:00 të mëngjesit për të më njoftuar mbërritjen e tij. Eskorta që mbeti viktimë u formua në moment, nuk ishte posaçërisht për të: nga ’84 deri në 1991, kemi qenë pak vetë që e kishim shoqëruar. Zakonisht kishte një eskortë me njerëz që organizoheshin në moment. Këtë e dëshmon fakti që mbi makinën që ai udhëtonte, nuk donte forca të rendit: mbi mjet nuk ka hipur kurrë asnjë polic. Në javën para atentatit, duke ardhur në Palermo, më tha diçka të rëndësishme: ‘U krye, do të jem Prokurori Kombëtar i Anti-Mafias’. Me sa duket, dikujt ky skenar i shtiu frikën, Falcone me detyrën e re që do të mbulonte, ishte i rrezikshëm. Pas atentatit të dështuar në Addaura (21 qershor, 1989), po bashkëpunonte me gjykatës zviceranë dhe po kryente hetime të ndryshme mbi disa llogari bankare në Zvicër. Theksoj që atentati ku humbi jetën, ishte urdhër i prerë për ta eliminuar fizikisht dhe të fajësohej e ashtuquajtura Mafie. Problemi është akoma një tjetër: të kuptohet se për cilën Mafie bëhet fjalë… Ia hodhën fajin kriminalitetit lokal, u kapën disa bashkëpunëtorë, por truri i atentatit besoj se nuk është zbuluar akoma.

 Pse atëherë u vra pak më pas edhe Salvatore Borsellino?

U hodh në erë për të njëjtin motiv: sepse po zëvendësonte Falconen. Shumë fakte të çonin në një drejtim të tillë. Ai erdhi e më takoi në spital dhe më tha se po ndiqte të njëjtat hetime të Falcones dhe që në atë rast do të ishte ai Prokurori Kombëtar i Anti-Mafias. Ky ishte dënimi i tij.

Keni kaluar tetë vjet me gjykatësin Falcone. Si e njihnit dhe çfarë detyrash keni mbuluar për të? Kush ishin marrëdhëniet tuaja?

E njoha Falconen në 1984, kur isha akoma berber. Atëherë nuk e dija kush ishte. Në atë kohë, atmosfera në Palermo ishte shumë e zymtë, vrasje të vazhdueshme, gjykatësish dhe komisarësh. Sa të vdekur ka parë Palermo… Në vitin 1984 më thirri Falcone: më bëri disa pyetje personale, por në fakt i kishte të gjitha përgjigjet, kishte bërë kontrolle mbi historinë time. Më kërkoi të isha shoferi i tij. Dhe për 8 vjet punova me të në Palermo: i organizoja zhvendosjet dhe komunikoja më eskortën e tij.

Si e kujtoni Falconen si njeri?

Me ne ishte një person normal. Nuk na lejonte t’i kërkonim ndonjë favor, sepse nuk bënte gjëra të tilla. Nëse dikush e bënte një gjë të tillë, ai ndryshonte zyrë, ndryshonte rrugë dhe diskutim. Më thoshte gjithnjë, që gjëra të tilla nuk janë efektive, sepse duhet më pas t’ia shpërblesh tjetrit. ‘Mafia nuk është vetëm ajo që qëllon, por është ajo që të bën favore dhe pastaj të bën shantazh për të marrë atë që i takon’, thoshte ai.

Pas 23 majit 1992 u tha shpeshherë që ju mbijetuat për mrekulli, për një seri rastësish, sepse Falcone donte t’i jepte vetë makinës. U ndjetë në faj që keni mbijetuar?

Më kanë bërë të ndihem në faj. Jam gjallë sigurisht sepse makinës i jepte ai, por nëse do të isha unë në timon, do të kishin vdekur katër persona të tjerë. Përveç meje, mbijetuan edhe tre agjentë që ndodheshin pas makinës sime. Ai i jepte makinës si një njeri i zakonshëm, ne jemi shoferë profesionistë, drejtojmë duke qëndruar paralelisht dhe duke bërë kështu, do t’i kishim zënë të tria korsitë në atë rrugë. Në atë rast, të tria makinat do të kishin përfunduar njëkohësisht përballë shpërthimit të eksplozivit. Atentati ishte bërë për Falconen, por teknikisht ekzekutuesit kanë gabuar, sepse nuk e mendonin që në timon ishte ai vetë.

Pas 23 majit 1992 jeta juaj ndryshoi. Çfarë funksionesh iu ngarkuan? Pse në libër ndiheni “i braktisur”?

Kur rifillova punën pas masakrës, nuk dinin ç’të bënin me mua. Teknikisht isha një nëpunës civil i Ministrisë së Drejtësisë, por në të vërtetë isha një drejtues automjetesh speciale. Duke mos qenë në gjendje të drejtoja më makinën, më caktuan të merresha me punë kancelarie dhe të tjera, me përjashtim të rojës në Gjykatën e Palermos. Duke parë që asnjë nuk donte të dëgjonte versionin tim të fakteve, në ’94, vendosa në kangjellat e Pallatit të Drejtësisë, mbishkrimin: ‘Viktimë e mafies dhe e shtetit’. Duhet të sakrifikoja për të tërhequr vëmendjen. Tani jam 70 vjeç dhe jam në pension dhe shkoj në shkolla për të treguar faktet, sepse duhet hedhur dritë dhe të rinjtë duhet të mësojnë të vërtetën që nuk ka dalë asnjëherë. Tani kanë filluar të duken disa gjëra: ajo që unë tregoj, dikujt ka nisur t’i interesojë… Të shohim çfarë do të dalë nga deklaratat e mia. Nuk mund të citoj emra, por jam i bindur që duhet të individualizohen disa subjekte të ndryshme të atyre personave të përfshirë në organizimin e masakrës.

Ju keni pranuar që do të kishit preferuar të vdisnit atë 23 maj dhe të paktën të shikonit mirënjohjen dhe nderin e viktimave…

Nuk është gjithçka korrekte. Kam thënë që do të kisha preferuar të vdisja në vend të Falcones. Me të gjallë, do ta kishim mposhtur Mafien. Mafien e vërtetë, jo atë që qëllon. Por e vërteta nuk ka dalë. Janë arrestuar persona të shpallur në kërkim që ishin në shtëpinë e tyre: Toti Riina u zbulua pas atentatit. Por nëse një i dyshuar është shpallur në kërkim dhe pastaj e gjen në territorin e tij, do të thotë që në fillim nuk është kontrolluar në banesën e tij, d.m.th që dikush e mbronte. Pas atentatit, ai u arrestua. Dikush duhej të paguante. Mori urdhër për të kryer atentatin dhe e realizoi, por truri…

Ku ka shkuar lufta ndaj Mafies? Cosa Nostra është akoma e fuqishme?

Lufta nuk ka mbaruar. Mafiozët po presin kohë të mira, jetojnë në hije dhe po modifikojnë natyrën e tyre. Mafia është kudo. Nuk duhet menduar kurrë që është mposhtur në Palermo dhe Sicili. Kjo mendësi ekziston kudo, jo më kot Falcone drejtonte gishtin kundër disa “xhaketave të bardha” dhe pikërisht për këtë u vra.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?