Fatbardh Kadilli/ Qasja e re me një listë ku qytetarët janë në vend të parë, vetvetiu çon në ‘sakrifikimin’e politikanëve. Politika nuk është funksion..

Aktualitet Intervista

Fatbardh Kadilli, sekretar për burimet njerëzore në PD mbeti jashtë listave të 25 qershorit, por ai ka mbetur i mirëkuptuar me kreun Lulzim Basha dhe aspak i keqardhur. Sipas tij, qasja e re me një listë ku qytetarët janë në vend të parë, vetvetiu çon në “sakrifikimin” e politikanëve, ndryshe nuk do të ishte e sinqertë. Z.Kadilli thotë për “Gazeta Shqiptare” se kjo listë është prova e parë e zëshme e projektit të ri, nëpër të cilën z.Basha synon të ndryshojë Shqipërinë. Nga diskutimet me skeptikë apo kundërshtarë të kësaj liste, më shumë Kadilli dallon mungesën e guximit ose papërgatitjen për të përqafuar këtë qasje të re. Sa i përket lëvizjes së ish-nënkryetares së PD-së, Jozefina Topalli për shkarkimin e Lulzim Bashës, zyrtari demokrat shprehet se është pa vend dhe jashtë kohe. Ai paralajmëron hyrjen në politikë të një lloji të ri, që uron të bëhen së shpejti figurat kryesore të PD-së. Sipas Fatbardh Kadillit, së bashku me ta, z.Basha ka nisur rrugën drejt fitores.

Z.Kadilli, si po shkon PD drejt 25 qershorit dhe çfarë synon e djathta në këto zgjedhje?

Zgjedhjet e 25 qershorit do të konfirmojnë ringritjen e PD-së dhe të djathtës. PD shkon në këto zgjedhje e përtërirë dhe me një projekt të ri, projektin e kryetarit Basha. Ky projekt i ka fillesat që në fushatën e vitit 2011, me moton “qytetarët të parët” dhe me mënyrën si ai e interpretoi atë fushatë, u përvijua gradualisht përgjatë viteve që Basha drejton PD-në dhe kulmoi me “Republikën e Re”, që në thelb është një marrëdhënie e re e politikës me qytetarin. Gjatë 90 ditëve në “çadrën e lirisë”, në komunikimin intensiv me qytetarët, Basha shpalli konceptet e tij për një marrëveshje të re jo thjesht të politikës mes vetes, por të politikës me qytetarët. Gjatë 90 ditëve në çadër ranë shumë koncepte të politikës tradicionale, siç edhe u zëvendësuan shumë nga instrumentet tradicionale të të bërit politikë. Mbështetur mbi këto koncepte të reja, shënjuar nga fryma e lirisë dhe energjia që çliroi protesta në çadër, Basha ka nisur rrugën drejt fitores.

Si e konsideroni listën e kandidatëve? A është premtuese për fitoren e PD-së, pavarësisht se pati shumë kundërshtime?

Lista është prova e parë e zëshme e projektit të ri, e qasjes së re nëpër të cilën Basha synon të ndryshojë Shqipërinë. E para gjë që mund të thuhet është se lista e kandidatëve të PD-së nuk është konvencionale, nuk ngjason me qasjet e mëparshme as të PD-së dhe as të partive të tjera. Nga diskutimet me skeptikë apo kundërshtarë të kësaj liste, më shumë dalloj mungesën e guximit ose papërgatitjen për të përqafuar këtë qasje të re. Në këtë listë kryesojnë qytetarët, ose personalitete që janë më afër qytetarëve se sa politikës. Këta personalitete që vijnë nga jeta akademike, profesionale apo biznesi kanë misionin të zgjerojnë komunikimin e politikës me qytetarët dhe ta ngrenë atë në një rrafsh të ri. Besoj se ata janë të vetëdijshëm për këtë mision. Besoj se ata do të jenë të tillë, pra jo konvencionalë, jo vetëm në fushatë por edhe nesër në parlament. Tek ata është mbështetur një projekt i ri, të cilin ata vetë e inkurajuan gjatë protestës dhe bashkëbisedimit në çadër.

Përse mungon në listë sekretari për burimet njerëzore në PD? Cili është shpjegimi që ju dha kreu Basha për mospërfshirjen?

Kjo ishte një zgjedhje e kryetarit Basha. Qasja e re me një listë ku qytetarët janë në vend të parë, vetvetiu çon në “sakrifikimin” e politikanëve, ndryshe nuk do të ishte e vërtetë, ndryshe nuk do të ishte e sinqertë. Kjo qasje e tij ka pasur mirëkuptimin tim të plotë.

Ju vjen keq që s’do jeni pjesë e parlamentit të ri?

Jo. Besoj se kështu është edhe për këdo që e shikon ashtu si unë parlamentin thjesht si një mundësi, por aspak e vetme dhe e mjaftueshme për të bërë politikë. Të jesh në politikë është vendim, nuk është funksion, apo post. Mjaft shembuj edhe në Shqipëri e dëshmojnë këtë. Sa për ilustrim, po u referohem dy figurave ekselente të PD-së. Fakti që Jozefina nuk do të jetë në parlament pas 21 vjetësh nuk e nxjerr dot atë nga jeta politike. Nuk besoj se Berisha ka nevojë për mandat deputeti që të prodhojë politikë, mbase më shumë se një grup i tërë parlamentar.

Jashtë listës ka mbetur edhe një pjesë e sekretariatit… Pse kjo shmangie?

Mosqenien në listën e kandidatëve për deputetë nuk e quaj shmangie. Sekretarë, deputetë, drejtues departamenti, koordinatorë të gjitha këto janë funksione të larta politike. Këto funksione janë mundësi për gjithsecilin që të dëshmojë sa vlen në politikë. Janë mundësi për të interpretuar aksionin politik, për të avokuar për kauza dhe për të promovuar vlera dhe besime politike që beson një politikan.

Cilin kandidat po mbështet Fatbardh Kadilli?

Mbështes projektin e Bashës. Besoj fort që jemi para një ndryshimi të madh dhe këtë ndryshim do e sjellë pikërisht ky projekt. Emrat kanë vlerën që ata i japin vetes. Kandidatët do të kenë vlerën, peshën e mbështetjes që do të fitojnë nga qytetarët.

Vendim i duhur ishte përjashtimi nga lista e figurave kryesore të PD?

Shumica e atyre që ju i quani “figura kryesore” kur kanë hyrë, kanë zëvendësuar të tjera “figura kryesore”. Përtëritja ka qenë një gjë natyrale edhe në politikën tradicionale. Besoj çdo rast përtëritje figurash është shoqëruar me pështjellim emocional. Sot po ndodh diçka ndryshe, nuk ka thjesht një përtëritje brenda llojit politik. Sot po ndodh hyrja në politikë e një lloji të ri, që uroj të bëhen shpejt figura kryesore.

Si e shikoni lëvizjen e Topallit dhe Imamit për shkarkimin e kryetarit?

Krejt pa vend. Krejt jashtë kohe.

A është normale që Basha të sulmohet prej tyre në kohë fushate dhe a besoni se kjo përplasje do e dëmtojë PD?

Nuk është normale që të sulmosh partinë tënde, sidomos kur është në fushatë. Të dy janë politikanë të vjetër e me përvojë për të kuptuar efektin e veprimit të tyre. Çdo rezervë ndaj projektit ‘Basha’, sado e sinqertë dhe e argumentuar të jetë, nuk mund të shndërrohet nga ata në një antiprojekt. Projekti ‘Basha’ do të testohet nga vota e qytetarëve dhe para këtij testi, çdo argument i kundërt duhet të presë.

Realisht, a ka probleme PD brenda saj, sidomos me mungesën e demokratizimit të brendshëm?

Nuk shoh probleme. Kam parë në këto vite që Basha ka siguruar bashkëjetesë efektive mes individualiteteve, mes qasjeve të ndryshme, mes sjelljeve të ndryshme deri dhe mes qëndrimeve shumë të ndryshme. Dhe këtë e ka arritur jo me sjellje paternaliste, por nëpërmjet garantimit të hapësirës të secilit. Për fat të keq ka pasur shembuj kur individët kanë kërkuar pikërisht “paternalizmin” e kryetarit për të zgjidhur fërkimet dhe rivalitetet e brendshme, rol të cilin Basha nuk e ka marrë asnjëherë. Dhe duhet të kujtojmë se është një kryetar i zgjedhur sipas parimit ‘një anëtar, një votë’. Gjithë aksioni politik i PD-së është konsultuar me forumet drejtuese, me kryesinë, grupin parlamentar dhe Kolegjin e Kryetarëve dhe Sekretarëve të Degëve. Për këdo që e njeh historinë politike të PD-së, këto janë konsultime mjaft të gjera e të thelluara.

Cilat janë pikat e forta dhe ato të dobëta të PD-së, që mund ta favorizojnë apo dëmtojnë përmes votës së 25 qershorit?

PD vjen në këtë përballje elektorale e tonizuar dhe e frymëzuar nga një protestë 90-ditore, më e gjata dhe më e zëshmja që nga lëvizja e dhjetorit. Besoj se qytetarët e kanë kuptuar dhe përqafuar thelbin e misionit të ri transformues që PD ka marrë përsipër, mision i cili i kalon përmasat e një përballjeje elektorale. Ky është misioni që PD duhet ta kthejë dhe po e kthen në një avantazh ndaj kundërshtarëve. Përtej ridimensionimit të raporteve të politikës me qytetarin, PD ka një ofertë të qartë e të kuptueshme qeverisëse. Programi që PD po shpalos në këtë fushatë, në çdo propozim, në çdo premtim ka forcimin e qytetarit dhe jo forcimin e qeverisë, ka mirëqenien e qytetarit dhe jo mirëqenien e qeveritarëve. Këtë e dëgjojnë dhe e përqafojnë çdo ditë qytetarët.

…Atëherë pse në takimet elektorale të PD-së ka pak njerëz?

Mendësia tradicionale e të bërit politikë e mat ende suksesin me njerëzit në mitingje, për këdo që ka ndjekur zhvillimet në Shqipëri është e qartë që për PD-në asnjëherë nuk kanë qenë problem numrat në mitingje. Është në AND-në e PD-së se vetë PD ka lindur nga mitingu, nga protesta. Protestat e 18 shkurtit dhe 13 majit janë provat më të fundit. Por, ne sot jemi në një fushatë elektorale, që dallon shumë nga të mëparshmet edhe në këtë aspekt. Mitingjet janë zëvendësuar nga një format i ri komunikimi. Agorat e organizuara me qytetarët në çadër, tashmë në fushatë janë shpërndarë në gjithë vendin. Ky format komunikimi është ai që kërkojnë edhe qytetarët. Ata duan të dëgjojnë, por më shumë të dëgjohen.

Si e shpjegoni strategjinë e fushatës, gjuhën e zbutur që kundërshtarët kryesorë Basha-Rama përdorin ndaj njëri-tjetrit?

Dalloj një strategji, që synon të mbajë të balancuar referencën apo akuzën ndaj kundërshtarit dhe fokusimin tek raporti me qytetarin. Por, përtej strategjisë, kjo fushatë ka ndryshime të mëdha. Kjo është një nga fitoret e PD-së, që nëpërmjet protestës së çadrës imponoi disa ndryshime të mëdha. Ne këto zgjedhje, falë rolit të ministrave teknikë, apo kujdestarë për herë të parë kemi mbajtur administratën larg zgjedhjeve. Kjo është një fitore për opozitën, por para së gjithash për nëpunësit, të cilët nuk do të përthyhen nga drejtuesit politikë të radhës dhe nuk do të shfrytëzohen si ushtri elektorale. Falë rolit të opozitës, ne sot kemi qytete dhe qytetarë që jetojnë jetën e tyre, pavarësisht se ka zgjedhje. Për herë të parë partitë politike nuk po e agresojnë jetën e njerëzve me arrogancën elektorale, me flamuj, postera e banderola. Falë rolit të opozitës, sot vetë partitë politike kanë shpëtuar nga kompromentimi i financimeve të dyshimta dhe nga hyrja në borxh tek mediat, të cilat për fat të keq nga një pushtet që llogaritë duhet t’i bënte me qytetarët, i bënte me klientin politik të radhës.

A besoni që ka një marrëveshje PS-PD për të bashkëqeverisur?

Secila palë ka shpallur objektiv fitoren. PD kërkon të qeverisë vendin, kërkon besimin e qytetarëve për programin e vet elektoral. Janë qytetarët që do vendosin kush t’i qeverisë. Unë besoj se shqiptarët kanë parë mjaftueshëm dhe të mos kenë nevojë të shohin akoma nga qeveria “Rama”. Unë besoj se shqiptarët kanë gjetur tek Basha një projekt të ri, një shpresë të re që nuk do t’i zhgënjejë. PD do të qeverisë vendin. Sa për paktet e fshehta që përfliten, dua të kujtoj se ne jemi dhe do të mbetemi shumë të ndryshëm në filozofi, ideologji, sjellje dhe pa harruar edhe në trashëgimi. Kemi vetëm një gjë të përbashkët, me PS-në: ne dhe ata jemi përfaqësuesit më të mëdhenj që shqiptarët me votë u kanë besuar përgjegjësinë e qeverisjes. Shqiptarët do të flasin prapë me votë.

 

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?