Tjetër shembje tek “Petro Ninit”, policia përplaset me banorët (VIDEO)
Dita e sotme ka nisur me tensione dhe përplasje mes policisë dhe banorëve pranë shkollës “Petro Nini” në Tiranë, në rrugën Margarita Tutulani.
Mësohet se tensionet kanë ardhur si pasojë e vendimit për shembjen e pallatit.
Sipas informacioneve të para, Bashkia ka nxjerrë një vendim se ky pallat është i pabanueshëm për shkak të tërmetit të 2019 dhe se duhet të prishet.
Por duket se banorët nuk janë aspak dakord me këtë vendim që ka çuar në përplasje me uniformat blu.
Ata pretendojnë se Bashkia nuk u njeh dokumentacionet mbi pronësinë dhe se nuk kanë asnhë informacion mbi atë që i pret nëse dalin nga shtëpitë.
“Ne kemi dokumentet që në vitin ’45. Kjo është tokë e italianit, kanë qenë të italianit këto. Ne kërkojmë që të mbarojë gjyqi. Një vit më parë e nxorën DS5, pallati ishte mirë. Ishte në parametra më të mira se një pallat i sapo ndërtuar. E rrëzoi bashkinë dhe institutin që kishte bërë ekspertizën. Na kanë thënë dilni jashtë, edhe rusi në Ukrainë nuk i trajton njerëzit kështu. Jemi shumë të indinjuar. Të dy djemtë m’i kanë marrë në polici sot. Dilni jashtë thonë, vetëm kaq, pa asnjë argument,”- thotë një nga banorët.