Lihet i lirë efektivi i qarkullimit, djali i drejtorit të Policisë

Aktualitet

Një efektiv i qarkullimit rrugor është lënë i lirë pasi është kapur me hashash në kryeqytet disa ditë më parë, nga agjentë të Forcave Shqiponja.

Efektivi në fjalë është djali i një drejtuesi të lartë në Policinë e Shtetit.

Kapet me hashash, lihet i lirë

Boldnews.al mëson se protagonistit me iniciale R.F. i është gjetur me vete nga efektivë të forcave “Shqiponja” një qese me hashash. Për lëndën narkotike që kishte në xhep, efektivi i operacionales u tha kolegëve të “Shqiponjave” se e kishte për përdorim vetjak.

Raste të ngjashme kanë ndodhur në vijimësi dhe siç ka raportuar policia zyrtarisht, poseduesit e drogës janë arrestuar. Megjithatë, në këtë rast u veprua ndryshe.

Mësohet se duke e justifikuar me deklaratën se drogën e kishte për përdorim persona, polici i qarkullimit me iniciale R.F. është lënë i lirë nga kolegët e “Shqiponjave”. Ndaj tij, nuk është ekzekutuar arrestimi, edhe pse plotësohen kushtet ligjore (në kushtet e flagrancës). Ndërkohë, institucioni i policisë, zyrtarisht nuk ka komunikuar asnjë informacion për ngjarjen në fjalë, duke e mbajtur të fshehtë.

Boldnews.al mëson se efektivi që u kap me drogë është djali i një drejtori të rëndësishëm në Policinë e Shtetit, institucion i drejtuar nga Muhamet Rrumbullaku. Ky i fundit ndodhet në krye të Policisë prej disa muajsh tashmë, megjithatë duket se fryma në institucion mbetet po e njëjta: Policia nën drejtimin e Rrumbullakut po vazhdon traditën e “qokave” dhe fshehjes se ngjarjeve njëlloj si me paraardhësit e tij.

Precedentët

“Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit”, thonë neni 18 i Kushtetutës së Shqipërisë. Megjithatë, eksperienca po tregon se në praktikë po veprohet ndryshe. Ligji po injorohet, shkelet, përbuzet, po përdoret si një kamxhik për të goditur qytetarët e thjeshtë dhe mbrojtur ata me pushtet.

Për raste të ngjashme si ai i djalit të drejtorit të lartë të Policisë, qytetarë janë dënuar me disa vite burg. “Boldnews” ka raportuar më herët se si në 18 Tetor 2021, një 19-vjeçar me iniciale M.I. u dënua me me 5 vite burgim, për akuzën e “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”, pasi u kap me disa gram hashash.

I pandehuri u arrestua në rrethana të ngjashme me efektivin e rrugores disa ditë më parë. Ai u ndalua nga policia në Laprakë, pasi gjatë një kontrollit të repartit “Shqiponja” në xhepat e tij u gjetën 6 gram lëndë narkotike kanabis sativa. I riu M.I. deklaroi para gjykatës se ai është përdorues i lëndëve narkotike dhe hashashi që iu gjet në trup ishte për përdorim vetjak.

Megjithatë ndaj tij ligji veproi me rreptësi.

Në media janë raportuar shumë raste të ngjashme: Se si një qytetar u dënua me 3.4 vite burg për 3 gram hashash, si një gjimnaste u dënua me 5.9 vite për 6 gram, si një një qytetar vetëm një muaj më parë denonconte në një emision televiziv se si për 1.5 gramë, duan ta dënojnë me 10 vite burg… Lista e shembujve është e gjatë.

Nga gjithë rastet e përmendura, ai që ia hodhi paq ishte vetëm djali i drejtorit në Policinë e Shtetit.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?