A do t’i zyrtarizojë KQZ, zgjedhjet pa opozitë?

Aktualitet

Në rendin e ditës së mbledhjes së sotme, që nis në orën 11:00, Komisioni do të miratojë modelin dhe përmbajtjen e fletëve të votimit për zgjedhjet parlamentare, për t’ia çuar më pas modelin kompanisë fituese për prodhimin e fletëve të votimit.

Pasi ka përfunduar miratimin e listave të kandidatëve për deputetë të partive që janë regjistruar për të hyrë në zgjedhje, vendimi i sotëm e bën pa kthim procesin zgjedhor më 18 qershor.

Kostoja për prodhimin e fletëve të votimit arrin në 500 mijë dollarë, ndërsa anulimi i zgjedhjeve të pjesshme për Bashkinë e Kavajës i kushtoi buxhetit të shtetit një dëm prej 60 milionë lekësh të vjetër, për shkak se fletët e votimit ishin përgatitur për zgjedhjet e datës 7 maj.

LISTAT

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dje listat shumëemërore të partive politike të regjistruara në zgjedhjet e 18 qershorit. Anëtarët e opozitës kërkuan më shumë kohë për të verifikuar mbështetësit e partive të vogla, të cilët kanë dhënë formën e tyre për pjesëmarrjen e saj në zgjedhje.

U janë dashur minimalisht 5 mijë firma partive që nuk kanë deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, ndërsa në zgjedhjet e kaluara ka rezultuar që një person të kishte firmosur disa herë.

Kjo kërkesë e anëtarëve të propozuar nga opozita në KQZ u konsiderua si tentativë për shtyrje artificiale të kohës nga përfaqësuesi i Partisë Socialiste në KQZ, Eridian Salianji, i cili tha se këto verifikime i kishte bërë njëherë administrata e KQZ-së. Pas hedhjes në votim të propozimit, anëtarët e shumicës votuan kundër dhe kjo u bë shkak që përfaqësuesit e opozitës të braktisnin mbledhjen.

Mbledhja vazhdoi me miratimin e të gjitha listave të partive politike, përfshirë PS, PSD, Fryma e Re Demokratike, PAD e të tjera. Nga verifikimi i kandidatëve, 27 prej tyre kanë pasur dënime të mëparshme, por që nuk ndaloheshin nga nenet përkatëse të ligjit të dekriminalizimit për të kandiduar. Gjithsej për zgjedhjet e 18 qershorit janë regjistruar 15 parti politike. Po dje Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjobiti me 1 milion lekë Partinë Socialiste për mospërmbushjen e kuotave gjinore në listën e qarkut të Beratit.

“KQZ vendosi miratimin e listave shumë- emërore të kandidatëve për deputetë të PS për zona zgjedhore qarku Berat, Dibër, Durrës, Elbasan, Fier, Gjirokastër, Korçë, Kukës, Lezhë, Shkodër, Tiranë dhe Vlorë për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë 2017. Të vendosë sanksionin administrativ në masën 1 milion lekë për mospërmbushjen e detyrimit për qarkun Berat, ku nuk janë respektuar kuotat gjinore”, tha kryetari i KQZ-së, Denar Biba.

Ndërsa për zgjedhjet e Kavajës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve konstatoi formalisht se asnjë komisioner nuk ishte paraqitur për të marrë në dorëzim materialet zgjedhore, duke e bërë të pamundur zhvillimin e votimit për këtë bashki.

Partitë që do marrin pjesë në zgjedhje

Partia Komuniste e Shqipërisë

Sfida për Shqipërinë

Partia Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen

Partia Lista e Barabartë

Aleanca Popullore për Drejtësi

Partia Demokracia Sociale

Partia Aleanca Demokratike

Partia Kristian Demokrate

Levizja Socialiste për Integrim

Partia Aleanca Arbnore Kombëtare

Partia për Drejtesi Integrim Unitet

Partia Social Demokrate

Partia Socialiste

Fryma e re Demokratike