Aktualitet

Meta takon Ilka Kanerva në Finlandë. I dorëzon titullin e akorduar nga Presidenti Nishani

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta u prit nga Kryetari i Komisionit të Mbrojtjes në Parlamentin e Finlandës, njëkohësisht dhe Ish-Presidentin e Asamblesë Parlamentare te OSBE, z. Ilka Kanerva.

Meta e falënderoi z. Kanerva për kontributin e tij në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Finlandës dhe për mbështetjen që Finlanda i jep Shqipërisë në rrugëtimin e saj evropian.

Gjatë takimit u bisedua mbi forcimin e bashkëpunimit dypalësh, veçanërisht në fushat e mbrojtjes dhe sigurisë në kuadër të zhvillimeve globale, ku z. Meta nënvizoi se Shqipëria si vend anëtar i NATO-s mbështet partneritetin gjithnjë në rritje mes Finlandës dhe Aleancës së Traktatit të Atlantikut Verior.

Kryetari i Kuvendit, z. Meta i dorëzoi z. Kanerva titullin “Për Merita të Veçanta Civile” të akorduar nga Presidentit të Republikës, z. Bujar Nishani me motivacionin “Për kontributin e tij të çmuar në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Shqipërisë dhe Finlandës, njohjen më të mirë të kulturës, traditave dhe historisë së popullit shqiptar në Finlandë, si dhe për ndihmesën ndaj bashkësisë shqiptare që jeton atje”.

Pas marrjes së titullit, Kryetari i Komisionit të Mbrojtjes në Parlamentin e Finlandës, z. Ilka Kanerva, falënderoi z. Meta për këtë vlerësim dhe shprehu bindjen se marrëdhëniet mes dy vendeve janë mjaft të mira.

“Ju falënderoj nga thellësia e zemrës, është nder i madh për mua të marr këtë titull nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë. Dua të shfrytëzoj këtë mundësi për të vlerësuar bashkëpunimin e shkëlqyer që kam pasur me kolegët shqiptarë përgjatë viteve. Fryma e bashkëpunimit na ka shoqëruar në çdo hap dhe ka qenë kënaqësi e madhe për mua që të mbështes miqtë shqiptarë në rrugëtimin për t’u bërë pjesë e organizmave ndërkombëtarë, – tha z. Kanerva, duke shtuar se marrëdhëniet midis dy vendeve mund të forcohen akoma më shumë.

“Mund të them me bindje të plotë se marrëdhëniet midis Finlandës e Shqipërisë janë vërtetë të mira. Sigurisht ka ende mundësi për të thelluar edhe më tej bashkëpunimin dhe kontaktet institucionale. Vizita e juaj në Helsinki ka një rëndësi të madhe dhe jam i bindur se i jep stimuj të rinj marrëdhënieve mes Finlandës e Shqipërisë. Shpresoj që së bashku të mund të kontribuojmë në intensifikimin e bashkëpunimit tonë dhe në objektivat e përbashkëta në skenën ndërkombëtare”, – deklaroi Kryetari i Komisionit të Mbrojtjes në Parlamentin e Finlandës, z. Ilka Kanerva.

Nga ana e tij, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta i shprehu mirënjohjen Kryetarit të Komisionit të Mbrojtjes të Parlamentit të Finlandës për kontributin që ka dhënë për Shqipërinë duke shtuar se Shqipëria mbështetet tek ju në përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimin në nivel ndërkombëtar.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?