Bota

Lufta bërthamore dhe inteligjenca artificiale mund të zhdukin njerëzimin

KAON

Një grup prej 37 shkencëtarësh nga e gjithë bota ka analizuar 17 kërcënimet kryesore që mund të rrezikojnë shëndetin dhe mbijetesën e njerëzimit deri në fund të këtij shekulli. Sipas raportit, dy prej tyre, një konflikt i mundshëm bërthamor dhe përdorimi keqdashës i inteligjencës artificiale, kanë potencialin të çojnë deri në zhdukjen e plotë të specieve njerëzore.

Ekspertët theksojnë se këto rreziqe nuk duhen parë të shkëputura nga njëri-tjetri, pasi mund të ndërveprojnë dhe të përforcojnë pasojat. Christopher Murray, drejtor i Institutit për Metrikat dhe Vlerësimin e Shëndetit në Universitetin e Uashingtonit, nënvizon rëndësinë e kuptimit të lidhjeve mes kërcënimeve të ndryshme. Sipas raportit, një konflikt bërthamor dhe përdorimi keqdashës i inteligjencës artificiale janë dy skenarët që mund të kenë pasojat më ekstreme, deri në zhdukjen e njerëzimit. Edhe pse ekspertët i vlerësojnë si skenarë me probabilitet më të ulët, pasojat e mundshme do të ishin shkatërruese.

Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu se frika e publikut nga armët bërthamore mund të jetë zbehur krahasuar me periudhën e Luftës së Ftohtë, pavarësisht se rreziku mbetet. Ndërkohë, zhvillimi i shpejtë i inteligjencës artificiale ka hapur debate të reja në komunitetin shkencor, përfshirë shqetësimet mbi përdorimin e saj për qëllime keqdashëse dhe ndikimin e mundshëm në shoqëri.

Përveç këtyre dy kërcënimeve, raporti identifikon edhe 15 rreziqe të tjera madhore, të cilat mund të ndikojnë njëri-tjetrin dhe të shtojnë dëmet. Ndryshimet klimatike po ndikojnë në shëndetin fizik dhe mendor, ndërsa valët ekstreme të të nxehtit, përmbytjet dhe përhapja e insekteve bartëse të sëmundjeve mund të rrisin rreziqet për popullsinë. Raporti lidh gjithashtu ndryshimet klimatike me ndotjen e ajrit. Shpyllëzimi dhe ndërhyrjet e tjera njerëzore në mjediset natyrore mund të shtojnë kontaktet mes njerëzve dhe kafshëve të egra, duke krijuar kushte për shfaqjen e sëmundjeve të reja infektive.

 

Një tjetër shqetësim është rezistenca në rritje e mikrobeve ndaj antibiotikëve, e cila mund të vështirësojë trajtimin e infeksioneve dhe të kërcënojë miliona jetë në vitet e ardhshme, nëse nuk zhvillohen trajtime të reja dhe masa më efektive. Sipas vlerësimeve të autorëve, nëse nuk ndërmerren masa, 17 kërcënimet mund të shkaktojnë deri në vitin 2100 humbjen e një miliard vitesh jetë të shëndetshme, një tregues që mat ndikimin e sëmundjeve, paaftësisë dhe vdekjes së parakohshme.

Për të kufizuar pasojat, ekspertët propozojnë një plan veprimi të mbështetur në tri drejtime kryesore: përgatitjen dhe gatishmërinë për kriza, investimet në inovacion dhe monitorimin e vazhdueshëm të rreziqeve. Sipas tyre, qeveritë duhet të bashkëpunojnë për të mbështetur veçanërisht komunitetet më të cenueshme, të financojnë kërkimet për vaksina, ilaçe dhe teknologji mjedisore, si dhe të krijojnë mekanizma për identifikimin e hershëm të kërcënimeve. Natalia Kanem thekson se e ardhmja nuk është e paracaktuar dhe se vendimet që merren sot mund të ndikojnë në aftësinë e brezave të ardhshëm për t’u përballur me krizat. Për këtë arsye, raporti u bën thirrje qeverive që të marrin masa konkrete përpara se rreziqet të shndërrohen në katastrofa.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?