Ka shkaktuar jo pak reagim komenti i sforcuar i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj për protestën e nesërme të opozitës. Me një gjuhë provokuese ai u bëri thirrje protestuesve “që të tregohen të kujdesshëm për të mos e ndotur apo dëmtuar qytetin nesër”.
“Si kryetar i Bashkisë kam respektuar kërkesën për t’i dhënë leje PD për të përdorur për protestë hapësirën publike te bulevardi “Dëshmorët e Kombit”. Megjithatë, një kërkesë nuk ndryshon kurrë për cilëndo parti: Mos na e bëni pis Tiranën!”, tha Veliaj.
Gazetarja e Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Investigative – BIRN, Lindita Cela, ka ironizuar me këtë deklaratë të Veliajt duke postuar në llogarinë e saj në facebook foto nga protesta e 21 janarit të vitit 2011 ku Tirana u dogj në flakë nga protestuesit e opozitës socialiste. Fotot me makinat në flakë para piramidës dhe me pllakat e shkulura të betonit në bulevard janë shoqëruar me thirrjen e Veliajt. /Lapsi.al