PD e LSI bllokojnë votimin në Këshillin Bashkiak për kullat
Si këshilltarët e PD dhe ata të LSI kanë dalë nga salla e mbledhjes dhe kanë deklaruar se nuk do t’i japin kurrë votat për këto qëllime të mafias së naftës dhe ndërtimit të mbështetur nga Edi Rama.
Kreshnik Çollaku i PD-së deklaroi se “ne vazhdojmë të mbajmë marrëdhënie të kushtëzua me bashkinë për shkak të pranisë së 6 individëve me mandate falso që sillen sikur janë këshilltarë. Ata aktrojnë si këshilltarë për të përgatitur akte si këto që janë sjellë sot për të marrë vendime.
Këto janë akte kriminale.
I pari është projekti i sponsorizuar nga mafia e naftës për të betonizuar dhe kioskizuar Parkun Rinia. Kjo kërkon 3/5 e votave.
Vendimi i dytë është formalizimi i rrugës për shkatërrimin e Teatrit Kombëtar dhe mbjelljen aty të kullave shumëkatëshe. Edhe ky kërkon 3/5 e votave në Këshillin Bashkiak.
Unë kam deklaruar se këto vota ata nuk i kanë dhe nuk do t’i kenë as nesër se ne do të bëhemi barrikadë për këto operacione mafioze në kryeqytet. Çdo gjë në atë sallë është e kompromentuar me ata 6 individë që nuk kanë të drejtë të votojnë, me mandate të falsifikuara; ata janë aty për të votuar projekte të tilla nga mafia e Tiranës dhe e ndërtimit. Z. Dalipaj është në siklet të madh bashkë me z. Veliaj sepse ata janë zbatuesit e këtij projekti që e ka vendosur Edi Rama.”