Aktualitet

Nga Vehap Kola/ Që protestat kundër taksës mbi Rrugën e Kombit të mos përfundojnë në një Çadër të re

Megjithëse ka vetëm disa ditë që kanë nisur protestat, në fillim tek tuneli i Thirrës nga qytetarët e qarkut të Kukësit dhe më pas nga aktivistët tek Drejtoria e Policisë së Tiranës për lirimin e të arrestuarve, për gjithkënd është e qartë se kjo lëvizje që ngjalli shumë simpati mes shqiptarëve shpirtndërdhëmbë rrezikohet nga një fund i ngjashëm me atë të çadrës së opozitës gjatë pranverës së vitit të shkuar. Dy janë rreziqet që e kanosin më shumë këtë valë protestash: propaganda djallëzore përçarëse nga qeveria dhe media e oligarkisë dhe nga një xhelozi e vetëkuptueshme e opozitës se mos lidershipi i kundërqeveritarizmit ik nga duart e saj. Mund të shtohen edhe arsye si mosbesimi i thellë i shoqërisë shqiptare tek opozita e fjetur e Partisë Demokratikë, por këto arsye janë më shumë riformulime të të mësipërmeve nga këndvështrime të tjera. Për pasojë është jetike për fatin e kësaj sipërmarrjeje mbarëshoqërore që këto dy kërcënime të shmangen.

Kërcënimi i parë, ai që vjen nga propaganda djallëzore e përçarëse e qeverisë dhe medias së oligarkisë, e cila e quan këtë revoltë një inskenim të radhës të opozitës për të fituar pushtetin në kushte politike jonormale, është në fakt një kundërthënie e thellë logjike me vetë pretendimet e Edi Ramës se Shqipëria nuk ka opozitë, se opozita nuk di ku ka kokën dhe se sa për opozitën ai mund të ikë nga pushteti kur të dojë ai, jo kur të duan shqiptarët. Që të mos mbetet asnjë mëdyshje për konotacionin e këtyre pretendimeve të Ramës, ai i referohet pikërisht paaftësisë së opozitës për ta rrëzuar atë nga pushteti, gjë që opozita e ka dëshmuar më sukses në pothuajsë pesë vitet e fundit. Mbështetja e opozitës për këtë revoltë dhe synimi i saj për të vjelur frytet politike të saj nuk janë aspak ilegjitime në një shoqëri demokratike. Vetëm një shoqëri politike e ngjashme me atë të Partisë së Punës mund të ishte kundër kalimit të pushtetit nga një parti tek një tjetër, duke propaganduar mjaftueshmërinë e veprimtarisë korrektuese të masave ndaj defekteve në qeverisje. Nëse qytetarët do ta rrëzojnë këtë qeveri, natyrisht që do të jetë një tjetër parti politike, ekzistuese apo e re, që do të zgjidhet nga vullneti i shqiptarëve për të qeverisur. Në fund të herës, kundër propagandës qeveritare shkon vetë trendi i veprimit opozitar gjatë pesë viteve të fundit, që më shumë i përafrohet mosdëshirës se sa dëshirës për të marrë pushtetin.

Kërcënimi i dytë, ai që buron nga një xhelozi e kuptueshme dhe e justifikueshme e opozitës për humbjen e fryteve të kësaj atmosfere revolte në duart e ndonjë korpusi alternativ të organizimit civil, është edhe më i dëmshëm për shkak se shfaqet në formën e një dobësie të brendshme të reagimit antiqeveritar. Ndërsa duhet pranuar se asnjë agjent tjetër shoqëror nuk mund të organizojë një komunikim më të mirë kapilar se opozita politike, për shkak edhe të mefshtësisë që ka shfaqur opozita e djathtë gjatë këtyre viteve të Edi Ramës në pushtet, është i nevojshëm një koordinim me çdo çmim me aktorë të tjerë qëndrore moralë të shoqërisë. Mjafton të kujtojmë se figura publike si Fatos Lubonja dhe Artan Fuga kanë kohë që bëjnë thirrje hapur për një kundërpërgjigje me të njëjtat mjete ndaj dhunës qeveritare dhe kapjes së shtetit nga krimi i organizuar dhe oligarkia.

Organizata të shoqërisë civile si Nisma Thurje kanë udhëhequr një numër reagiesh të suksesshme qytetare për të kundërshtuar politikat dhe sjelljet korporatokratiste të Edi Ramës dhe Erion Velisë. Aktorët e Teatrit Kombëtar janë në një përplasje paralele me qeverinë e Edi Ramës dhe bashkinë e Erion Velisë në lidhje me projektin për prishjen e teatrit ekzistues dhe ndërtimin e një kulle në atë truall. Biznesi i vogël që prej disa ditësh është përfshirë në skemën e TVSH-së që ka shkaktuar edhe falimentimet e para mes këtij komuniteti jetik për punësimin dhe të ardhurat e pjesës më të madhe të shqiptarëve. Taksa të reja dhe shumëfishim i taksave ekzistuese si taksa e banesës, janë shtuar në faturat e shërbimeve që mbërrijnë në shtëpitë e shqiptarëve.

Shkodra dhe rrethinat e saj janë prej javësh nën pushtetin e përmbytjeve të braktisura nga qeveria në formën më demonstrative. Ndërsa rrugët kryesore të vendit, ashtu si Rruga e Kombit, pritet të aksesohen me pagesë. Fëmijëve në çerdhet dhe kopshtet e Bashkisë Tiranë u është shtruar pjata me trahana dhe tërshërë, që revokon tmerret e urisë së Këto dhe shumë probleme të tjera që po prodhon qeveria e Edi Ramës kanë krijuar një ansambël protestuesish që tejkalon disa herë spektrin e opozitës së organizuar politike. Ky ansambël është sot i papërfaqësuar dhe mospërfaqësimi rrezikon përkrahjen e gjerë të protestave.

Një zgjidhje e arsyeshme do të ishte krijimi i një koalicioni qytetar me të gjithë këta aktorë për të shërbyer si mekanizëm koordinimi dhe si garanci e legjitimitetit e besueshmërisë së mosbindjes civile. Makineria e dhunës dhe propagandës e Edi Ramës është një aparat strategjik që funksionon me një drejtim të centralizuar dhe të përpiktë. Asnjë veprimtari opozitare të cilës i mungon një koordinim i kësaj shkalle dhe një qëllimshmëri e tillë e organizuar nuk mund ta prapësojë këtë teknologji të mbrapshtë të Edi Ramës, Erion Velisë dhe plutokracisë që ata ushqejnë.

Një organizëm drejtues i protestave të gjera në çdo qytet të Shqipërisë, i përbërë nga përfaqësues të opozitës, shoqërisë civile, autoriteteve morale dhe intelektuale e paralizon çdo epërsi të pretenduar të makinerisë oligarkike dhe mund të gërryeje edhe mbështetjen ndërkombëtare të Edi Ramës dhe Erion Velisë. Vetëm depozita morale dhe resurset intelektuale të një besëlidhjeje të tillë mund t’i japin qëndresë dhe pasion mbështetjes së gjerë qytetare të projektit më të madh politik të pas-përmbysjes të diktaturës 45-vjeçarë: rrëzimin e diktaturës së supersofistikuar të plutokratëve Edi Ramës dhe Erion Velisë.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?