Ministrat dhe zyrtarët e lartë, tani do mbrohen me armë moderne dhe supermasa sigurie

Aktualitet

Mes 429 vendimeve dhe projektligjeve që ka vendosur që të përpilojë qeveria gjatë vitit 2018, është planifikuar edhe miratimi i një projektligji dhe 8 projektvendimeve, që synojnë rritjen maksimale të masave të sigurisë për personalitetet e larta shtetërore. Por përveç atyre që sipas ligjit gëzojnë mbrojtje deri më tani, parashikohet që të zgjerohet lista me funksionarët e lartë, që do të merren nën ruajtje.

Ky projekt zbulohet në një vendim të Këshillit të Ministrave, i zbardhur në datën 24.1.2018, në të cilin jepen edhe hollësi, raporton Shqiptarja.com. Kështu sipas njërit prej projektvendimeve parashikohet ngritja e një instituti të posaçëm, i cili do të merret vetëm me formimin dhe kualifikimin e shërbimit të sigurisë së personaliteteve të larta shtetërore. Pra do të kemi një shkollë speciale e cila do të trajnojë nga ana profesionale dhe fizike të gjithë punonjësit e policisë, të cilët do të ruajnë jetën e qeveritarëve dhe familjeve të tyre.

Një tjetër projektvendim është gati për zgjerimin e listës së funksionarëve që do të mbrohen nga shërbimi i sigurisë së personaliteteve të larta shtetërore. Në listën e personaliteteve që do të ruhen, do të përfshihen edhe krerët e organeve të reja të drejtësisë si kreu i Byrosë Kombëtare të Hetimit, kreu i Prokurorisë së Posaçme etj. Në këtë kuadër, do të shtohen edhe objektet dhe rezidencat, që do të sigurohen nga shërbimi i sigurisë së personaliteteve të larta shtetërore.

Gjithashtu nëpërmjet një projektvendimi tjetër përcaktohet edhe lloji i armatimit dhe mjeteve teknike të posaçme për punonjësit që do të kujdesen për sigurinë e personaliteteve të larta shtetërore. Armët dhe mjetet do të jenë moderne, njësoj si ato të shërbimeve të vendeve homologe në NATO. Qeveria është kujdesur për veten dhe zyrtarët e saj, edhe për mjetet lëvizëse. Nëpërmjet një projektvendimi tjetër do të përcaktohen automjetet e posaçme që do të përdoren, për transportin e personaliteteve të larta shtetërore.

Personalitetet që ruhen nga garda Ligji për Gardën e Republikës ka përcaktuar personalitetet e larta shtetërore që ruhen nga shërbimi i sigurisë. Aktualisht, garda ruan e mbron, presidentin, kryetarin e kuvendit, kryeministrin si dhe familjet e tyre. Garda mbron personalitetet e huaja, që vijnë në vendin tonë.

Po ashtu, ruan kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, zëvendëskryetarët e Kuvendit, anëtarët e Këshillit të Ministrave, kryetarin e Gjykatës së Lartë, Prokurorin e Përgjithshëm, kryetarin e SHISH-it, kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, Guvernatorin e Bankës së Shtetit, Avokatin e Popullit, kryetarin e KQZ-së, kryetarin e opozitës dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës.

Presidenti ruhet edhe katër vite të tjera pas mbarimit të mandatit, ndërsa kryeministri edhe tre vite të tjera. Gjithashtu, garda ruan banesat e të gjithë të lartpërmendurve si dhe institucionet shtetërore ku ushtrojnë detyrën.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *