Kryemadhi nga Shkodra: Rama është kthyer në një lolo televizionesh

Aktualitet

Monika Kryemadhi pati sot një takim me strukturat e LSI-së në Shkodër. Gjatë fjalës së saj para anëtarëve të kësaj partie, Kryemadhi lëshoi akuza të forta në drejtim të kryeministrit Edi Rama dhe ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i cili po hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në lidhje me skandalin e përgjimeve të drejtësisë italiane të bandës së Habiljave.

Kryemadhi u shpreh se Rama është kthyer në një lolo televizionesh. Dhe për këtë arsye ajo i bëri thirrje që të dorëzojë para drejtësisë Saimir Tahirin, të cilin Kryemadhi e cilësoi si “Lolo të kryeministrit”.

“Rama të dorëzojë Lolon dhe të lërë drejtësinë të bëjë punën e saj. LSI është e vendosur të demaskojë këtë kryeministër lolo dhe të gjithë zinxhirin kriminal”- u shpreh ndër të tjera Kryemadhi.

Në vijim, kryetarja e LSI-së u shpreh se Rama është i frikësuar nga kjo çështje, dhe për këtë arsye, tha ajo, ai censuroi dje transmetimin në televizione të ceremonisë së përurimit të shtatores së heroit të demokracisë, Azem Hajdari që u zhvillua paraditen e djeshme në Tropojë.

“Rama një kryeministër në ikje i frikësuar. Nga frika Rama censuroi në televizione aktivitetin madhështor për Azem Hajdarin”- u shpreh Kryemadhi.

Ndërkohë, kryetarja e LSI-së gjatë fjalës së saj u ndal edhe tek situata e rëndë ekonomike që po kalon vendi, ku theksoi se gjendja e varfërisë dhe papunësisë në Shqipëri është alarmante.

“Gjendja e varfërsisë dhe e papunësisë në Shqipëri alarmante. Qindra mijëra familje jetojnë me më pak se 2 dollarë në ditë. Qeveria mendon më shumë për oligarkët, se për qytetarët dhe të rinjtë e papunë” – deklaroi Kryemadhi.

Nga Shkodra, Monika Kryemadhi u shpreh se qeveria u zhvati qytetarëve të saj 70 milionë euro për t’ia dhënë oligarkëve që qëndrojnë pas saj.

“Qeveria u zhvati 70 milion euro qytetarëve, për t’ja u dhënë oligarkëve. Me këto para do të ishin financuar 70. 000 vende të reja pune”- nënvizoi kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?