Luan Rama/ Një zë që thirri në shkretëtirë! Fildezen e vrau shteti!

Aktualitet

Cronaca d’un muerte anunçiada! (Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar). Më erdh në mend titulli i këtij libri të famshëm të  Marques-it, pas gjithë asaj tragjedie kriminale që fatalisht vrau jetën e një gruaje – nënë e qytetare e mirë!

Fjalët, tani që Fildeze Hafizi nuk jeton më, e vrarë në mes të ditës mu mes të Tiranës, nuk kanë asnjë vlerë!

Sepse ajo i tha dhe i bëri të gjitha sa qe gjallë; denoncoi, luftoi, kerkoi ndihmë e mbrojtje për jetën, e megjithatë humbi!

Humbi në betejën e jetës së vet!Megjithëse u përpoq që në këtë betejë të mos ishte e vetme!Humbi sepse e vranë!

E vranë!!!

E vrau shteti i vet, ai që më së pari e kishte për detyrë ta mbronte!

E vrau mosveprimi, indiferenca, heshtja, braktisja e të gjithëve ne që e kishim për detyrë ta mbronim!

E vrau sistemi që ne kemi krijuar që e kishte për detyrë ta mbronte!

E vranë kolegët e sajë, prokurorë e gjyqtarë që me veprimet e mosveprimin e tyre kriminal nuk zgjodhën ta mbronin me armët e drejtësisë, por e vranë duke mbajtur anën e ish-burrit vrasës e duke u bërë ortakë me të në këtë krim makabër!

E tani, ajo, gruaja e pambrojtur, nëna e dy fëmijëve jetimë, gjyqtarja e përkushtuar, qytetarja e mirë Fildeze Hafizi nuk jeton më!

Për fajin tonë! Për fajin e shtetit në shërbim të të cilit ishte!

Prandaj tash e mbrapa fjalët nuk kanë më asnjë vlerë!

Shteti vrasës, qeveria vrasëse, prokuroria vrasëse, gjykatat vrasëse, politika vrasëse, shoqëria vrasëse, nëse duan të dëshmojnë se nuk do të jenë të tillë, pra nëse nuk do të jenë vrasës edhe nesër, edhe pasnesër, edhe në çdo ditë të të ardhmes tonë, le ta dëshmojnë duke “vrarë” me forcën e ligjit të gjithë vrasësit e Fildezit, nënës së dy fëmijëve jetimë!

Ndërsa krerët e drejtësisë e të qeverisë e të gjithë ata të cilëve gjyqtarja e vrarë ju kerkoi ndihmë, për t’i shpëtuar jetën, le ti mbajnë letrat e saj si dëshminë e një zëri që thirri në shkretëtirë, por që nuk e dëgjoi njeri! Vox clamantis in deserto! – sipas Biblës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *