Pasi i quajti delenxhinj, Rama u rrit rrogën ambasadorëve
I quajti të leshtë, delenxhinj, pazarxhinj dhe në fund u premtoi, se do t’ju rrisë rrogën dhe gjithë benefitet e tjera financiare.
Ky ka qenë pak a shumë thelbi i takimit të parë zyrtar të Edi Ramës, me zyrtarët e shtetit të tij që shërbejnë nëpër botë, pasi mori në 25 Qershor timonin i vetëm.
“E kam shumë të vështirë të gjej rastin e fundit kur kam takuar në zyrën time operatorë ekonomikë të huaj, që i keni sjellë ju. Si ka mundësi që kemi qenë kaq të avashtë, ose për ta thënë shqip kaq të leshtë, për të gjetur mekanizmat e duhur, për të ndërtuar platformat që realiteti ynë, ky vend që ndryshon me muaj dhe me javë të pasqyrohet me angazhimin e vazhdueshëm jashtë kufijve tanë, ku na njohin pak, s’na njohin fare, ose na njohin keq. Ne kemi bërë një vrimë në ujë…Ende kemi diplomate delenxhinj, pazarxhinj. S’po zbres deri te shoferet e ambasadave, ku akoma gjendet ndonje timionier kaçak”, përshkroi Rama punën e diplomatëve shqiptarë, që na përfaqësojnë nëpër botë.
Por pavarësisht gjithë këtyre, ai nuk paralajmëroi ndonjë reformë të thellë në këtë sektor jetik, jo vetëm për imazhin e vendit, por edhe për investimet e huaja që këto katër vite të “Rilindjes”, de fakto nuk i kanë kaluar 5 milion Euro.
Duke lënë për të kuptuar se mund të “presë kokën” e shefit të tyre të madh, Ditmir Bushatit, Rama jo vetëm që nuk paralajmëroi masa ndaj të leshtëve, delenxhinjve dhe pazarxhinjve që kishte përballë, por përkundrazi u premtoi shtim të financave në funksion të rrogave dhe përfitimeve të tjera që kanë për familjet.
“Duhet të jeni të gjithë të bindur që unë e njoh volumin e madh të punës që ka Shërbimi i Jashtëm…Nuk ka diskutim se rruga është e duhura, rezultatet janë inkurajuese. As nuk diskutohet që ne do të bëjmë më shumë për të garantuar mundësi dhe kushte dinjitoze në punën dhe jetesën tuaj. U kam kërkuar ekspertëve tanë që të paraqesin disa skenarë të rritjes së kontributit financiar për ju. Diferenca e madhe e pagave mes nesh dhe vendeve të rajonit ka ardhur koha të ngushtohet dhe brenda këtij mandati të zerohet”, i qetësoi më në fund kryeministri, delexhinjtë dhe pazarxhinjtë diplomatë me fytyra të vrerosura dhe në prag ataku kardiak, që pas gjithë kësaj ju rikthyen pushimeve duke pritur rroga më të larta, që nga Shtatori!