2 milionë dollarë për Teatrin e Operas nga Kina
Qeveria e Republikës Popullore të Kinës i jep Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë një grant me vlerë 2 milionë dollar. Shuma do të përdoret për pajisjet në zbatimin e punimeve të projektit me objekt: Rikonstruksioni i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor.
Marrëveshja ekonomike-teknike ndërmjet Qeverisë së Republikës Popullore të Kinës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë u nënshkrua në ambientet e Ministrisë së Kulturës, nga Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe Ambasadorja e R.P. të Kinës në Shqipëri, Jiang Yu.
“Kjo marrëveshje është një ëndërr e bukur për një kohë të gjatë”- u shpreh ambasadorja Jiang Yu. Ajo shtoi se “marrëdhëniet tona me Shqipërinë janë bërë më të shpeshta dhe më të mira ç’ka nënkupton se kultura është shkëmbim i shpirtit të popujve tanë”.
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro tha se “jemi në një moment të rëndësishëm të bashkëpunimit tonë, ku R.P e Kinës, jo vetëm që jep një kontribut të vyer, por edhe lë gjurmën e vet në qendër të Tiranës. Marrëveshja e bashkëpunimit kulturor me Kinën është një nga më të suksesshmet”.
Pas nënshkrimit të Deklaratës së përbashkët të Iniciativës për Kulturën 16+1 ku bëjnë pjesë vendet e Europës Qendrore- Lindore dhe Kina në Sofje, dy ministrat e kulturës, Mirela Kumbaro dhe Luo Shugang ndërtuan marrëdhënie më të ngushta dypalëshe duke intensifikuar programin e bashkëpunimit kulturor. Në kuadër të forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit kulturor, Shqipëria dhe Kina kanë firmosur marrëveshjen e përbashkët 5 -vjeçare. Marrëveshja u nënshkrua në Tiranë nga ministrja Mirela Kumbaro dhe zëvendës ministri kinez i kulturës Ding Wei.