Vendi ynë për të ishte një pikë në oqean!
Analisti Artur Zheji, i ftuar në emisionin ‘Pikat mbi i’, foli për Fondacionin Soros, teksa u shpreh se është e paimagjinueshme që Soros të ketë interesa në Shqipëri, pasi sipas tij është thjesht një pikë në oqean. Sipas Zhejit, Shqipëria për entitetin Sorosian është një pikë në oqean, ndërsa theksoi se habitet për vëmendjen e tij ndaj vendit tonë.
‘Një herë kam qëlluar, kur vija nga Roma në Shqipëri, në kohën kur qarkullonte lajmi se kishte ardhur Sorosi, por këta sorosianët shqiptarë e mbanin me agjendë të mbyllur takimin me të. Mbaj mend ka qenë z. Piro Misha, e disa të tjerë, që e shoqëronin. Unë nuk kam kontakte personale dje ishte shumë interesant rrëfimi i Lubonjës se këtu lidhet edhe epërsia që krijoi Rama në marrëdhënie të veçanta, me një figurë si Sorosi. Sorosi hyn me Shoqërinë e hapur dhe rreth tij u krijuan shumë sipërmarrje private që mbanin si buxhet paratë e fondacionit dhe duke lexuar edhe akuzat dhe betejën mes Putin dhe Soros, pothuajse e gjithë ekonomia e ish-bashkimit Sovjetik u dominua nga Sorosianët. Sorosi u bë shumë i dashur në perëndim sepse ktheu drejt tregut perëndimor Rusinë dhe thuhet se ka qenë ndërmjetës për bllokimin e armëve të rrezikshme atomike që të mos binin në duar të gabuar. Një kolos kaq i madh që vjen në Shqipëri më duket një paradoks i madh dhe më duket qesharake që thuhet se angazhimi i tij është kaq i rëndësishëm. Që ai të ketë interes ekonomik në Shqipëri më duket fare e parëndësishme”, tha analisti Zheji.
Nga ana tjetër, Fatos Lubonja theksoi se Fondacioni Soros kur ka ardhur në Shqipëri, Shqipëria hyri në strategjinë e tij.
“Në konceptin e Soros ishte një forcë autonome që shërbente për të balancuar pushtetin. Sidomos amerikanët nga vinte edhe Soros i kanë mëshuar një ideje që ndryshonte nga Europa pasi shoqëria civile e tyre nuk merrte para nga shteti , por financohej nga biznesmenë. Thelbi ishte që shqiptarët të krijonin fondacionin e tyre.”, tha Lubonja, i cili shtoi se, Soros edhe pse nuk e njihte mirë situatën në Shqipëri dhe se kishte një fytyrë të dyfishtë në veprimtarinë e tij, në një moment pati edhe konflikte.