Mediat ndërkombëtare/ Mijëra në Shqipëri kërkojnë dorëheqjen e Ramës

Aktualitet

Mediat e huaja shkruajnë se Partia Demokratike dhe aleatët e saj zhvilluan një protestë duke kërkuar rrëzimin e qeverisë, ndërkohë me mijëra mbështetës të opozitës akuzojnë qeverinë për krim të organizuar dhe korrupsion, thuhet në artikujt e mbulimit mediatik ndërkombëtar për protestën në Shqipëri.

Agjensia ndërkombëtare e lajmeve Assosiated Press shkruan se opozita e Shqipërisë zhvilloi një protestë kundër qeverisë duke e akuzuar për lidhje me krimin e organizuar dhe bënë thirrje për dorëheqjen e saj.

Në artikull thuhet se mijëra mbështetës të Partisë Demokratike dhe të aleatëve të saj si Lëvizja Socialiste për Integrim dhe partitë e tjera më të vogla u mblodhën të shtunën në kryeqytetin e Tiranës, për të protestuar kundër qeverisë.

Epërditshmja britanike Daily Mail e hap artikullin për Shqipërinë nën titullin “Opozita e Shqipërisë mban protestë anti-qeveritare” ndërsa shkrimin e pasqyron me foto të forcave të policisë.

Washington Post, shkruan se siguria e policisë ishte tejet e lartë pranë zyrave kryesore të qeverisë ku mbahet tubimi, e më pas vijon duke thënë se protesta po konsiderohet si një provë ndaj mbështetjes për opozitën në vend.

Protestës së 27 Janarit iu bë jehonë edhe nga mediat e tjera ndërkombëtare si ABC News, Fox News dhe televizoni shtetëror rus Ruptly.