Nga Agron Tufa: Një përgjigje e vjetër për të njëjtat shpifje të Kastriot Myftarajt dhe të atyre që marrin hua shpifjet e Kastriotit për të m’i tundur para syve

Aktualitet

Goja llap e shpina dap!

1. Më paska sharë Kastriot Myftaraj!!!
Në mbarim të një leksioni që pata këto ditë me studentët e programit master të departamentit të Gazetarisë në Fakultetin Filologjik, njëri nga studentët më pyeti në auditor:
– Profesor, a e lexuat sot një shkrim të Kastriot Myftarajt kundër jush?
– Jo, – thashë.
– Po pse?
– E para, nuk kam dijeni. E dyta, edhe sikur ta dija, ose do të merresha me Buzukun, Budin e Bogdanin për leksionin tuaj, ose do të merresha me Kastriot Myftarajn. Axhenda e përjashton detyrimisht njërën palë.
– Po a e njihni, të paktën?
– Personalisht?
– Qoftë dhe personalisht…
– Pata vetëm një rast, njëherë… por, sapo u prezantuam, ndodhi diçka e tmerrshme që e bëri të pamundur njohjen normale… por për ju kjo s’ka rëndësi.
Dola nga auditori dhe, të them të drejtën, më erdhi keq që nuk e pyeta studentim për gazetën ku paskësh publikuar Kastriot Myftaraj shkrimin “kundër meje”. Sepse askush nuk është indiferent deri në atë shkallë, sa të mos interesohet çfarë kanë shkruar për të… qoftë dhe për shpifjet, siç ndodh rëndom të bëhen nga antropoidë mizantropë, që personalitetin e tyre prej lythi shoqëror, si në rastin e K. Myftarajt, e kanë rritur dhe vënë në spikamë agresive, duke u ushqyer me të gjitha sekrecionet e diktaturës komuniste dhe tranzicionit postkomunist. Mandej e harrova. Por nuk qenkësh thënë: studenti im, mbase duke menduar, se shkrimi i Kastriot Myftarajt do të më interesonte, ma kishte nisur me postë elektronike, bashkë me komentet e miletit anonim. Artikulli, ishte, siç pritej: kryefund, produkt tipik prej lythi të majmur në axhendën e vjelltinave ku gjëllojnë këto mutacione.

2. Si dështoi njohja normale me Kastriot Myftarajn

Një pasdite vjeshte të vitit 2005, në një kafe pranë “Zayed Bussines Center” ku kishim redaksinë e gazetës “Tema”, kishim lënë të takoheshim me z. Mero Baze dhe një koleg tjetër. I gjeta në tavolinë, bashkë me një të tretë, të cilin nuk e njihja. Prezantimin e bëri Mero: “Njihuni, Agron: Kastriot Myftaraj”, – tha, duke bërë me dorë në drejtim të një burri dërdëng e kokëmasiv. I dhamë dorën njëri-tjetrit dhe po ulesha në karrigen time. Ende s’qeshë ulur mirë, kur dikush që hyri në lokal rrëmbimthi iu afrua tavolinës sonë dhe…. sa hap e mbyll sytë u dëgjua një kërcitje aq spektakolare, a thua se pëlciti një tollumbace e gjigande. Vetëm kur, fill pas pëlcitjes, u dëgjua zhurma e vithisjes së njeriut përballë, bashkë me karrige dhe mbi të kërceu dikush që po e dërrmonte me grushta. Ky ishte prezantimi im me Kastriot Myftarajn. Mezi arritëm ta shqisnim burrin e fuqishëm prej tij. Arrita vetë ta largoja prej andej e ta shoqëroja deri në redaksi. Për më tepër, ai (N.K), ishte korrektori i gazetës “Tema”, një burrë i urtë e i vuajtur prej një familjeje të persekutuar gjatë komunizmit, baba i katër fëmijëve, që shihte punën e vet. Prandaj dhe u habita fort me atë shpërthim zemërimi.
– Çfarë pate more N!? – e pyeta, kur hymë në redaksi.
– Do ta dish? – tha, duke u dridhur ende nga zemërimi. – Afrohu të lexosh këtu, se çfarë shkruan ai pisi – tha, duke më treguar ekranin e kompjuterit. Ishte një shkrim, të cilin, me sa duket, duhej ta korrektonte për faqosje. E lexova dhe u rrënqetha nga neveria. Shpifje tepër të ulëta që preknin N.K dhe fëmijët e tij, asokohe të mitur.
– Ky është kulmi, – shfrynte ai, – përveç se shpif e fyen aty ku s’duron kush, mua si korrektor, kupton… më takon t’i rregulloj dhe tekstin nga ana gjuhësore! Kur më thanë se Kastriot Myftaraj ishte poshtë, në kafe, s’më mbajti vendi!
Zbrita në kafe për të marrë çantën. Ia kishin fshirë gjakun me letërpeceta. Bëra të ulem, por ndërrova mendje, se ishte e pamundur të rrije, duke pasur përballë një të zhburrëruar, në faqen e bollshme të të cilit, dukeshin ende vijat e të pesë gishtave të shpullës. Në traditën ku jemi rritur ne thuhet: “Burri vritet, nuk rrihet!”. Sepse rrahja, për burrin, është marrja e erzit. “Kushedi sa të tilla ka ngrënë”, – thashë me vete, teksa largohesha, “por ama, shpullë më të merituar se ajo, zor të ketë hëngër!” Dhe ta mendosh, se nga një hektar shpullë si ajo, mbetesh jo gjashtë muaj, por gjashtëdhjetë vjet budallë! Nuk e di sa shpulla të tjera ka ngrënë Kastriot Myftaraj nga ajo ditë dhe sa të tjerave ua ka bërë hyzmetin, por sa herë ndesh me fytyrën e tij në ekrane, me zë sikleti dhe ndërroj kanal, ngase pavullnetshëm zë të hetoj ndonjë gjurmë flakurime, e në mos, ndonjë flakurimë eventuale me siguri vërtitet rreth tij. Po, po, rreth tij vërtiten flakurima. Dhe kështu po e ngrys shekullin ky i gjorë, brenda idiomës popullore: “goja llap, e shpina dap!”

3. Si të pastrosh veten nga vjelltinat e Kastriot Myftarajt?
Në lidhje me Kastriot Myftarajn unë rrëfeva atë që di, që kam parë konkretisht, pa u nisur nga asnjë hamendje, pa shpifje, pa fantazi të sëmurë. Në lidhje me vjelltinën e tij shkrimore përplot shpifje e urrejtje ndaj meje, nuk po lodhem shumë: thjesht, po sqaroj ata që më njohin e s’më njohin, se gjithçka “racionale” në shpifjet e deformimet e tij, ia vlen një përgjigje. Për ata të paktë lexues, sigurisht, jo për të zhburrëruarin. Pjesës me desertin shizoidal të shkrimit të tij, s’ia vlen t’i përgjigjesh. Dhe le më t’u vësh veshin gjykimeve e vlerësimeve estetike të një burri që e shqepin më dru, ditën për diell, m’u si ndonjë lavire!
Kështu po i rreshtojmë me rradhë:
Kastriot Myftaraj thotë: Agron Tufa mban postet e drejtorit të Institutit të Studimit të Krimeve të Komunizmit (institut shtetetëror ky, jo OJF) dhe të kryetarit të Këshillit Drejtues të Radio-Televizionit Publik. Është njëkohësisht edhe pedagog në Universitetin Publik, Fakulteti i Filologjisë, Departamenti i Letërsisë, ku jep lëndën e letërsisë së huaj të shekullit XX.
E Vërteta është: Agron Tufa mban postin e Drejtorit të Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, post në të cilin e zgjodhi Bordi i Institutit prej 7 anëtarësh, që u votua në Parlament në vitin 2010, pasi Agron Tufa paraqiti më parë dorëheqjen nga pedagog i brendshëm në Fakultetin Filologjik të UT, sikurse parashikon ligji shtetëror, që ndalon dypunësimin me kohë të plotë. Tufa jep leksione për letërsinë e Huaj të shekullit XX si i jashtëm, d.m.th., krejt në respekt të ligjit. Tufa është Kryetar i zgjedhur i Këshillit Drejtues në RTSH deri në fund të janarit 2014, kohë kur fillon nga puna KD i ri, që aktualisht pritet të votohet pas datës 20 janar 2014 në Parlament. Duhet theksuar se ky Këshill është një punë par-time. Këto detyra, me kronologji të ndryshme fillimi, asnjëherë nuk kanë qenë paralel dhe kurrë nuk ka patur, për asnjë ditë, zotërim të njëkohshëm të dy punësimeve qëndrore.
Kastriot Myftaraj shpif: Tufa është njëkohësisht edhe anëtar i forumeve të larta të Partisë Demokratike.
E Vërteta është: Agron Tufa nuk është antar i asnjë forumi as të lartë e as të ulët i Partisë Demokratike dhe i asnjë partie tjetër!
Kastriot Myftaraj shpif: Në kohën që PD ka qenë në pushtet Agroni ka qenë dhe anëtar i shpeshtë i jurive shtetërore që japin cmime letrare.
E Vërteta është: Agron Tufa ka qenë dy herë në juritë shtetërore: njëherë antërar në vitin 2002 (kur, siç e dimë, nuk ka qenë partia demokratike në pushtet) dhe njëherë kryetar në vitin 2010, si traditë që i takon çdo fituesi të Çmimit të Madh për Letërsinë, të kryesojë jurinë e vitit pasardhës (sikurse ishte dhe Visar Zhiti një vit pas fitimit të këtij çmimi).
Kastriot Myftaraj thotë: Kur nuk ka qenë vetë anëtar jurish kanë qenë miqtë e tij ne juri, dhe Agroni ne saje te tyre ka qenë fitues çmimesh me romanet e tij mediokre, me tituj si “Tenxherja”.
E Vërteta është: Agron Tufa ka fituar çmimin “Penda e argjendtë” në vitin 2004 me romanin “Fabula rasa” kur në pushtet nuk ka qenë partia demokratike dhe kur në Juri kanë qenë personalitete me të cilët Agron Tufa nuk ka patur ndonjë miqësi të ngushtë. Gjithashtu Tufa ka fituar Çmimin e Madh me 2009 jo për romanin “Tenxherja”, por për librin me miniatura “Thembra e akcilit”. Dihet një fakt: të gjithë krijuesit shqiptarë të gjallë njihen mesvedi.
Kastriot Myftaraj thotë: Puna e parë që bëri drejtor Agroni ishte të merrte në bordin e Institutit gruan e Mark Markut, Dhurata Shehrin, shefen e Departamentit të Letërsisë, në Universitetin Publik të Tiranës, ku Agroni jep mësim.
E Vërteta është: Agron Tufa, si Drejtor Ekzekutiv, në bazë të ligjit të Institutit, nuk ka fuqi të zgjedhë askënd në përberje të Bordit (që thamë se u zgjodh nga Parlamenti!), sepse këtë fuqi e ka me ligj Bordi, prej të cilit vetë Tufa është i zgjedhur. Bordi ka zgjedhur Agronin, e jo anasjelltas!
Kastriot Myftaraj shpif: Në fakultet, Agron Tufa nuk ka bërë as një libër leksionesh për studentët.
E Vërteta është: Agron Tufa, në fakultetin ku ka dhënë leksione si brendshëm (dhe jep tash, si i jashtëm) ka botuar me miratim të Këshillit Shkencor të Departamentit të Letërsisë dhe të miratuar nga SHBLU – 2 vëllimet e librit “Letërsia dhe procesi letrar në shekullin XX” 1 dhe 2, secili, përkatësisht me nga 400 dhe 333 fqe. Këto libra madje janë në proces ribotimi, tashmë në 3 vëllime.
Kastriot Myftaraj shpif: Instituti i Studimit të Krimeve të Komunizmit nuk ka bërë gjë tjetër vecse ka shpërndarë disa para për të botuar disa libra me kujtime dhe ndonjë libër me dokumente që ishin mbledhur që më parë… etj, etj.
E Vërteta është: Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, edhe pse me një staf shumë të vogël dhe pa mbështetjen absolute të financimit të shtetit, i cili mbështetjen e ka për detyrë të përcaktuar në ligj, ka gjetur mundësi bashkëpunimi me fondacionin “Konrad Adenauer” dhe të tjerë dhe ka botuar, për dy vjet, 16 volume me studime bazuar mbi dokumentat e arkivave, libra memuaristikë si dhe kolanën që po vijon të “Fjalor Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist”, pa llogaritur forokopjimin e disa mijëra dokumentave nga arkivat e shtetit, pa llogaritur qindra videoregjistrime bisedash me të mbijetuarit nga burgjet dhe internimet e diktaturës komuniste anembanë Shqipërisë , pa llogaritur konferenca, dokumentarë et, etj, mbi krimet e komunizmit.
Po t’i heqësh këto, kinse pretendime, çorbës së neveritshme të Kastriotit me shokët e tij të zeherosur, gjithçka tjetër vetëmse e thekson misionin e shpifësve publikë, zeje me të cilën e mban gjallë ekzistencën e tij ky lyth i sekrecionit komunist e postkomunist. “Ferri i vërtetë – thotë F. Nietze, duke iu drejtuar kategorisë së kastriotëve me m… – është jo të dish se çfarë shkruajnë ata për ty, por ta çosh ndërmend, për një grimë, se si të imagjinojnë ata në fantazinë e tyre… po të të kishin në dorë”. Mirëpo askush, askënd s’e ka në dorë. Përveç Zotit. Ai sheh dhe bën; i jep secilit hakun. Edhe Kastriot Myftarajt. Kij mëshirë o Zot për të! Amin!

0 0 votes
Article Rating
Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

Subscribe
Notify of
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments