Ndahet nga jeta Presidenti i Telesport, Muhamet Malo.
Nga Eduard Ilnica.
Bota e sportit dhe e biznesit është në zi. Kanë humbur një nga figurat më të nderuara, Muhamet Malon. Zemra e tij pushoi së rrahuri pasditen e sotme, edhe pse luftoi shumë për të mposhtur sëmundjen e tij. Muhamet Malo u lind më 13 maj të 1957-s, me origjinë kolonjare. Një ish-sportist i njohur, mundës në radhët e Partizanit me shumë gara të fituara. Nga viti 1982 deri në 1990 është kampion i Shqipërisë në mundjen klasike për peshën 82 kg deri në 90 kg. Ai ka qenë President i Federatës Shqiptare të Mundjes nga viti 1992 deri në vitin 1996. Që nga viti 2005, Malo ka mbajtur postin e Presidentin e Shoqatës Kombëtare të Mundjes. Në vitin 2008 ai u emërua si President Nderi i Federatës Shqiptare të Mundjes.Muhamet MaloMuhamet Malo ishte një burrë trupmadh, me një shikim të butë që i qëndroi besnik natyrës së tij të mbyllur, tradicional, larg medieve të shkruara dhe atyre vizive, duke mos përdorur asnjë nga truket për të qenë në qendër të vëmendjes. Një njeri që e njohu shumë mirë sportin, por edhe historinë e Shqipërisë dhe jetën politike shqiptare. Një demokrat i lindur, por që kurrë nuk e përdoruri ose përqafoi politikën si qëllim në vetvete. E konsideroi veten një bashkëshort të devotshëm, ku familja përbënte thesarin më të shtrenjtë të jetës dhe bashkëshorten e konsideronte një nga miket më të shtrenjta të zemrës.Muhamet Malo duke marrë çmimin nga Presidenti Bujar NishaniMuhamet Malo ishte humanisti më i madh që ka pasur ndonjëherë vendi ynë dhe pikërisht për këtë është nderuar me titullin “Honoris Causa”. Ai ngriti biznese unikale në Shqipëri. Ishte i pari që hapi një kompani bastesh sportive, më vonë u hapën shumë të tjera, por kurrë nuk u ngritën në lartësinë e “Eurolloto”-s, një kompani që tashmë operon edhe jashtë vendit në rajon, ku janë të punësuar mijëra vetë. Muhamet Malo ishte i pari që ngriti një televizion tërësisht dedikuar sportit, ku për herë të parë të gjithë shqiptarët ndiqnin “live” evenimentet europiane dhe ato ndërkombëtare, duke përfshirë ligat kryesore europiane të futbollit, por edhe NBA, tenis, çiklizëm e shumë e shumë sporte të tjera. Kujtojmë emisionin e famshëm “Ethet e së premtes mbrëma”, ku falë humanizmit të Muhamet Malos shumë këngëtarë të rinj filluan të ngrinin ëndrrat e tyre dhe jo pak i realizuan. Por nuk mbaron këtu, Muhamet Malo ishte i vetmi që ka ndërtuar një teleferik në Shqipëri, i gjithi me investimin e tij, ku afroi qytetin e Tiranës me malin e Dajtit, ku mijëra e mijëra vizitorë kanë mundësi të shijojnë gjatë gjithë vitit pamjet nga lart të kryeqytetit tonë apo të t’i gëzohen dëborës që bie. Muhamet Malo guxoi i pari të ishte aksioner në të parën bankë me kapital të gjithin shqiptar.Muhamet Malo pas nderimit “Honoris Causa”Të qënit kampion në sportin burrëror të mundjes, sporti i dha shumë rezultate që e bëri të renditej në plejadën e “Nderit të Mundjes shqiptare”, një nga çmimet që e kishte më shumë për zemër. Por më shumë sesa kaq, sporti e bëri guximtar në botën e biznesit, pasi Muhamet Malo nuk ishte mësuar të tërhiqet, edhe kur ndonjëherë kishte rënë në tapet. Është ringritur më i fortë dhe duke qenë i drejtë, Zoti ia shpërbleu mirësinë. Donacionet e tija ishin të pafundme, pa harruar që Muhamet Malo u kujdes personalisht për sjelljen e familjes mbretërore në Shqipëri. Ai nuk kërkoi merita, nuk donte medalje, pavarësisht se ato natyrshëm i erdhën vetë. Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, i akordoi titullin “Për Merita të Veçanta Civile”, me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit të dhënë në promovimin e bukurive natyrore shqiptare, nëpërmjet një investimi të denjë si ai i teleferikut “Dajti Ekspres”, duke ofruar një shërbim cilësor për shqiptarët dhe të huajt që vizitojnë Tiranën, si dhe për mbështetjen e financimin e shumë veprimtarive sportive dhe kulturore, kombëtare e ndërkombëtare”.Muhamet Malo me Reshat ArbanënNdodh rrallë, por për njerëz të rrallë, pikërisht për Muhamet Malon. Një president i SHBA-ve, Barack Obama, ka nderuar me çmim biznesmenin shqiptar, Muhamet Malo. Motivacioni? “Për arritjet gjatë jetës”. Pak fjalë, por që tregojnë madhështinë e këtij ish-kampioni të mundjes, kampion i humanizmit në Shqipëri, që përbëjnë edhe vlerësimin e ish-presidentit më të fuqishëm në botë: “Të nderuarit Muhamet Malo, me vlerësimin e mirënjohës për Korporatën për Shërbimin Kombëtar dhe Komunitar, si dhe nderimin nga zyra e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, me Çmimin e Presidentit për Arritjet Gjatë Jetës në angazhimin e tyre gjatë gjithë jetës për të ndërtuar një vend më të fuqishëm me anë të shërbimit komunitar”– shkruhet në mirënjohje.Muhamet Malo në zyrën e tij të punësE konsideroi veten si një burrë tradicional tiranas me shumë taban. E vlerësoi shumë rolin e bashkëshortes së tij si nënë e 4 fëmijëve, që sot janë të rritur dhe të shkolluar, por njëkohësisht dhe si bashkëpunëtorë në biznes. Bashkë me bashkëshorten nuk mungoi në asnjë nga aktivitetet me qëllim humanitar dhe mbi të gjitha aktiviteti i tyre ndihmës ishte ndaj azileve të pleqve, jetimëve dhe njerëzve në vështirësi. Një aktivitet human që atyre u buroi nga thellësia e zemrës së tyre, sepse lumturinë më të madhe e ndjejnë kur bënin të lumtur një fëmijë të gjymtuar, pa prindër dhe pa asnjë lloj përkrahje. “Unë vlerësoj njeriun.” Një shprehje e Tij që nuk ka si të mos lërë pa fjalë. Muhamet Malo është hero i kohërave moderne, sepse asnjë tjetër si ai nuk kontribuoi kaq shumë për sportin, për jetimët e për shumë e shumë aktivitete kulturore dhe botime librash.Muhamet Malo nderohet me “Honoris Causa”Njerëzit e suksesshëm nuk lindin, ata bëhen. Ata bëhen ashtu si gjithçka tjetër, përmes punës. Dhe Meti (ashtu siç e thirrën të gjithë) u bë nëpërmjet punës dhe përkushtimit. “Nëse njeriu rrethohet nga luksi, ka gjasa të humbasë shpirtin”, – thoshte Muhamet Malo. Ai jo vetëm që nuk e pëlqeu jetën e luksit, por në tavolinën e tij gjithnjë gjeje njerëz të thjeshtë, por më së shumti miq të vjetër, të cilët i ka mbështetur përherë. Muhamet Malo mund të kishte një nga njerëzit me influencën më të madhe në Shqipëri nëse do t’i ishte futur politikës, por me plot krenari pati thënë: “Nuk di të gënjej dot”. Ndër vite, në kompanitë që drejtoi Muhamet Malo, janë rritur profesionalisht qindra e qindra vetë dhe sot e kësaj dite kur i pyet për Metin, ata tregojnë të vërtetën: “Një nga njerëzit më korrektë”.Muhamet Malo duke takuar miqtë e tij ish-mundësa“Dashuria që kam unë për familjen time, miqtë dhe shokët e mi, dashurinë që ka familja ime dhe miqtë e mi, unë nuk vdes kurrë” – thoshte rreth një vit më parë Muhamet Malo. Por Zoti e paska dashur, siç duket, më shumë për vete, duke na e marrë Metin, sepse ai ishte i të gjithëve. Shpirti i Tij u prehtë në paqe! I përjetshëm qoftë kujtimi i Tij! Lamtumirë Muhamet Malo!