AktualitetAnalize

Kufiri i padukshëm mes kureshtjes publike dhe dinjitetit njerëzor

KAON

Sokrat Turtulli

Në ditët e sotme, kur kufiri mes publikes dhe privates po fshihet me një lehtësi të frikshme. Ngjarjet e fundit rreth publikimit të videove të kompozitorit Adrian Hila risollën në vëmendje një pyetje thelbësore: ku përfundon e drejta e publikut për të ditur dhe ku fillon poshtërsia e shkeljes së jetës private?

Ajo që ka ndodhur nuk është thjeshtë një lajm rozë apo një temë thashethemesh për rrjetet sociale, por është një goditje e rëndë mbi dinjitetin individual. Kthimi i jetës private të dikujt në një spektakël publik kushdo qoftë ai personazh, artist, apo qytetar i zakonshëm, është një akt i pafalshëm moralisht kur nga veprimet e tij nuk preket asnjë interes publik apo ligjor.

Në një shoqëri të pjekur, duhet bërë një dallim i qartë: askush nuk ka të drejtë të luajë rolin e gjykatësit të moralit për veprime që ndodhin brenda katër mureve mes të rriturve. Njerëzit e rritur janë të vetëdijshëm për zgjedhjet e tyre dhe i marrin vetë vendimet me dëshirë të plotë. Mirëpo, ajo që e bën këtë ngjarje dyfish më të shëmtuar është prerja në besë. Të filmosh dikë pa njohurinë dhe miratimin e tij, e më pas t’i bësh ato pamje publike, nuk është gjë tjetër veçse një pabesi e ulët dhe një cenim i hapur i të drejtave bazë njerëzore.

Më e dhimbshmja në të gjithë këtë histori është kostoja njerëzore. Prapa atyre videove nuk është vetëm një emër i njohur, por janë familje, fëmijë dhe njerëz të pafajshëm që përballen me një traumë të paimagjinueshme. Është e papranueshme që e ardhmja dhe qetësia e familjeve të tëra të shkatërrohen për kapriçot, hakmarrjet apo interesat e errëta të dikujt që zgjedh të luajë me jetët e të tjerëve nga hijet.

Kjo ngjarje duhet të shërbejë si një pikë reflektimi për të gjithë ne. Liritë e shprehjes dhe informacionit nuk mund të përdoren si mburojë për të arsyetuar poshtërsinë të diktuar nga rrjetet sociale. Çdo njeri meriton që jeta e tij private të mbetet e tillë, e paprekshme nga kureshtja e ushqyer me turpërimin e tjetrit.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?