Aktualitet

Në hetim nga SPAK/ Klodiana Spahiu emëron njeriun e Vilma Nushit për kontrollin e “Check-Up”-it

KAON

Nga Boldnews.al

 

 

Altin Fani, një prej njerëzve më të besuar të biznesmenes Vilma Nushi, është emërua drejtor operacional pranë Operatorit të Shërbimeve të Integruara Shëndetësore (OSHISH), me detyrë specifike menaxhimin e procesit të Kontrollit Bazë-Check Up.

Vendimi është marrë së fundmi nga drejtoresha e OSHISH, Yllka Kukulaj, e cila është një nga emërimet e para dhe më të rëndësishme të Ministries së re të Shëndetësisë, Klodiana Spahiu.

Altin Fani është administratori jetëgjatë i kompanisë “3P Life”, e cila zotëroi për dhjetë vjet kontratën koncesionare të “Check-Up-it”. Nga një vëzhgim i kryer nga “Boldnews.al” në faqen zyrtare të Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB), emri i Fanit rezulton ende administrator në shoqërinë koncesionare.

Megjithatë, ky detaj mund të tregojë thjesht një vonesë burokratike në dorëzimin e dokumentave, pasi redaksia ka mësuar nga burime të mirëinformuara se ai tashmë ka marrë detyrën e rëndësishme publike

 

 

Në foto: Kryeministri Edi Rama dhe sipërmarrësja Vilma Nushi

Koncesioni i Shërbimit të Kontrollit Bazë Shëndetësor ishte kontrata e parë ndër katër të tilla të nënshkruara nga qeveria shqiptare me kompani private. Afati i kontratës u zgjat edhe me dy vjet, duke shkuar në 12 vjet në total, ndërkohë që kostoja e saj u përllogarit në rreth 140 milionë dollarë.

Në përfundim të afatit të kontratës koncesionare, shërbimi i “Check-Up-it” i kaloi në kompetencë kompanisë publike, Operatori i Shërbimeve të Integruara Shëndetësore.

Por, megjithëse tashmë shërbimi do të ofrohet nga institucionet shtetërore, sërish menaxhimi i tyre pritet të realizohet nga njerëzit që e kanë kryer këtë proces për llogari të subjektit privat të Vilma Nushit.

Në praktikë, duket se asgjë nuk ka ndryshuar, pavarësisht se kryeministri Edi Rama dhe titullarët e Ministrisë së Shëndetësisë kanë deklaruar shpesh se tashmë shërbimet që më parë ishin dhënë prej qeverisë së tyre me koncesion, përfshirë Hemodializën, Sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale dhe Laboratorët, do të menaxhoheshin nga entet publike.

Formalisht, kjo gjë po ndodh, me krijimin e OSHISH. Por, zbatimi tregon tjetër gjë. Rasti konkret është pikërisht emërimi i Altin Fanit, ish-vartësit të Vilma Nushit, në krye të Drejtorisë Operacionale në OSHISH.

Fani dhe hetimet e SPAK-ut

Kontrata koncesionare për ofrimin e Shërbimit të Kontrollit Shëndetësor Bazë, Check-Up, është pjesë e një hetimi të nisur nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për mënyrën se si janë realizuar procedurat tenderuese dhe, sidomos, zbatimi i tyre.

Në foto: Formulari i fituesit të koncesionit të Shërbimit të Kontrollit Bazë (Check-Up)

Si administrator i shoqërisë, emri i Altin Fanit është përfshirë në listën e personave nën hetim ose të thirrur për të dhënë sqarime rreth kësaj dosjeje.

Gjithashtu, ai u thirr për të dhënë sqarime gjatë punimeve të Komisionit Hetimor Parlamentar për Koncesionet, në vitin 2022.

Në foto: Në vitin 2022, Parlamenti ngriti Komision Hetimor për koncesionet në Shëndetësi

Kompania “3P-Life” u krijua menjëherë pasi fitoi kontratën koncesionare të “Check-Up”-it. Ajo zotërohet në shumicën absolute (85 përqind) nga biznesmenia Vilma Nushi, nëpërmjet shoqërisë së saj, “Marketing and Distribution”.

Nënshkrimi i kontratës koncesionare 140 milionë dollarë është kritikuar ashpër nga opozita dhe ekspertë të sektorit të Shëndetësisë. Pronarja absolute e koncesionit, Vilma Nushi, njihet gjerësisht si mikeshë e kryeministrit Edi Rama, ndërkohë që aktiviteti i saj tregtar nuk ka pasur kurrë lidhje me sektorin e Shëndetësisë.

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në një auditim të kryer në vitin 2022, konstatoi se numri i qytetarëve që paraqiteshin për të kryer analizat ishte më i ulët se parashikimet, por kompania koncesionare përfitoi miliona euro nga taksapaguesit për analiza dhe shërbime që nuk u kryen kurrë në terren

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?