Berisha ndryshon drejtuesit politikë në qarqe, ja emrat
Me caktimin e datës së zgjedhjeve, kreu demokrat, Sali Berisha, vendosi të ndryshojë drejtuesit politikë në qarqe.
Gjatë mbledhjes së djeshme të kryesisë, u vendos që grupi i punës të përbëhet nga 36 funksionarë të PD-së. Dy ditë më parë, Partia Demokratike miratoi ngritjen e një grupi pune për qarkun e Tiranës për zgjedhjet e përgjithshme 2025, nën drejtimin e Belind Këlliçit. Por pas Tiranës, PD caktoi grupet e punës dhe drejtuesit e tyre edhe për disa qarqe të tjera në vend, për fushatën elektorale të zgjedhjeve të ardhshme të 11 majit, të dekretuara dje nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.
Bie në sy fakti se në Durrës është caktuar vetëm kreu i grupit, pikërisht ish-deputeti Gent Strazimiri, por jo ende ndihmësit e tij në shtab, teksa do të kenë edhe zonat e Fushë-Krujës dhe Krujës.
Në Lezhë prin listën deputeti dhe nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, që do ketë si ndihmës edhe 12 funksionarë politikë të partisë, mes tyre deputetet Elda Hoti, apo dhe Lindita Metaliaj.
Kurse në Berat drejtues është caktuar Eno Bozdo, i mbështetur nga deputeti Kasëm Mahmutaj dhe 4 të tjerë. Në degët Kavajë dhe Rrogozhinë është zgjedhur drejtues kryebashkiaku Fisnik Qosja, që do ndihmohet nga Shkëlqim Hoxha, Hekuran Xhani dhe Rudin Hylviu.
Qarku i fundit ku është përzgjedhur shtabi për zgjedhjet e 2025-s është i Kukësit, me drejtues deputetin Flamur Hoxha dhe ndihmës Isuf Çelën, Miftar Dautin, Nazlie Laçin dhe Besa Manajn. Presidenti i Republikës nxori dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë. Zgjedhjet e përgjithshme do të mbahen në datën 11 maj 2025.
Për këto zgjedhje, Presidenti i Republikës kishte në dispozicion katër ditë të diela midis datave 15 prill dhe 11 maj 2025. Shkaku themelor për caktimin e datës 11 maj 2025 si datë për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve qëndron në nevojën e shprehur nga KQZja për të shfrytëzuar të gjithë kohën në dispozicion për përgatitjen e infrastrukturës ligjore dhe organizative, me qëllim që të bëhet i mundur votimi i suksesshëm dhe rezultativ i shqiptarëve nga jashtë vendit./Gazeta Panorama/
