AnalizeShkrime

Sulmi në Moskë/ Pse Putin po tenton të fajësojë Kievin dhe Perëndimin?

KAON

Ai përmendi Ukrainën duke thënë se Kievi kishte ofruar një “dritare” në kufirin mes dy shteteve që u mundësoi sulmuesve të tentonin të iknin. Ai nuk ofroi asnjë dëshmi për këtë pretendim.

Në deklarimin pasues më 25 mars, Putin tha se “islamistët radikalë” kryen sulmin, për të cilin Shtetet e Bashkuara thanë se Shteti Islamik Korasant, degë e IS-it, kishte përgjegjësinë e plotë. Udhëheqësi rus po ashtu dyfishoi akuzat se Ukraina kishte luajtur një rol në sulm dhe drejtoi gishtin edhe kah SHBA-ja dhe Perëndimi.

Përmes formulimeve të ndryshme që synojnë t’iu thonë qartë rusëve se Ukraina dhe Perëndimi qëndrojnë prapa sulmit, Putin tha se SHBA-ja po “përdor çdo kanal për të tentuar që të bindë satelitët e saj dhe shtetet tjera… se gjoja nuk ka asnjë tregues për përfshirjen e Kievit”. Dhe, ai sugjeroi se sulmi ishte pjesë e asaj që udhëheqësi rus e përshkroi si përpjekje të Ukrainës “për të zbatuar urdhra të patronëve të saj perëndimorë” për të “mbjellë panik” në Rusi përderisa forcat e Moskës po shënojnë përparim në pushtimin e fqinjit të tyre.

Ndërkaq, mediat shtetërore në Rusi me ngulm kanë paraqitur idenë se Ukraina dhe Perëndimi qëndrojnë parapa sulmit, siç kanë bërë edhe zyrtarët e lartë dhe ligjvënësit. Në një këmbim të shkurtër të publikuar në Telegram, një gazetar pyeti sekretarin e Këshillit të Sigurisë, njëherësh aleatin e ngushtë të Putinit, Nikolai Patrushev, “IS-i apo Ukraina?”, dhe Patrushev u përgjigj: “Ukraina, sigurisht”.

Vendosja e fajit jashtë vendit për gjërat që ndodhin në Rusi – nga sulmet terroriste e deri te protestat paqësore opozitare – nuk është diçka e re për Putinin. Ai e ka bërë këtë gjë prej vitit 2004, pas krizës së pengjeve që la të vdekur më shumë se 330 persona në një shkollë në qytetin jugor të Beslanit, duke lënë të kuptohet se Uashingtoni dhe Perëndimi po mbështesnin militantët islamikë në Kaukazin Verior në përpjekje për të dobësuar Rusinë.

Por, situata kësaj radhe ka më shumë peshë: Putin sapo ka fituar një mandat të ri gjashtëvjeçar pas zgjedhjeve të përshkruara me dëshmi për mashtrime në shkallë të gjerë dha vendimi i tij për të nisur një pushtim të plotë të Ukrainës ka çuar në një luftë të gjatë dhe rraskapitëse dhe qindra mijëra rusë janë vrarë. Lufta ende po vazhdon, pavarësisht pritjes fillestare të Putinit se Kievi do të binte shpejtë.

Në këtë tekst iu sjellim disa prej arsyeve se pse Putini po drejton gishtin kah Kievi dhe Perëndimi sa i përket sulmit në sallën e koncerteve Krokus.

Narrativi

Që nga nisja e pushtimit në shkallë të gjerë në shkurt të vitit 2022, Putin ka tentuar që ta shndërrojë Rusinë në një shtet ku lufta është diçka e natyrshme, një fakt i jetës, dhe ka përdorur atë për të shtrënguar kontrollin ndaj shtetit. Zëdhënësi i tij, Dmitry Peskov, së fundi bëri thirrje për “mobilizim të brendshëm”, duke sugjeruar se rusët nuk duhet ta mbështesin luftën vetëm nga jashtë, por të besojnë në të – një sugjerim që ndodh në kohën kur për shumicën e rusëve, mbështetja për luftën është pasive dhe pa entuziazëm personal.

Gjithnjë e më shumë, Putin ka tentuar të bindë qytetarët se shteti po lufton jo një luftë agresioni kundër Ukrainës, por një luftë mbrojtëse, thelbësore për ekzistencën e Rusisë dhe se në këtë luftë, Ukraina është vetëm një mjet në duart e Uashingtonit dhe Perëndimit, të cilët po synojnë që të mbizotërojnë apo shkatërrojnë Rusinë. Ky qëndrim është reflektuar edhe në ligjet e miratuara që synojnë të heshtin rusët që kritikojnë apo që vënë në pikëpyetje luftën në Ukrainë.

Në këtë narrativ ka pak vend për një sulm vdekjeprurës nga ekstremistët islamikë. Sulmin në sallën e koncerteve në Moskë mund të sugjerojë se Putini ka hequr sytë nga kërcënimet që janë më të afërta, apo më reale, dhe është përqendruar në ato që ai i cilëson si kërcënime që vijnë nga Perëndimi.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?