Skandal me QSUT, KLSH: Kabineti i endoskopisë në spitalin e ri, i pacertifikuar
Në dokumentin zyrtar shkruhet se “Pjesët përbërëse të pajisjes të paraqitura në ofertën teknike kanë ardhur në Republikën e Shqipërisë dhe regjistruar në Qendrën Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjeksore, secila më vete në data dhe vite të ndryshme nga viti 2021-2022, me prodhues të ndryshëm dhe operatorë të ndryshëm, ç’ka dëshmon se pajisja është asambluar në Shqipëri. Ndërkohë që procesimi/mbledhja në një pajisje është bërë nga shoqëria që ka fituar tenderin por që nuk e ka tagrin ligjor/teknik për ta kryer këtë asamblim.
Nga ana tjetër audituesit kanë zbuluar se pajisjet janë të pashoqëruara me certifikatën e origjinës dhe raportet e testeve. Ata kanë përllogaritur se vlera e dëmit të shkaktuar buxhetit të shtetit arrin në 17 milion e 184 mijë lekë, ç’ka duhet të dëmshpërblehet nga shoqëria fituese.
Audituesit janë shprehur se nga Asamblimi i pajisjes Videoendoskop, si dhe mosmbajtja e raportit të instalimit, funksionimit dhe trajnimit të stafit mjekësor, jo vetëm është shpenzim që nuk ia ka arritur qëllimit, por është risk i lartë për kryerjen e këtij shërbimi kaq të rëndësishëm për jetën e pacientëve.
Ata thonë se dëmi shëndetësor ndaj pacientëve është i pallogaritshëm, pasi shërbimi ndaj pacientëve me këtë pajisje të asambluar në Shqipëri nga persona të palicensuar, pajisje pa kalibruar, pa raport instalimi dhe funksionimi, pa raport trajnimi për personelin, pa manuale shërbimi dhe përdorimi, pa raportet e testeve është me risk të lartë për shëndetin e pacientëve.
