GJKKO lë në burg Jorgo Goron
Gjykata e Posaçme ka lënë në burg kryebashkiakun në detyrë të Himarës Jorgo Goro, për shpërdorim detyre në dy episode, në favor të investitorit strategjik Artan Gaçi. Gjykata la në fuqi masën arrest shtëpie për juristin e kadastrës Vezir Gjikokajn, ndërsa e ndryshoi nga arrest shtëpie në detyrim paraqitje për Bilbil Aliaj, ish drejtor i Kadastrës.
Përmes avokatit të tij mbrojtës, Jorgo Goro pretendoi se ka firmosur vetëm disa shkresa përcjellëse për qartësimin e satusit të sipërfaqes së tokës në bazë të një VKM-je të vitit 2015-të.
Për këtë, avokati Sokol Hazizaj i kërkoi gjykatës masë më të butë sigurie duke patur parasysh gadishmërinë e Goros për të bashkëpunuar me SPAK sa herë ishte nevoja për të dhënë sqarime.
Ndërsa prokurori i SPAK Olsi Dado, pyeti në seancë ish-juristin e Kadastrës Vezir Gjikokajn se si ka mundësi që kësaj praktike i është dhënë zgjidhje në harkun kohor të 5 ditëve. Sipas prokurorit të SPAK, veprimet dhe mos veprimet e zyrtarëve dhe institucioneve, kanë sjellë si pasojë regjistrimin përmes tjetërsimit dhe falsifikimit të 10 mijë metra e katror tokë që më pas kaloi për investime strategjike. Juristi Gjikokaj ju përgjigj prokurorit të SPAK se nuk ka patur asnjë trajtim preferencial.
