Kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Kukësit, Safet Gjici, ka reaguar pas denoncimit që është bërë ndaj vëllait të tij, Lavdrim Gjici, nga dy banorët e fshatit Bushat.
Gjici tha se personat që kanë qenë në makinë, pra vëllai i tij dhe një person tjetër, nuk kishin dalë për të blerë vota, por për të kontrolluar ata që bejnë vota në itneres të koalicionit “Bashë Fitojmë”.
Sipas Gjicit janë mbështetësit e kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, ata të cilët me makina me targa të huaja dhe xhama të zinj lëvizin në territor dhe blejnë vota.
“Video kishte pamje që njerëzit tonë dalin në terren për të kontrolluar furgonin e bandës që blejnë vota ditë për diell, janë turrë si hiena në çdo njësi administrative vetëm për të blerë vota dhe për të bërë presione, video tregohet qartë që s’ka as armë as para. Ne jemi në kontroll, kontrollojmë territorin nga bandat dhe furgoni i bandave që i ka rreth kandidati i Non Gratave. Të bllokohen të gjitha makinat me targa të huaja dhe me xhama të zeza që lëvizin në territor. Kemi prova dhe video dhe do i çojmë në organet ligjzbatuese”, tha Gjici.
Dy banorë e fshatit Bushat, Bedri dhe Nebi Sinamati, denoncuan Lavdrim Gjicin për presion dhe dhunë deri në nxjerrjen e armës së zjarrit nga shoqëruesi i tij për çështje votash.