Erion Veliaj: Planet për Tiranën në mandatin e tretë. Pse nuk ulen taksat?
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj nuk ka një plan me ulje taksash për mandatin e tretë, por ai thotë se të ardhurat do të përdoren për t’i dhënë Tiranës fizionominë e një kryeqyteti modern. Zoti Veliaj ishte i ftuar në emisionin “Pa Censurë”, në RTSH. “Sot familjarët paguajnë taksa si 10 vite më parë, ndërkohë Tirana është shumë më e mirë se 10 vite më parë. Nuk gënjej dot se të hënën do te jem këtu, kurse dikush tjetër thotë do të heqim taksën e ndërtimit, iku gjysma e bashkisë, pastaj thotë do të heqim dhe 1/3 e taksave të tjera. Iku dhe 1/3 e gjysmës. Pastaj me këto që kanë ngelur çdo gjë falas. Një mënyrë për ta “ngordhur” bashkinë është të bësh premtime që nuk i mban dot”. Në mandatin e tretë dhe të fundit, nëse fiton si kryetar bashkie, Erion Veliaj ka në plan përfundimin e disa veprave madhore. “Mandati i tretë është mandati ku ne përfundojmë unazën, por duhet të mbajë përgjegjësi edhe kush na vonoi tre vjet te Astiri. Ne përfundojmë tek 5 Maji, të gjithë atë lagje të Tiranës policentrike, por duhet të mbajë përgjegjësi edhe kush bllokoi rrugën. Do të mbarojmë Kombinatin, prapë me një ndukje veshi për ata që e zgjat me gjyqe, të nxitur politikisht. Tirana e të ardhmes nuk mund të jetë me muhabetet e viteve 90. Nuk do të bëjmë tekstile, këpucë dhe call center, por do të bëjmë më shumë kodim. Ndaj Piramida është e rëndësishme.”- tha Erion Veliaj për emisionin “Pa Censurë” në RTSH. Gjatë intervistës me gazetaren Elona Meço, ai rrëzoi tezat se Bashkia ka krijuar varësi nga taksa në ndërtim, e cila zë aktualisht mbi 30% të të ardhurave vjetore të bashkisë. “Pasi të mbarojë nevoja për ndërtim do të paguhet taksa e pronës dhe do të kthehet ajo në burimin kryesor të të ardhurave.”- u shpreh zoti Veliaj, i cili duket i sigurtë në fitoren e një mandati të tretë për Bashkinë e Tiranës.
“Ju tregoj objektivin e votave për Tiranën”, Erion Veliaj në mandatin e tretë dhe të funditz Çfarë planesh ka për PS?
Nëse Erion Veliaj fiton zgjedhjet, mandati i tretë i tij në krye të Bashkisë së Tiranës do të jetë i fundit. Gjatë intervistës për emisionin “Pa Censurë”, Veliaj pohoi se nuk i duhet më shumë kohë per të ndërtusr një Tiranë moderne dhe as nuk do të kerkojë një ndryshim ligjor për të hequr kufizimin ligjor të 3 mandateve. Por çfarë plani ka Erion Veliaj për të ardhmen në PS? Tani nuk është koha për një përgjigje finale dhe, ndryshe nga Rama apo Basha, ai thotë se nuk e bashkinë si një trampolinë drejt kryesimit të PS. Dhe megjithëse mohon të kete një ambicie tani për të ardhmen në PS, objektivi epektoral që ka në këto zgjedhje është një tregues jo i vogël: mbi 180 mijë vota, aq vota ose më shumë sesa PS mori në 2021. Më poshtë pyetje përgjigjet me gazetaren Elona Meço.
Pyetje: Beteja juaj për 2023 është që të merrni më shumë vota se PS në 2021 apo ky është një mision i pamundur?
Erion Veliaj: Nuk ështe ai qëllimi. Qëllimi ynë është fitojmë 5 bashkitë e qarkut Tiranë. Besoj se ky qark ditët më të mira po i kalon tani në çdo cep të qarkut.
Pyetje: Ju do të merrni sa në 2019, më shumë apo do ta kaloni 2021?
Erion Veliaj: Është si të pyesësh Luiza Gegën a do të kapësh më pak sekonda? Gjithmonë ti do më shumë dhe ambicia është patjetër më shumë.
Pyetje: Më shumë se 2021?
Erion Veliaj: Kjo nuk do as mend, as kalem.
Pyetje: Është e mundur?
Erion Veliaj: Mendoj se kush punon, shpërblehet. Fakti që sondazhet na tregojnë se jemi brenda këtyre pritshmërive dhe objektivave besoj se është gjë e mirë. Ne do të luftojmë për çdo votë sikur të jetë vota e fundit. Imagjino në këtë bashki me kaq shumë njerëz u ndamë për 10 vota. Do të thotë që garat mund të jenë gjithmonë të vështira dhe nuk duhen nënvlerësuar.
Pyetje: Në të kaluarën Bashkia është përdorir si tramplonë drejt partisë për të marrë drejtimin e qeverisë? Rama kështu, Basha kështu. Është ky rasti juaj?
Erion Veliaj: Nuk e kam ambicien për të drejtuar partinë. Amerikanët thonë se kur të vij tek ajo urë, do ta kaloj, por tani nuk jemi në këtë fazë. Jemi në një situatë ku e vetmja gjë që jam duke menduar është që në 4 vitet e ardhshme tek Bulevardi i Ri të çojmë Gjykatën e Lartë. Prokurorinë e Përgjithshme, Prokurorinë e Tiranës, Muzeun e Artit Modern, që Tiran mezi e pret. Sapo mbaroi gara për një tjetër Pallat Koncertesh dhe Konventash.
Pyetje: Mendova që do të ishit më i hapur, më pa komplekse për ta thënë këtë.
Erion Veliaj: Nuk e kam si ambicie. Është si të thuash e të më pyesësh “a do që të bëhesh masterchef”? Unë e kam thënë dhe vetë. Në kuzhinë jam kokrra e zdromsit, se nuk më jepet. Për momentin, s’e kam fare këtë ambicie. E vetmja gjë që më jep një adrenalinë dhe më injekton energji të paimagjinueshme është kjo histori.
Pyetje: Sa mandate ju duhen për Tiranën?
Erion Veliaj: Është me ligj, jo më shumë se tre mandate. Ju mund të keni dëshirë që unë të vazhdoj, por ligji thotë është 3 herë. Ky është mandati im i tretë, pastaj, nëse ligjet ndryshojnë….
Pyetje: Do ta bëjmë si Putini.
Erion Veliaj: Jo jo. Kjo është një mundësi e jashtëzakonshme që në këtë mandat të tretë të mbyllim të gjitha projektet madhore të Tiranës, të mbarojë Teatri, të mbarojë Unaza, të hapet Piramida. Ky duhet të jetë qyteti i punëve dixhitale, i punëve që paguhen 3-4 mijë euro në muaj dhe që ti punon për një klient jashtë pa lëvizur nga Tirana, duke shijuar dolce vitën. E kishe menduar ndonjëherë Tiranën që do të ishte kryeqyteti europian i diçkaje. Tani po bëhet si rutinë, kryeqyteti europian i rinisë, i sportit.
Pyetje: Do ta kërkoni ndryshimin e ligjit që të shkojë përtej 3 mandate për kryetarin e Bashkisë?
Erion Beliaj: Nuk kam asnjë ambicie. Unë besoj se kush e ka një vizion të qartë mund ta realizojë në 10-12 vite. Historia me 3 mandateve është optimale, sepse të jep dhe ty si kryetar sensin e urgjencës. Mandatin e parë e trajtova si mandat për të nxjerrë Tiranën nga emergjenca, bashkinë nga falimentimi, ujësjellësin nga falimentimi, çështjen e pastrimit. Njerezit mund të thonë çfarë të duan për incineratorët. A është më e pastër sot? A është në çmim 1/3-a më e ulët? E ka bashkia që e çon tek trau aty dhe Tiranën e bën xixë? Është më ajo reja veshtullore me kancer? Kaq! Kush ka bërë gabime në këtë proces, të mbajë përgjegjësi. Kufizimi i mandateve është një mënyrë per t’i thënë kryetarit të bashksië “jepi krahëve”.
Pyetje: Dhe në 2027-ën Erion Veliajn e shikojmë ku, në qeveri, si ministër apo në një garë të ardhme për kryeministër?
Erion Veliaj: Është shumë larg. E sigurtë me më shumë thinja dhe me më shumë kohë për djalin dhe për bashkëshorten.