Nga Belind Këllìçi
Veliaj frikë nga gara e ndershme
Bashkëqytetarëve tanë të Lëvizjes BASHKË iu është mohuar regjistrimi në zgjedhjet lokale të 14 majit.
Ky vendim absurd i KQZ-së i heq qytetarëve një alternativë nga fleta e votimit, e bashkë me të mundësinë të zgjedhin lirisht forcën politike që i përfaqëson.
Në dijeninë time Lëvizja BASHKË qëndron majtas dhe synon vota të majta. Personalisht nuk kam asnjë pikëprerje me ideologjinë dhe identitetin e tyre politik. Unë mendoj se konkurrenca sjell alternativa për qytetarët dhe se kjo lëvizje gëzon të drejtën kushtetuese të jetë alternativë.
Nuk ka rëndësi na pëlqejnë apo jo, i mbështesim apo jo. Nuk ka as rëndësi nëse janë kundërshtarë tanë politikë. Kjo që ka ndodhur sot është një padrejtësi e madhe, jo vetëm për Lëvizjen BASHKË dhe mbështetësit e saj, po për të gjithë qytetarët që besojnë te pluralizmi, shteti i së drejtës dhe demokracia.
Ky vendim vjen fill pas atij të Gjykatës së Apelit për ngjarjet e vjetshme në Partinë Demokratike. Pushtetarët e qeverisë qendrore dhe lokale synojnë të na organizojnë përsëri votime moniste njëpartiake si ato të vitit 2019. Tre janë arsyet:
1. Veliajt i ka ngelur ora në 2019-n.
2. Veliaj ka frikë nga zgjedhjet e lira dhe gara e ndershme, sepse nuk është produkt i një gare të brendshme por gjithnjë i emëruar.
3. Frikë nga diferenca e rezultatit, aq sa urdhëron fshirjen nga lista të një partie të vogël të sapokrijuar.
Këto vendime janë produkt i frikës. Forca që lëviz Veliajn është frika. Frika nga zgjedhjet e lira, nga imazhet pa censurë, nga intervistat pa skenar, nga mëkatet mullar, nga letrat që ka firmosur dhe miqtë që ka fundosur. Dy janë frikat e tij më të mëdha, gara e ndershme dhe e vërteta.