Zheji: Ka ardhur ora e ngordhjes për disa, kanë lënë gjurmë të trasha në aferën e inceneratorëve

Aktualitet Intervista

Ngritja e Komisionit Hetimor për Inceneratorët dhe deklaratat e kryeministrit Edi Rama lidhur me këtë çështje janë komentuar sot në emisionin “Pikat mbi i”, në News24, nga analistët Artur Zheji e Fatos Lubonja.

Për analistin Zheji, kryeministri Edi Rama bëri blofin dhe doli me dy qëndrime të ndryshme lidhur me aferën e inceneratorëve, pasi në fillim nxori gjoksin dhe e mbrojti, ndërsa dje në intervistën për “Zërin e Amerikës” u tërhoq, duke thënë se përgjegjësia është individuale.

Ndërsa për Lubonjën, komisioni për inceneratorët është një propagandë, dhe sipas tij, ky komision që shihet si testi final, duket se do të jetë “vdekja e demokracisë sonë”.

Më tej, Zheji tha se pritet të bëhet “nami i zi”, pasi personat e arrestuar për aferën e inceneratorëve do fillojnë të bashkëpunojnë me drejtësinë e të flasin, për të ulur vitet e tyre të dënimit.

 

 

“Këto para, 400 milionë euroshi, lënë shumë gjurmë, sepse kanë kaluar në bankë duke krijuar kompani guackë, për të kaluar para nga buxheti i shtetit për punë që s’janë bërë. Do dalin dhe emra të tjerë të çuditshëm. Kanë lënë gjurmë të trasha, do të kapen. Habitem për nivelin e paturpshëm për pakujdesinë e madhe, por si duket vjen ora e ngordhjes për disa”, u shpreh Zheji.

Pjesë nga diskutimet:
Lubonja: Kemi nja 5 vjet që themi se kjo drejtësia do bëjë drejtësi. Po, ku do mbarojë ky testi final? Nuk na mjaftojnë ato patronazhistët, dosjet e vjedhjes së zgjedhjeve, ngjarja e Elbasanit, etj. Testi final është vdekja e demokracisë sonë, se kështu ka ngelur të jetë testi final. Po mbahemi me gënjeshtrën se ‘prit se nuk ka mbaruar koma’, po çfarë duhet të presim më? Për mua është propagandë kjo e inceneratorëve, sepse Rama është i sigurt tani, po takon Blinken e po vendos për fatet e botës. Si e quajti atë “pengmbajtje”.

Zheji: Mendoj se Rama te “Zëri i Amerikës” është krejtësisht ndryshe nga sa ka qenë ca herë të tjera në ekrane, kur i mbrojti inceneratorët, duke na thënë sa e rëndësishme është pastërtia. I doli me gjoks kësaj gjëje si domosdoshmëri kombëtare. Ndonjëherë djalli fshihet te detajet. Koncesionimi i një shifre të madhe, disa milion euro, u bë në një emergjencë kombëtare. Meqë ishte kështu, u dha një koncesion pa garë, me idenë se hajt se na mbytën plehrat. Pas kësaj, doli vetë kryeministri e shantazhoi qytetarët, duke thënë se nuk marrin vesh çfarë është loja e nëndheshme. Tani u hap kutia e pandorës dhe u pa se një pjesë e madhe e këtyre eurove kanë shkuar për inceneratorë, që nuk janë ngritur. U kapën disa personazhe në krim, që kishin vetëm 1 milion lekë në total, dhe befas derdhen qindra milionë euro për një punë që nuk është bërë. Pra, në fazën e parë ishte Rama që shpëlante trutë e njerëzve, që thoshte se kjo është një emergjencë që duhet bërë. Ndërsa, Rama te “VOA” është një Ramë që e ka pranuar krimin, por bën diçka tjetër, thotë se përgjegjësia është individuale. Kur vjen puna e kapet me ‘presh në dorë’, e hanë të tjerët, si ‘Lefteri’, ‘Kapteri’, etj. Këtu i ka ardhur fundi. Rrugëdalja është vetëm në revolucion ose përmbysje. Duhet ta vëmë SPAK-un me shpatulla pas muri që të veprojë. Fakti që ka futur një ministër në burg, ndoshta tregon se po fillon një kohë tjetër. Rama ka bërë një blof të përhershëm, nuk duhet t’i japim një kartë tjetër, boll ka atë maskaradën e vet politike.

A do të shkojë Rama në komisionin hetimor për inceneratorët…
Zheji: Ndodhën disa sherre të turpshme në atë komision. Ofendojnë kryetaren, që është një zonjë që nuk ka rekorde kriminale në jetën e vet, prishin punë. Janë disa cic-mice aspak të hijshme për të hedhur në erë këtë nismë. Ka nervozizëm gjatë komisionit. Mesa e njoh unë Ramën, ai i pëlqen sfidat, mund të tundohet e të shkojë në komision, për të argumentuar gjërat. Por, varet çfarë i thonë këshilltarët. Servilët brenda komisionit i ka. Përpara një femre që e pyet, siç është Tabaku, nuk do të ndihet rehat, nuk do të shmangë dot pyetjet.

Lubonja: Kur ndodhi ajo historia e Ilir Metës, e 21 janarit, që u nxor video e tij për pazarin, ishte fjala për 700 mijë euro. Për atë euro u dogj Kryeministria. Solli protestues nga të gjitha anët. Kjo ishte opozita. Tani kjo opozita jonë ka kaluar miliona euro, pa bërë dot gjë të kësaj natyre, sidomos tani që ka hequr dorë fare. E harruat skandalin e Astirit, të autostradës aty, me 20 milionë euro të vjedhura, dhe që nuk u shqetësuan fare këta.

Zheji: Dogjën mandatet për atë.
Lubonja: Ore opozita nuk ka bërë gjë, aty shkonte vetëm djali i Fahri Balliut. Ky është problemi. Tani bëhet fjalë për 400 e ca milionë euro dhe ne po e luftojmë thjesht me komisione. Ta thashë çfarë bëri Rama më 21 janar. Atëherë pse kjo opozitë duhet të jetë kaq e shtëpiakëzuar? Pse do ambasadorja amerikane? Kemi një qeveri që po abuzon gjithnjë e më shumë, me gjoja një opozitë që nuk është as e majtë, as e djathtë. Sa duhet të presim, derisa amerikanët të ndërgjegjësohen e të thonë se Sali Berisha nuk është i vetëm “non grata”, por është edhe ky Rama.

Zheji: T’iu jap një informacion, ambasada amerikane është sponsor e hapjes së këtij komisioni për inceneratorët.

Lubonja: Komisioni çelësat e kashtës ka.

Zheji: Unë mendoj se ne sot nuk kemi vetëm fjalë, kemi një bilanc mediokër, por e kemi. Kemi dy ministra në burg. Drejtësia nuk dënon moralisht e verbalisht si ne, duhet të provojë. Është një kryetar bashkie në burg, janë drejtorë që po hetohen, si ky i FSHZH. Nami i zi do të ndodhë, sepse këta do të detyrohen të flasin, për të ulur dënimin e tyre. Nuk besoj që Rama të mbajë të thurur gjendjen, sepse këta nuk bëjnë vetëvrasje kolektive. Këta njerëz nuk kanë një kolonë vertebrale, që do t’i qëndrojnë Ramës besnikë. Ata do të fillojnë të flasin, sipas parimit ‘secili për vete’. Rama dje ka bërë një hap, duke thënë se është një përgjegjësi individuale. Çfarë do të ndodhë tani me këta, si do e menaxhojnë fatin e tyre? Këto para, 400 milionë euroshi, lënë shumë gjurmë, sepse kanë kaluar në bankë duke krijuar kompani guackë, për të kaluar para nga buxheti i shtetit për punë që s’janë bërë. Do dalin dhe emra të tjerë të çuditshëm. Kanë lënë gjurmë të trasha, do të kapen. Habitem për nivelin e paturpshëm për pakujdesinë e madhe, por si duket vjen ora e ngordhjes për disa.

(BalkanWeb)

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?