Raporti i OKB-së për drogën: Shqipëria e para në Europë për kanabisin
Shqipëria përmendet si shteti kryesore i origjinës së kanabisit në Europë dhe i gjashti në botë për periudhën 2015-2019, sipas raportit të fundit global të drogave 2021, një publikim i UNODC, zyrës globale të Kombeve të Bashkuara për krimin dhe drogat.
Në grafikun e publikuar në raport: “Shtetet kryesore të origjinës së rrëshirë së kanabisit, sipas raportimeve nga shtetet anëtare”, ku janë anketuar 71 vende për periudhën 2015-2019, Shqipëria përmendet e gjashta në botë, pas Marokut, Afganistanit, Pakistanit, Libanit, Republikës Islamike të Iranit.
Ndërsa në Europë, Shqipëria është e para, duke ia kaluar dhe Spanjës e Holandës. Spanja përmendet e teta në botë, ndërsa Holanda e nënta.
Raporti i përmend rrjetet shqiptare si të rëndësishme edhe në trafikun e kokainës, ku ata po zbatojnë të ashtuquajturin model biznesi “end to end”, një model efecient që përjashton palët e treta dhe e menaxhon vetë procesin, nga fillimi në fund.
“Disa nga rrjetet që po zhvillohen, në veçanti rrjetet shqiptare, janë gjithashtu të përfshira në shpërndarjen e kokainës në të gjithë Evropën dhe brenda disa vendeve evropiane, duke u mundësuar atyre të zbatojnë një model biznesi “nga fundi në fund”.” Një diversifikim i aktorëve në zinxhirin e furnizimit me kokainë midis Amerikës Latine dhe Evropës ka lehtësuar një rritje të disponueshmërisë së kokainës në Evropë, thekson raporti.
Në grafikun e publikuar në raport, shqiptarët zënë një peshë të konsiderueshme të shtetasve të huaj që janë arrestuar në lidhje me kapjet individuale të kokainës, të vlerësuara sipas madhësisë së sasisë së kapur. 25% e arrestimeve në nivelin e parë të tregtimit janë me origjinë nga Shqipëria.
Sipas raporti, vitet e fundit, është vërejtur një diversifikim i aktorëve kriminalë të përfshirë në menaxhimin e zinxhirit të furnizimit me kokainë midis Amerikës së Jugut dhe Evropës. Në të kaluarën, kjo tregti e paligjshme ishte e dominuar nga një numër i vogël aktorësh dhe kanalesh të vendosura mirë, kryesisht te grupet italiane të krimit të organizuar dhe aleancat midis grupeve kolumbiane dhe spanjolle.
Gupet kriminale të tilla si ‘Ndrangheta’ (qendra e të cilit është në rajonin italian të Kalabrisë) ushtruan një avantazh konkurrues ndaj organizatave të tjera evropiane të trafikimit me anë të pranisë së tyre në Amerikën Latine dhe kontakteve të drejtpërdrejta me furnitorët në ose afër vendeve ku prodhohet kokaina.