“Ti nën dritëzën e hënës”-Poezi nga Anelja Lako
Ti nën dritëzën e hënës.
Ti nën dritëzën e hënës.
s’di ç’m’u shfaqe aq i fshehtë,
hape butë portën e zemrës,
ma pushtove lehtë e lehtë.
Ti mbi dritëzën e hënës,
shkëndijoje përmbi re,
ç’ma vodhe çelësin e zemrës,
lermë të qetë, mor, si s’më le.
Ti nën dritëzën e diellit,
butë më dogje si qirinë,
fluturoj tej e tej qiellit,
plastë kush s’njohu dashurinë!

Pa titull
Malit lart një vetëtimë,
që çan qiellin dhe shkrin re,
sulet tokës me rrëmbim,
djeg një lis diku atje.
Sot ky det i shkumëzuar,
dallgën shkëmbit ashpërson,
plot buçimë dhe zemëruar,
pak nga pak po e thërrmon.
Dikur rrinin përqafuar,
natë e ditë shkëmbi nën valë,
në çdo kohë të dashuruar,
tani zënë e prapë me mall.
Dhe mbi lis po qan rrufeja,
më i larti, gjer në diell:
“Ah, të vrava, eja, eja,
po s’je ti, s’dal më në qiell!”.
….. …..
E shikon ç’bën dashuria?
Zë të vret pak e nga pak.
Ti qesh me thëniet e mia,
më pushton e më puth prapë.

SE JEMI NE
Vjeshtë e parë, pranverë e vonë,
një thirrje më vjen në telefon:
“Alo, jam unë, a më dëgjon?”.
M’u veshën sytë përmbi ekran,
dy pika lot mbi të më ranë:
“Ku ishe, kur të desha pranë?”.
Të thashë përhumbur, drithëruar,
inat e mall tek unë trazuar,
pas zërit tënd e dashuruar.
Ah, zëri yt plot drithërimë,
sërish ma zbuti shpirtin tim,
ti prapë më vjen çdo gjumë e zgjim.

Ne jemi larg, por pranë të ndiej
Ne jemi larg, por pranë të ndiej
si rrezen e parë të diellit,
dhe kur mbyll sytë, prapë ty të gjej,
me yjet e ndezur të qiellit.
Ne jemi larg, por ti më ndien,
si vesa e virgjër mbi lule
dhe iki e vij, ikën e vjen,
mbi ballin tim më pekule.
U deshëm, u zumë…, u deshëm prapë,
po ç’dreqin është dashuria?
Tek ti shpirti më rend turravrap,
aq sa edhe ty drejt pritjeve të mia.

Kur ti më vjen...
U vonove, s’je, dhe sonte të prita,
mbi karvane resh të më vije në ëndrra,
por ti nuk erdhe, nuk zbardhi as dita,
dritares mbërthyer, prej netësh fle hëna.
Të prita, s’je, ja kambanat ranë,
mbi qelqet e ftohta ka nisur akullimi,
si engjëll të bardhë dua të kem pranë,
përqafuar të rrimë si ngrica me dimrin.
Pa kur ti vjen jo vetëm ëndrrës,
plot ngjyra ari agimi zbardhon,
çel dashuria shtigjeve të zemrës,
mbi karvane resh edhe natën ndriçon.

Jam aty
Jam aty,
në çdo sekond,
tek ti.
Më ndien,
por nuk më sheh,
me psherëtimë më kërkon,
te strehëza jonë.
Jam aty,
si gjethja e ndrojtur,
supeve të tua,
si atëherë,
një natë vjeshte,
kur më the: “Të dua!”.
Jam aty
ku je ti,
zallit’ lumit të kulluar,
si një flutur e lehtë,
me ty e dashuruar.
