Zbulohet skenari, PS do të rrëzojë të gjitha dekretet e Metës
Në konferencën e kryetarëve, të mbledhur paradite, është vendosur që Parlamenti të nisë me shqyrtimin dekreteve të Presidentit të Republikës, Ilir Meta, i cili ka kthyer për rishqyrtim 9 ligje.
Kështu, në dy seanca, atë të 12 dhe 19 shtatorit, do të shqyrtohen e më pas do të votohen këto dekrete.
Në seancën e 12 shtatorit, pasi të kalojnë në komisionet përkatëse parlamentare, është parashikuar votimi i dekreteve për ligjin: “Për rezervat materiale të shtetit”, “Për privatizimin e ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta”, “Për vetëqeverisjen vendore”” dhe ai “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”.
Ndërkohë që në seancën e 19 shtatorit, do hidhen për votim dekretet presidenciale për ndryshimet në: “Kodi Penal”, si dhe ligjin “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, dy ligjet për ndërtimin e rrugëve Orikum – Dukat dhe Milot -Balldren”, si dhe ligji për “Për Akademinë e Shkencave”.
Mësohet se mazhoranca socialiste do t’i rrëzojë të gjitha këto dekrete të Presidentit.
Po ashtu, një tjetër moment i rëndësishëm i këtij sesioni është edhe vijimi i punës së komisionit hetimor parlamentar, për shkarkimin e Presidentit Meta, i ngritur me kërkesën e PS, pasi gjykon se dekreti i 10 Qershorit për anulimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit ishte antikushtetues. Por deri në vendimin final, mazhoranca do presë opinionin e Komisionit të Venecias, një delegacion i të cilit pritet të zhvillojë një vizitë nga data 9 deri në 11 shtator.