Ministri i Mbrojtjes së Greqisë: “Çamët janë kriminelë lufte”!

Aktualitet

Sot në pikë të mëngjezit ministri i Mbrojtjes së Greqisë, Panos Kammenos ka deklaruar se “çamët janë kriminelë lufte që kanë bashkëpunuar me nazistët”. Në një deklaratë për mediat në orët e para të mëngjesit ai deklaroi se ato që thuhen për çështjen e pronave nuk kanë lidhje me çamët.

Në lidhje me Zonat Ekskluzive Ekonomike me Shqipërinë ai tha se kjo çështje po mbyllet, por do të komunikohet nga ministri i Jashtëm.

“Ato që kërkonte Greqia nga Shqiperia po realizohen.  Epiri i Veriut është një zonë ku grekët ekzistojnë dhe do të ekzistojne. Minoriteti do të mbrohet”, tha Kammenos. Nga ana e tij, Kotzias, ministri i jashtëm grek po luan rolin e moderatorit, diplomatit që vetëm buzëqesh, ndërkohë që po realizojnë qëllimet e tyre në zgjerim të territorit detar grek, duke marrë nga pala shqiptare miratim. Marrëveshja e detit, e cila po thuret nën det për të marrë det, akoma nuk është transparente nga ministria e jashtme shqiptare.

Deklarata e ministrit grek të mbrojtjes duhet të marrë patjetër reagimin e palës shqiptare, pasi në të kundërt dyshimi se Greqia po merr gjithçka që ajo kërkon, kthehet në një fakt. Aq me tepër ku një deklaratë reagimi nga ministria e jashtme shqiptare nuk po duket, flakë për flakë, si reagim për akuzën e rëndë të ministrit të mbrojtjes.

Me sa duket uzo greke e ishullit të Kretës nuk ka ikur nga avujt e mendjes së ministrit shqiptar të jashtëm, Ditmir Bushati, pavarësisht se sot në Shkodër do ketë në tavolinë edhe raki të sjellë nga homologu i tij malazez. Rakia malazeze dhe uzo greke londrojnë në qiellin e ministrisë së jashtme shqiptare!

Çamët janë shqiptarë, të cilët pala greke i largoi me forcë, me djegie e vrasje, nga tokat e tyre në Çamëri. Ndaj të heshtësh për një akuzë të tillë të qeverisë greke, ndërkohë që po u lëshon det dhe pasuri, kjo nuk ka sens. Ministri Bushati duhet nga Shkodra të përgjigjet ndaj një akuze të tillë e të rëndë nga ministri grek.