NË PËRKUJTIM TË ATDHETARIT – FERID BUXHAKU
Nga Ibrahim
EGRIUFerid Buxhaku (1939-2005)
së shokut tonë të fëmijërisë, atdhetarit Ferid Buxhaku.
Më 24 maj 2005 pushoi së rrahuri zemra e mësuesit e pedagogut të dalluar, zemra e atdhetarit të dëshmuar gjatë kohës së monizmit e të diktaturës serbo-maqedono-malazezë sllave; zemra e shokut tonë fort të dashur, fisnik, bujar, trim e i besës – Ferid Buxhaku.
Mësuesit janë drita e kombit, por mësuesit e përkushtuar ndaj punës janë krenaria dhe e ardhmja e tij. I tillë ishte dhe mbetet mësuesi dhe atdhetari i nderuar, Ferid Buxhaku, në mesin e qytetarëve dibran dhe në gojën e shpirtin e qindra nxënësve, qe u falte dituri. Feridi ishte i veçantë në punën e tij ngaqë nxënësit i edukonte me patriotizëm dhe i përgatiste të jenë te ndershëm, të devotshëm dhe punëtor të palodhur në rrugën e diturisë.
I lindur në Dibër të Madhe, në një familje me tradita patriotike dhe arsimdashëse nga prindërit, Nuredin e Miminet Shatku-Buxhaku. I ati, një burrë i urtë dhe i mençur, që kujtohet shpesh në odat dibrane, tregtar i ndershëm që gjithmonë u dilte në ndihmë të varfërve, ndërsa Mimineti-Goca shquhej për bujarinë dhe fisnikërinë që e karakterizonte.
Feridi, në qershor 1959, para 56 vjetësh mbaroi Shkollën Normale“Zef Lush Marku” në Shkup. Vitet e para të shërbimit si mësues i filloi në Zhelinë të Tetovës, mandej në fshatin Ame të Dibrës, ku tregoi rezultate të lakmueshme në edukimin dhe arsimimin e fëmijëve të fshatit dhe më vonë në shkollën e qytetit të Dibrës, ku u dëshmua si mësues i përkushtuar dhe i palodhur, si arsimtar shembullor në edukimin e gjeneratave të reja.
Nga natyra, Feridi ishte plot humor në mesin e Shoqërisë sonë dhe shquhej për dashurinë ndaj Shqiperisë dhe vendlindjes-Dibrës. Që në vitet e 60-ta, Feridi ynë i dashur, me plot indinjim e guxim na fliste rreth padrejtësive qe iu bën shtetit amë – Shqiperisë në Konferencën e Londrës më 1913, dhe për gabimet e bëra në Mbledhjen e Jalltës, kur fuqitë e mëdha, Shqiperinë ia bashkangjitën taborit te shteteve sllavo – komuniste. Pra, ai kërkonte dhe prej ne shokëve të tij që ta adhurojmë Perëndimin dhe SH B A. Poashtu, mbështeste idenë e bashkimit te kombit shqiptar në një shtet të vetëm etnik e natyral. Ndaj, shpeshherë burgosej sa herë që në Shkup vinte në vizitë, Nastradini, Tito, siç e quante Feridi, atë dhe Triumf Turkeshin i burgosnin, duke qenë se që të dy flisnin haptazi e nuk duronin robërinë dhe padrejtësitë që u bëheshin shqiptarëve nga sistemi shovinist sllavo-maqedon.
Në vitet e 70-ta, sekretari i Komitetit të qytetit, shovinisti më i spikatur, Apostol Arbenski, kërkonte përjashtimin e Feridit nga puna, duke qenë se hapatzi ka deklaruar para organeve të pushtetit në Dibër se kurrë nuk do ta paguajë taksën televizive të R T V –Shkupi, duke qenë se nuk e ka shikuar dhe se e ka drejtuar antenën vetëm se në drejtim te R T SH-në. Falë dhëndrit te tij, gjykatësit dhe publicistit dibran, Shehat Marku i ndjerë me 27 prill 2009, në disa seanca gjyqësore e mori në shqyrtim lëndën e Feridit dhe nuk lejoi që, Feridi, vëllau i bashkëshortes së tij, Prof. Fatime, të burgoset apo suspendohet nga puna. Ndaj Feridi, kurrë nuk u gjunjëzua dhe pa droje u fliste nxënësve të tij për Shqiperinë, për historinë e kombit shqiptar si dhe Çdo vit e festonte me ne, shokët e tij 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit e te pavarësisë së Shqiperisë.
Sot, më 24 maj 2018 mbushën 13 vjet nga vdekja e mësuesit, pedagogut dhe atdhetarit, Ferid Buxhaku, pra, para 13 vite, bashkekombasit tanë nga të gjitha trojet etnike, me nderime të mëdha, ia dhënë lamtumirën e fundit birit te tyre shumë të dashur, Feridit, i cili po ketë muaj mbushte 79 pranvera.
Të mbjellim sot – thoshte Sami Frasheri i madh – që të korrin nesër fëmijët tanë. Gjenerata të tëra nxënësish do të jenë mirënjohës për atë që palodhur mbolli mësuesi, pedagogu dhe shoku yne i pavdekshëm, Ferit Buxhaku.
Sjellja e tij fisnike dhe virtytet e larta njerezore, gjithmonë kanë qenë dhe do të mbesin udhërrefim për në dhe për brezat e ardhshëm. Ai për herë do jetojë i gjallë në zemrat tona.
Dheu i Dibrës i qofte i lehtë!
Shpirti i tij i çiltër le të prehet plot dritë!
Me pietet e kujtime te paharruara, shokët dhe kolegët e tij të një gjenerate nga Diaspora, Dibra e Kacaniku:
Azis Kerluku, Dr. Ferid Vojnika, Latif Nallbani, Ibrahim Egriu, Zyhdi Daci, Xheladin Pjeca, Media Cami, Petrit Dibra, Rizvan Koleci, Lutfi Cuka, Eugjen Cami, Refik Cice, Gafur Bollice,Mustafa Skikuli, Edip Sela, Pertef Turkeshi etj.