SPRINT NEWS ALBANIA

ShkrimeTe tjera

Nga Sokol Gjoni/ Harresë që vjen përmes “flamujve…”

Millosh Gjergj Nikolla
(Migjeni)
13 tetor 1911- 26 gusht 1938

Në madhështinë e njerëzve që lënë gjurmë të pashlyera, dy data janë krejtësisht të pavend të harrohen, data e tyre e lindjes dhe data e ikjes nga kjo botë.
Shpeshherë, jemi përpjekur të gjejmë “pretekste” simbiotike të Pukës me Migjenin, të ndërtojmë raporte varësie mes dy pjesëve që komportohen dhe shkrihen së bashku, të formulojmë teza dhe teori që kapërcejnë gjykimet letrare dhe rrokullisen në mitologji dhe folklorizma, të shprehura me pompozitet afektiv dhe emotiv.
Këtu në Pukë, Migjenin “e duan” drejtuesit dje dhe sot, (ndonëse, shumë syresh në komunikime të çlirta nga injoranca dhe padituria e skajshme shprehen me konotacione dhe pezhorativa të llahtarshme për figurën dhe dimensionet e tij), thjeshtë si variacion për dalje nga guacka institucionale, për sensacion mediatik, për protokoll institucional, për…, për…etj, por asnjëherë për atë çka ai përfaqëson. Ndryshe, s’ka se si të justifikohet mungesa totale e vëmendjes nga “çdokush” që pretendon se e njeh Migjenin, e indiferentizmit ndaj datës që shënon 106 vjetorin e lindjes së “uraganit të ndërprerë të letërisës shqipe”, poetit që solli përmes vargut të lirë realitetin e kredhur në mjerim të shoqërisë shqiptare, fotografinë lakuriqe të një shoqërie, e cila e zhytur në pashpresshmërinë e varfërisë dhe të mjerimit të tejskajshëm ishte mbërthyer në spiralen e veseve dhe të bjerrjes së saj morale.
Të ashtuquajturat “qarqe intelektuale” lokale, të katandisuara në manifestime broçkullash dhe pallavrash pa sens, e duan Migjenin për kapardisje mediumesh dhe simpoziumesh, që stisen dhe sajohen sa herë vjen “ndokush” nga Tirana, por asnjëherë me sebepin e duhur.
Përtej harresës, pavëmendjes dhe mosinteresimit të institucioneve përgjegjëse, të medias apo dhe forumeve intelektuale që përpiqen të jenë orientuese dhe fokusuese në ngjarje dhe shënjime të tilla, duhet medoemos të krijohen mekanizma dhe premisa konkretë, tërësisht të zhveshur nga pragmatizmi i çastshëm, por në funksion të qasjeve të reja ndaj vlerësimit dhe prezantimit në opinionin publik të figurave të tilla.
Migjenin nuk mund ta glorifikojnë dot liliputë dhe sharlatanë, të cilët emrin e tij e përmendin, thjeshtë si poetin e “mjerimit”, duke belbëzuar ndërdhëmbshëm dhe ndonjë varg nga poema, si stil dhe sharm zyrtarësh që për t’u dukur “autoritarë” në foltore të stisura, padashje krijojnë asimetri të aktuales me kohën kur jetonte poeti, duke dhënë groteskun e talljes me auditorin, pasi harrojnë se janë pikërisht drejtuesit e djeshëm dhe të sotëm përgjegjësit e këtij realiteti, që si në kapardisje ofrojnë konturet dhe mendësinë e idhujve…pa krena.
Përmasat e figurës së Migjenit, nuk zvogëlohen edhe përtej “pakujdesjes” së institucioneve përgjegjëse për të organizuar veprimtari që lidhen kryesisht me veprën e tij gjeniale, pasi dimensionet që rrok Migjeni në krijimtarinë e tij i qëndrojnë dhe pluhurosjes institucionale. Edhe po të duam ta harrojmë, realiteti asimetrik është klithma dhe piskama e mesazheve të forta që rezonojnë në kontekste aktuale. Për të mos e lënë në harresë, Puka dhe pukjanët i kanë dhënë si garanci të saj “Lulin e vocërr”, i cili sot në prehërin e mësuesit të tij, sheh se sa shumë janë venitur institucionet kulturore në përmbushjen e qëllimeve të tyre, se sa shumë janë bjerrë vlerat krijuese dhe në tërësi jeta artistike dhe kulturore e një vendi, e një qyteti që burim frymëzimi kishte vendndodhjen e tij, të qenurit rrëzë malit Tërbuni, ku flladi i bjeshkëve që e rrethojnë janë nektari ushqyes i plejadës së panumërt të krijuesve dhe interpretuesve të saj.
Kjo panoramë e “harresës” ndaj figurës së Migjenit, për fatin e keq vërehet se ka përfshirë dhe institucione në nivel kombëtar, organet qendrore, median dhe në tërësi sferën intelektuale, pasi asgjë nuk është planifikuar në këtë përvjetor. Migjeni sot vjen si një “baladë qytetase”, me tingujt e dëshpërueshëm të “dhimbjes krenare”, por gjithnjë i pëlqyeshëm si “sonet pranveror” .

 

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?